Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Si mund të kem pak privatësi?

Si mund të kem pak privatësi?

 Pse ndërhyjnë prindërit?

Prindërit thonë se janë thjesht të merakosur. Kurse ty të duket se po të cenojnë privatësinë. Për shembull:

  • Një adoleshente me emrin Erina, thotë: «Babi më merr celularin, më kërkon fjalëkalimin dhe m’i kontrollon të gjitha mesazhet. Dhe kur unë ngurroj t’ia jap, ai mendon se po i fsheh ndonjë gjë.»

  • Denisa, tani në fillim të të 20-ave, kujton se e ëma hetonte faturën e telefonit fill e për pe: «Kontrollonte çdo numër, më pyeste se i kujt ishte dhe për çfarë kisha folur me atë person.»

  • Një adoleshente me emrin Kejla, thotë se mami i kishte lexuar një nga ditaret: «Kisha shprehur shumë nga ndjenjat e mia aty​—madje edhe për të. Pas kësaj nuk mbajta më kurrë ditar.»

Përfundimi: Prindërit janë përgjegjës për mirëqenien tënde dhe s’varet nga ti se me sa rreptësi do ta përmbushin këtë përgjegjësi. A do të duket ndonjëherë se po e teprojnë? Mbase. Lajmi i mirë është se ti mund të bësh diçka që ndërhyrjet e tyre të mos të bezdisin edhe aq.

 Ç’mund të bësh

Fol hapur. Bibla na nxit «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18) Përpiqu ta zbatosh këtë me prindërit. Sa më i sinqertë dhe i hapur të jesh me ta, aq më shumë privatësi do të kesh.

Për të menduar: sa i besueshëm je treguar deri tani? Mos ndoshta nuk e vret shumë mendjen për orarin e kthimit në shtëpi? A i mban sekret shokët? A i dredhon përgjigjes kur të pyesin për gjërat që bën?

«Duhet të bëj kompromis me prindërit. Flas hapur me ta për gjërat që kaloj. U tregoj gjithçka duan të dinë, ndaj më besojnë e më lejojnë të kem privatësinë time.»​—Delia.

Ki durim. Bibla thotë: «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Korintasve 13:5) Duhet kohë që të bësh një emër të mirë si i besueshëm, ama ia vlen çdo përpjekje.

Për të menduar: dikur edhe prindërit e tu kanë qenë adoleshentë. Si mendon se ndikon kjo tek fakti që kërkojnë të dinë për jetën tënde?

«Mendoj se prindërve u kujtohen gabimet e tyre të adoleshencës dhe nuk duan që fëmijët të bëjnë të njëjtat gabime.»​—Danieli.

Përpiqu t’i kuptosh. Përpiqu t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i prindërve. Bibla thotë se një grua e zonjë «mbikëqyr se si shkon shtëpia e saj» dhe një baba i mirë i rrit fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Proverbat 31:27; Efesianëve 6:4) Për të arritur këtë s’ka rrugë tjetër: prindërit duhet të përfshihen në jetën tënde.

Për të menduar: po të ishe prind​—me aq sa di ti për adoleshentët​—a do ta lije djalin ose vajzën tënde të kishte privatësi absolute, pa bërë asnjë pyetje?

«Kur je adoleshent, duket sikur prindërit po ‘të shkelin’ privatësinë. Tani që e kam kaluar këtë fazë, e kuptoj pse prindërve u duhet të veprojnë kështu. Është një mënyrë se si tregojnë se na duan.»​—Xhejmsi.