Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Po nëse vuaj nga një sëmundje? (Pjesa 2)

Po nëse vuaj nga një sëmundje? (Pjesa 2)

Problemet me shëndetin kanë forma nga më të ndryshmet.

  • Disa të sëmurë kanë simptoma të dukshme, kurse të tjerë kanë simptoma që vetëm i ndiejnë përbrenda.

  • Disa probleme shëndetësore «vijnë vetëm për vizitë», kurse të tjera «vijnë e nuk shkulen» dhe shkaktojnë vështirësi çdo ditë.

  • Disa sëmundje janë të kurueshme ose të paktën mbahen nën kontroll; të tjera janë progresive e ndoshta kërcënojnë jetën.

Të rinjtë përballen me të gjitha llojet e problemeve shëndetësore të përmendura këtu. Në këtë artikull do të njiheni me katër të rinj që kanë këto sfida. Nëse edhe ti vuan nga një sëmundje, mund të marrësh zemër nga fjalët e tyre.

 GENELA

Gjëja më e vështirë për mua është të pranoj kufizimet e mia. Dua të bëj shumë gjëra, por përditë duhet të përshtatem me gjendjen time.

Kam një çrregullim neuromuskulor motorik që nuk e lë trurin të përçojë informacionin siç duhet trupit. Ndonjëherë më dridhen ose më paralizohen pjesë të ndryshme të trupit, nga koka te këmbët. E kam të vështirë të bëj edhe gjërat bazë, si të lëviz, të flas, të lexoj, të shkruaj e t’i kuptoj të tjerët. Kur gjendja ime rëndohet shumë, pleqtë e kongregacionit luten me mua. Menjëherë pas lutjes ndihem më e qetë.

Çfarëdo sprove të has, e ndiej se Perëndia Jehova më mbështet gjithnjë. Nuk dua që sëmundja të më pengojë t’i shërbej plotësisht atij. Gjëja më e rëndësishme për mua është t’i ndihmoj të tjerët të mësojnë premtimin e Biblës se së shpejti Perëndia Jehova do ta bëjë tokën parajsë, ku nuk do të ketë më vuajtje.​—Zbulesa 21:1-4.

Për të menduar: Si mund t’u tregosh dhembshuri të tjerëve, ashtu si Genela?​—1 Korintasve 10:24.

 ZAKARIA

Kur isha 16 vjeç, më diagnostikuan me një formë agresive të kancerit në tru. Mjekët më thanë se kisha vetëm tetë muaj jetë. Që atëherë kam luftuar për jetën.

Për shkak të vendndodhjes së tumoreve, pjesën e djathtë të trupit e kam të paralizuar. Që kur nuk eci më, gjithnjë duhet të kem dikë në shtëpi që të më ndihmojë të lëviz.

Përparimi i sëmundjes ma ka bërë të vështirë të flas qartë. Dikur isha shumë aktiv e më pëlqenin skitë në ujë, basketbolli dhe volejbolli. Si Dëshmitar i Jehovait dilja shpesh në shërbim. Mendoj se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë ç’do të thotë të mos bësh dot gjërat që të pëlqejnë shumë.

Fjalët e Isaisë 57:15 më japin zemër, sepse më sigurojnë se Perëndia Jehova është i gjindshëm ndaj atyre që janë ‘të dërrmuar në frymë’ dhe se kujdeset për mua. Edhe tek Isaia 35:6 gjendet premtimi i Jehovait se një ditë do të eci sërish e do t’i shërbej pa asnjë sëmundje.

Ndonëse ndonjëherë është shumë e vështirë ta përballoj sëmundjen, jam i sigurt për ndihmën e Jehovait. Me anë të lutjes, gjithmonë kam me kë të flas kur ndihem përtokë ose kur kam frikë nga vdekja. Asgjë nuk më ndan dot nga dashuria e Jehovait.​—Romakëve 8:39.

Zakaria ra në gjumin e vdekjes kur ishte 18 vjeç, dy muaj pasi u intervistua. Besimi i tij te premtimi i Perëndisë për ringjalljen në parajsën tokësore, mbeti i fortë deri në fund.

Për të menduar: Si mund të të ndihmojë lutja që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë, ashtu si Zakaria?

 ANAISA

Vetëm disa ditë pasi linda, pata një hemorragji në tru që më la me një kufizim, i cili ndikon te gjithë trupi im, sidomos te këmbët.

Sot eci nga pak me ndihmën e një kornize për të ecur, por zakonisht kam nevojë për karrocë invalidi. Gjithashtu kam spazma që ma bëjnë të vështirë të kryej punë që kërkojnë saktësi, siç është shkrimi me dorë.

Përveç stresit që më sjell gjendja ime, edhe trajtimi mjekësor ka qenë sfidë. S’mbahet mend sa seanca fizioterapie kam bërë disa herë në javë. Operacionin e parë të rëndë e pata kur isha pesë vjeçe e më pas bëra edhe tre të tjerë. Dy ndërhyrjet e fundit ishin veçanërisht të vështira, sepse isha larg shtëpisë për tre muaj që të merrja veten.

Familja më ka ndihmuar tej mase. Qeshim së bashku, dhe kjo më ndihmon kur jam zemërlëshuar. Mami dhe motra më ndihmojnë të dukem bukur, pasi nuk ia dal dot vetë. Më vjen keq që nuk mbaj dot taka të larta. Por ia dola njëherë kur isha e vogël duke ecur këmbadoras me duart brenda këpucëve, diçka që na shkriu së qeshuri të gjithëve.

Mundohem të mos e lë gjendjen time të përcaktojë kush jam. Studioj gjuhë të huaja. Notoj, dhe kjo kompenson faktin që nuk bëj dot sërf ose snowboard. Si Dëshmitare e Jehovait, më pëlqen të dal në shërbim e të flas për besimin. Duket se të gjithë më dëgjojnë me vëmendje.

Prindërit më mësuan që në fëmijëri se gjendja ime është e përkohshme. Që atëherë kam forcuar besimin te Jehovai dhe te premtimi i tij për t’u dhënë fund vuajtjeve, përfshirë edhe vuajtjen time. Kjo më jep forcën për të ecur përpara.​—Zbulesa 21:3, 4.

Për të menduar: Si të mos e lejosh sëmundjen të përcaktojë kush je, siç bën Anaisa?

 JULIANA

Kam një çrregullim të dhimbshëm autoimunitar që ndikon te zemra, mushkëritë dhe gjaku. Tashmë më ka prekur edhe veshkat.

Isha dhjetë vjeçe kur u diagnostikova me lupus, sëmundje që më jep dhembje, rraskapitje dhe luhatje humori. Ndonjëherë ndihem e pavlerë.

Kur isha 13 vjeçe, na erdhi në shtëpi një Dëshmitare e Jehovait. Ajo më lexoi Isainë 41:10, ku Perëndia Jehova thotë: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. . . . Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» Ky shkrim më nxiti të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Sot, rreth tetë vjet më vonë, i shërbej Perëndisë me gjithë zemër dhe jam e vendosur të mos e lë sëmundjen të më kontrollojë jetën. Mendoj se Jehovai më ka dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, që të vazhdoj të mbaj qëndrim pozitiv.​—2 Korintasve 4:7.

Për të menduar: Si mund të të ndihmojë Isaia 41:10 që të mbash qëndrim pozitiv, pikërisht siç e ndihmoi edhe Julianën?