Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Pse duhet të lutem?

Pse duhet të lutem?

Sipas një ankete, 80 për qind e adoleshentëve në Amerikë luten, por vetëm gjysma e tyre lutet çdo ditë. Sigurisht, disa pyesin veten: «Lutja është thjesht lehtësim psikologjik apo diçka më tepër?»

 Çfarë është lutja?

Lutja është komunikim i vërtetë me Krijuesin e gjithçkaje. Mendo pak se ç’do të thotë kjo! Jehovai është më lart se njerëzimi në çdo aspekt, prapëseprapë «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Në fakt, Bibla bën këtë ftesë të mrekullueshme: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»​—Jakovi 4:8.

Si mund t’i afrohesh Perëndisë?

  • Me anë të lutjes, që është mënyra si flet ti me Perëndinë.

  • Me anë të studimit të Biblës, që është mënyra si «flet» Perëndia me ty.

Ky komunikim reciprok​—lutja dhe studimi i Biblës​—do të të ndihmojë të ndërtosh një miqësi të fortë me Zotin.

«Komunikimi me Jehovain, me Më të Lartin, është ndër privilegjet më të mëdha të njeriut.»​—Xheremi.

«Kur i shpreh Jehovait në lutje ndjenjat më të thella, ndihem më afër tij.»​—Miranda.

 A i dëgjon Zoti lutjet?

Edhe nëse beson te Zoti, madje, edhe nëse i lutesh atij, mbase e ke të vështirë ta pranosh se të dëgjon vërtet. Gjithsesi, Bibla thotë se Jehovai është «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Madje, ajo të fton ‘të hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të’. Pse? «Sepse interesohet për ty.»​1 Pjetrit 5:7.

Për të menduar: A gjen kohë për të folur rregullisht me miqtë e ngushtë? Mund të veprosh njësoj me Perëndinë. Lutju rregullisht duke iu drejtuar me emër, Jehova. (Psalmi 86:​5-7; 88:9) Në fakt, Bibla të fton ‘të lutesh pa pushim’.​—1 Selanikasve 5:​17.

«Lutja është një bisedë mes meje dhe Atit tim qiellor, ku i zbraz zemrën.»​—Moisiu.

«Kur flas me Jehovain, i hapem plotësisht, tamam siç do të flisja me mamin a me një shoqe shumë të ngushtë.»​—Kerëni.

 Për çfarë të lutem?

Bibla thotë: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»​—Filipianëve 4:6.

A do të thotë kjo se mund të lutemi edhe për problemet? Po! Faktikisht, në Bibël thuhet: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.»​—Psalmi 55:22.

Sigurisht nuk duhet t’i lutesh Zotit vetëm kur ke probleme. Një e re me emrin Shantela, thotë: «Vështirë të quhet vërtet miqësi e mirë nëse i lutem Jehovait vetëm kur kam nevojë për ndihmë. Mendoj se në fillim duhet ta falënderoj, dhe lista për këtë është goxha e gjatë.»

Për të menduar: Për çfarë gjërash i je mirënjohës? A mund të mendosh tri gjëra për të cilat ta falënderosh Jehovain çdo ditë?

«Edhe një gjë e thjeshtë, si soditja e një luleje të bukur, mund të të nxitë ta falënderosh Jehovain.»​—Anita.

«Medito për diçka që të mahnit nga krijimi ose për ndonjë varg biblik që të prek vërtet, pastaj falëndero Jehovain për këtë.»​—Brajani.