Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINTË PYESIN

Si të mbrohem nga bullizmi kibernetik?

Si të mbrohem nga bullizmi kibernetik?

 Çfarë duhet të dish?

Interneti ia ka thjeshtuar rrugën bullizmit. Libri CyberSafe thotë: «Edhe fëmijët e mirë mund sillen keq, të fshehur pas një ekrani.»

Disa mund të jenë shënjestër më e lehtë. Këtu përfshihen ata që duken tipa të mbyllur, të ndryshëm ose që kanë vlerësim të ulët për veten.

Bullizmi kibernetik sjell pasoja serioze. Ai mund të nxitë vetminë, depresionin e madje i ka shtyrë disa drejt vetëvrasjes.

 Ç’mund të bësh?

Si fillim pyet veten: «A është vërtet bullizëm?» Ndonjëherë njerëzit thonë fjalë lënduese që nuk i kanë me tërë mend. Kur ndodh një gjë e tillë, mund të ndjekim këshillën e mençur të Biblës:

«Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.»​—Eklisiastiu 7:9.

Nga ana tjetër, kur dikush ngacmon, poshtëron ose kërcënon qëllimisht dikë nëpërmjet Internetit, kjo konsiderohet bullizëm.

Nëse je bërë shënjestër e bullizmit kibernetik, mos harro: mënyra si reagon, mund ta përmirësojë ose ta përkeqësojë situatën. Pse mos të provosh një ose disa nga sugjerimet e mëposhtme?

Shpërfille bullistin. Bibla thotë: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri, dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.»​—Proverbat 17:27.

Shiko një arsye pse kjo këshillë është e dobishme. Nensi Uillërdi thotë në librin e saj: «Synimi kryesor i bullistëve është që shënjestra e tyre të humbasë qetësinë. . . . Dhe kur kjo ndodh, atëherë në thelb viktima e bullizmit po lejon të kontrollohet nga bullisti.»—Cyberbullying and Cyberthreats.

Përfundimi: Ndonjëherë përgjigjja më e mirë është të mos përgjigjesh fare.

Rezistoji dëshirës për t’u hakmarrë. Bibla thotë: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë.»​—1 Pjetrit 3:9.

Ja një arsye pse kjo këshillë është me vend: «Zemërimi tregon dobësi, dhe kjo i jep më shumë zemër atij që po të ngacmon»,—thotë libri Cyber-Safe Kids, Cyber-Savvy Teens. Gjithashtu, nëse hakmerresh, mund të japësh idenë se ti je po aq përgjegjës sa ai që po të ngacmon.

Përfundimi: Mos i hidh benzinë zjarrit.

Vepro. Bibla thotë: «Mos e lejo të keqen të të mundë.» (Romakëve 12:21) E vërteta është se mund të bësh diçka për t’i dhënë fund bullizmit​—pa e përkeqësuar situatën.

Për shembull:

  •  Bëji bllok personit që po të dërgon mesazhet. «Gjërat që nuk i lexon, s’mund të të lëndojnë»,—thotë libri Mean Behind the Screen.

  • Ruaji të gjitha provat edhe pse nuk i lexon. Këtu mund të përfshihen sms-të e dhunshme, mesazhet online, posta elektronike, postimet në blogje ose në median sociale, mesazhet zanore e çdo lloj tjetër komunikimi.

  • I thuaji të mos e bëjë më. Dërgoji një mesazh të prerë, por pa përfshirë emocionet, si:

    • «Mos më dërgo më mesazhe.»

    • «Fshije postimin.»

    • «Nëse vazhdon, atëherë do të marr masa të tjera.»

  • Ki më shumë besim te vetja. Në vend se të përqendrohesh te dobësitë, përqendrohu te pikat e forta. (2 Korintasve 11:6) Si ata që ngacmojnë ballë për ballë, edhe ata që ngacmojnë online, vënë në shënjestër ata që duken të dobët e të pambrojtur.

  • Tregoji një të rrituri, për shembull, prindërve. Gjithashtu mund ta raportosh situatën te siti i Internetit ose tek operatori i shërbimit që po përdor ngacmuesi. Kur bëhet fjalë për një situatë të rëndë, bashkë me prindërit duhet të raportoni në shkollë, në polici e madje të kërkoni ndihmë ligjore.

Përfundimi: Mund të bësh diçka për t’i dhënë fund ngacmimit ose të paktën të pakësosh ndikimin që ka te ti bullizmi kibernetik.