Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Çfarë duhet të di për sexting?

Çfarë duhet të di për sexting?

 Çfarë është sexting?

Sexting është zakoni i dërgimit me celular i mesazheve, fotografive ose videove me natyrë të hapur seksuale. «Duket se sot ky komunikim është bërë më se normal,—thotë një burrë.—Merr e dërgon mesazhe dhe pa kaluar shumë kohë fillon të shkëmbesh foto ‘hot’», domethënë imorale.

Pse dërgojnë mesazhe të tilla? Sipas disa adoleshentëve, «të kesh fotografi nudo të partnerit tënd në celular është reklamë se je aktiv seksualisht»,—thotë një zëvendës prokuror me përvojë i cituar në gazetën The New York Times. Madje, një adoleshente e quan një formë «seksi të sigurt». Sepse në fund të fundit, thotë ajo, «nuk mund të mbetesh shtatzënë e nuk mund të marrësh sëmundje seksualisht të transmetueshme».

Arsye të tjera pse adoleshentët dërgojnë mesazhe sexting, janë:

  • Për të flirtuar me dikë me të cilin shpresojnë të lidhen.

  • Sepse dikush tashmë u ka dërguar një foto me natyrë të hapur seksuale dhe ndihen të detyruar ‘t’ia kthejnë favorin’.

 Cilat janë pasojat e sexting?

Njëherë që dërgon një foto me celular, nuk të përket më ty, as nuk e ke më në dorë si do të përdoret ose si do të ndikojë në reputacionin tënd. «Kurrë më parë nuk ka qenë kaq e lehtë të shpërndahen dhe të ruhen gabimet dhe shkeljet e dikujt»,—thotë Amanda Lenhart, specialiste e kërkimeve dhe autore e një raporti për sexting Pew Research Center.

Në disa raste:

  •  Ai që ka marrë foto nudo ua dërgon shumë vetave për të bërë gallatë me shokët.

  •  Djemtë që i kanë lënë të dashurat shpërndajnë foto nudo për të marrë hak.

A E DIJE? Në shumë raste, sexting, pra dërgimi i mesazheve me foto nudo, është konsideruar njësoj si abuzimi me fëmijët ose shpërndarja e pornografisë me fëmijët. Disa të mitur që kanë dërguar mesazhe sexting janë ndjekur penalisht si kriminelë seksualë.

 Çfarë thotë Bibla për të?

Bibla flet pozitivisht për kënaqësinë seksuale brenda martesës. (Proverbat 5:18) Megjithatë, është e prerë kur bëhet fjalë për sjelljen seksuale mes të pamartuarve. Shiko shkrimet biblike që tregohen më poshtë:

  • «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju . . . As sjellja e turpshme, as të folurit pa mend, as shakatë e ndyra.»​—Efesianëve 5:3, 4.

  • «Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë.»​—Kolosianëve 3:5.

Këto vargje na paralajmërojnë të rrimë larg jo vetëm nga «kurvëria» (marrëdhënie seksuale jashtë martese), por edhe nga gjëra të tilla si «ndyrësia» (një term i përgjithshëm që i referohet çdo lloj papastërtie morale) dhe ‘uria seksuale’ (që nuk u referohet ndjenjave të natyrshme romantike që mund të plotësohen në martesë, por një pasioni që ka të ngjarë të çojë në sjellje të papërshtatshme).

Pyet veten:

  • Pse është një formë ‘ndyrësie’ sexting me foto nudo?

  • Si e ushqen «urinë [e papërshtatshme] seksuale»?

  • Pse është «e dëmshme» dëshira për të parë e për të përhapur foto nudo?

Fragmentet e mëposhtme biblike nxjerrin në pah një arsye edhe më të fortë për ta hedhur poshtë sexting.

  • «Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë.»​—2 Timoteut 2:15.

  •  «Tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor.»​—2 Pjetrit 3:11.

Këto vargje tregojnë rezultatet pozitive që vijnë kur jemi të pastër moralisht. Kur mban një sjellje të shkëlqyer, s’ke pse të frikësohesh se mos më vonë ndoshta bëhesh pishman për veprimet e tua.​—Galatasve 6:7.

Pyet veten:

  •  Ç’lloj personi jam?

  •  A kam merak për reputacionin e të tjerëve?

  •  A dëshiroj të zbavitem me gjëra që i lëndojnë ata?

  •  Si mund të ndikojë sexting në reputacionin tim?

  •  Si mund ta dëmtojë sexting besimin që kanë prindërit tek unë?

HISTORI REALE: «Shoqja ime e mbante të fshehtë lidhjen me një djalë. Pastaj i dërgoi atij një foto ku ishte e zhveshur dhe ai bëri të njëjtën gjë. S’kaluan as 48 orë dhe i ati vendosi të kontrollonte celularin e saj. Kur zbuloi mesazhet u dërrmua emocionalisht. U përball me të dhe ajo pranoi çdo gjë. E di që i vjen keq për sjelljen e saj, por i mërziti dhe i tronditi shumë prindërit. Nuk e dinë nëse mund të kenë përsëri besim tek ajo.»

Fakt: Sexting poshtëron si atë që e dërgon edhe atë që e shikon. «Ndiej shumë neveri dhe zhgënjim nga vetja»,—thotë një adoleshente, i dashuri i së cilës i bënte presion t’i dërgonte mesazhe sexting.

Duke marrë parasysh pasojat morale, etike dhe ndoshta ligjore të sexting, bën mirë të ndjekësh këshillën e Biblës:

 Ç’do të bëje ti?

Zbato këshillat biblike në një situatë reale. Lexo fjalët e Xhanetës dhe pastaj zgjidh cila mundësi është më e mira sipas teje.

«Njëherë takova një djalë me të cilin këmbyem numrat e telefonit. Pa kaluar java, më kërkonte t’i dërgoja një foto timen me bikini.»​—Xhaneta.

Sipas teje, çfarë duhet të kishte bërë Xhaneta? Ç’do të bëje ti?

  • MUNDËSIA A. Ndoshta mendon: «S’ka asgjë të keqe. Në fund të fundit, do të më shikonte me rroba banje po të ishim në plazh.»

  • MUNDËSIA B. Ndoshta mendon: «Pse e kërkon foton time? Si fillim po dërgoj një foto ku jam më e veshur e të shoh çfarë ndodh.»

  • MUNDËSIA C. Ndoshta mendon: «Vetëm te një gjë e paska mendjen ky. Do ta fshij mesazhin e tij.»

Mundësia C duket më e mira, apo jo? Në fakt Bibla thotë: «Njeriu me mend e dallon kur afrohen telashet dhe i shmang, por kush s’e vret mendjen, futet drejt e në to dhe pastaj bëhet pishman.»​—Proverbat 22:3, Good News Translation.

Ky pyetësor nxjerr në pah arsyen kryesore pse disa dërgojnë mesazhe sexting dhe pse bëjnë sjellje të tjera të gabuara: A je përzgjedhës kur bëhet fjalë për miqtë? (Proverbat 13:20) «Shoqërohu me njerëz që e di se nuk do të tolerojnë sjellje të papërshtatshme»,—thotë një e re me emrin Sara. Edhe Delija, një e re, mendon njësoj: «Disa të ashtuquajtur shokë përpiqen të të nxitin t’i hedhësh poshtë normat e tua morale e jo t’i mbash ato. Nëse sjellja e tyre bie në kundërshtim me ligjet e Perëndisë, po të nxitin t’i hedhësh poshtë normat e tua. A e do vërtet këtë?»