Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Çfarë duhet të di për postimin e fotove online?

Çfarë duhet të di për postimin e fotove online?

Po bën ca pushime fantastike dhe mezi pret t’u tregosh miqve të tu! Por, si? A do të . . .

  1. dërgosh një kartolinë?

  2. shkruash një email për të gjithë miqtë?

  3. postosh foto online?

Kur gjyshërit e tu ishin në moshën tënde, ndoshta e vetmja mundësi ka qenë alternativa «A».

Kur prindërit ishin në moshën tënde, ndoshta një mundësi ka qenë alternativa «B».

Sot shumë të rinj, të cilëve u lejohet të postojnë foto online, zgjedhin alternativën «C». A të pëlqen edhe ty kjo? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë të shmangësh disa gracka.

 Cilat janë dobitë?

Shkon në çast. «Kur bëj ndonjë udhëtim fantastik ose kur ia kaloj bukur me miqtë, mund të postoj foto ndërkohë që jam ende entuziaste.»​—Melania.

Është praktike. «Është shumë më kollaj të shohësh fotot e reja që kanë postuar miqtë se të përdorësh email-in për të marrë vesh si po ia kalojnë.»​—Xhordani.

Të ndihmon të mbash lidhjet. «Disa nga miqtë dhe familjarët jetojnë goxha larg. Nëse postojnë shpesh foto dhe unë i shikoj shpesh, më duket sikur i takoj përditë!»​—Kerëni.

 Cilat janë rreziqet?

Mund të të rrezikohet siguria. Nëse kamera jote ka si opsion që të bashkëngjitë vendndodhjen me fotot, atëherë fotot e tua mund të zbulojnë më shumë nga ç’kishe ndër mend. Siti Digital Trends raporton: «Postimi i fotove dhe i materialeve të tjera në Internet që kanë të bashkëngjitur vendndodhjen e saktë, i jep mundësi çdokujt që ka një program gjurmues dhe qëllime të gabuara të zbulojë se ku ndodhet dikush.»

Pa diskutim që disa kriminelë më shumë janë të interesuar kur nuk je në shtëpi. Në një rast të raportuar nga Digital Trends, tre hajdutë vodhën 18 shtëpi ku s’kishte asnjeri. Por, si e dinin që s’do të kishte njeri? Hynë në Internet, gjurmuan lëvizjet e banorëve​—një teknikë që quhet cybercasing​—dhe vodhën sende me vlerë mbi 100.000 dollarë.

Mund të gjendesh përballë përmbajtjeve të papërshtatshme. Disa njerëz s’kanë turp fare të postojnë çfarëdolloj gjëje që ta shohë një botë e tërë. Një adoleshente me emrin Sara thotë: «Kur endesh nëpër llogaritë e njerëzve që nuk i njeh, atëherë lindin probleme. Është njësoj sikur të ecësh në një qytet të panjohur pa një hartë. Është thuajse e sigurt që do të përfundosh në vende që s’do të doje të shkoje.»

Të fluturon koha pa e kuptuar. Një e re me emrin Jolanda thotë: «Koha fluturon kollaj kur sheh postimet më të fundit dhe lexon të gjitha komentet. Mund të arrish deri në atë pikë sa çdo sekondë të lirë nxjerr telefonin për të parë postimet e reja.»

Të duhet vetëkontroll nëse ke një llogari ku poston foto

Një adoleshente me emrin Samanta është dakord me këtë. Ajo thotë: «Më duhet t’i vë kufij kohës që kaloj në këto site. Të duhet vërtet vetëkontroll nëse do të hapësh një llogari ku poston foto.»

 Ç’mund të bësh

  • Ji i vendosur të shmangësh përmbajtjet e papërshtatshme. Bibla thotë: «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.»​—Psalmi 101:3.

    «I kontrolloj rregullisht postimet e atyre që ndjek dhe, nëse kanë përmbajtje të papërshtatshme, nuk i ndjek më.»​—Stiveni.

  • Shmang lidhjet me njerëz që nuk kanë të njëjtat vlera si ti, pasi mund të të minojnë mbrojtjen morale. Bibla thotë: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»​—1 Korintasve 15:33.

    «Mos shih foto në media sociale vetëm sepse i pëlqejnë të gjithë. Shpesh përmbajnë fjalë të pista, lakuriqësi dhe materiale të tjera të papërshtatshme.»​—Xhesika.

  • Vendos kufij në lidhje me kohën që do të kalosh duke parë foto dhe sa shpesh do t’i postosh ato. Bibla thotë: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.»​—Efesianëve 5:​15, 16.

    «S’i ndjek më njerëzit që postojnë tepër. Për shembull, dikush shkon në plazh dhe poston 20 foto të së njëjtës guaskë. Seriozisht e ke?! Duhet goxha kohë të shohësh gjithë ato foto.»​—Rebeka.

  • Përpiqu që postimet e tua të mos lënë përshtypjen se gjithçka rrotullohet rreth teje. Një shkrimtar i Biblës, Pavli, shkroi: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë.» (Romakëve 12:3) Mos pretendo që miqtë të lënë kokën pas fotove ku ke dalë ti dhe pas gjërave që bën.

    «Disa njerëz postojnë ‘selfie’ pa fund. Nëse jemi miq, e di ç’pamje ke, s’kam nevojë të ma kujtosh vazhdimisht!​—Elisona.