Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Ç’të bëj nëse nuk përshtatem dot me të tjerët?

Ç’të bëj nëse nuk përshtatem dot me të tjerët?

Ja ç’mund të bësh

Së pari, përcakto llojin e personave me të cilët e ke shumë të vështirë të përshtatesh.

Mosha:

Nuk përshtatem me . . .

  • moshatarët

  • të rinjtë më të rritur

  • të rriturit

Dhuntitë:

Nuk përshtatem me persona që janë . . .

  • sportivë

  • të talentuar

  • intelektualë

Personaliteti:

Nuk përshtatem me persona që . . .

  • janë të sigurt te vetja

  • kanë popullaritet

  • rrinë me grupin e vet

Së dyti, zgjidh pohimin që përshkruan si do të reagoje natyrshëm po të ishe në shoqërinë e njerëzve që identifikove më sipër.

  • Hiqem sikur kam të njëjtat interesa ose aftësi.

  • I shpërfill interesat e tyre dhe flas për të miat.

  • Rri gojëkyçur dhe, sapo të më jepet rasti, iki.

Së treti, merr iniciativën! S’mund të presësh gjithnjë që të vijnë të tjerët te ti; ndonjëherë duhet të shkosh ti tek ata. (Filipianëve 2:4) Si ta bësh këtë?

Mos u kufizo te moshatarët. Mendo pak: pse u dashka ta kufizosh veten te një grup-moshë e pastaj të qahesh se nuk gjen dot shokë? Do të ishte si të vdisje urie në një ishull të shkretë ndërsa afër teje deti është plot e përplot me peshq.

«Mamaja më nxiste të bisedoja me ata që ishin më të mëdhenj se unë. Më thoshte se do të çuditesha kur të zbuloja sa shumë gjëra të përbashkëta kisha me ta. Kishte të drejtë. Tani kam plot miq!»—Helena, 20 vjeçe.

Mëso të bashkëbisedosh. Sekreti është (1) të dëgjosh, (2) të bësh pyetje dhe (3) të tregosh interes të sinqertë.—Jakovi 1:19.

«Mundohem të mos jem llafazane, por dëgjuese e mirë. Pastaj, kur flas, përpiqem të mos e vërtit bisedën rreth vetes ose të mos i nxjerr të tjerët si më të këqij.»—Serena, 18 vjeçe.

«Nëse dikush ka qejf të flasë për diçka që s’ia kam haberin, i kërkoj të më shpjegojë ndonjë gjë. Kështu shpresoj që biseda të zgjasë ca më tepër.»—Xharedi, 21 vjeç.

«Jam tip i ndrojtur, prandaj duhet ta detyroj veten që të bisedoj me njerëzit. Mirëpo, nëse dëshiron të zësh miq, duhet të jesh miqësor, kështu që kam filluar të hyj në bisedë me të tjerët.»—Lea, 16 vjeçe.