Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A ka rëndësi çfarë muzike zgjedh?

A ka rëndësi çfarë muzike zgjedh?

«Kur bëhem gati në mëngjes, vë muzikë. Kur hipi në makinë, vë muzikë. Kur jam në shtëpi duke u çlodhur, duke pastruar ose duke lexuar​—kam muzikë në sfond. Dëgjoj muzikë gjatë gjithë kohës.»​—Karla.

A je edhe ti kaq entuziast për muzikën si Karla? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë të shijosh dobitë që sjell muzika, të shmangësh grackat e saj dhe ta zgjedhësh me mençuri.

 Dobitë

Muzika mund të krahasohet me ushqimin. Në të dyja rastet, lloji i duhur në sasinë e duhur të bën mirë. Mendo pak:

  • Muzika mund të të ngrejë humorin.

    «Nëse kaloj një ditë të keqe, vë muzikën e preferuar dhe, pothuajse menjëherë ndihem më mirë.»​—Marku.

  • Muzika mund të të kthejë pas në kohë.

    «Shpesh, një këngë e caktuar më sjell në mendje një kujtim të çmuar, kështu kënaqem sa herë e dëgjoj.»​—Sheila.

  • Muzika mund të krijojë një lidhje të fortë uniteti.

    «Isha në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait, dhe m’u mbushën sytë me lot kur të gjithë vizitorët kënduan këngën e fundit. Flisnim gjuhë të ndryshme, por muzika na bashkoi.»​—Tami.

  • Muzika mund të të ndihmojë të zhvillosh cilësi të çmuara.

    «Ndërsa mëson t’i biesh një instrumenti muzikor, mund të zhvillosh durim dhe disiplinë. Nuk ia merr dot dorën menjëherë. Mënyra më e mirë për t’u përmirësuar është me anë të praktikës.»​—Ana.

A e dije? Libri më i gjatë i Biblës, Psalmet, përbëhet nga 150 këngë.

Ji po aq përzgjedhës me muzikën sa je me ushqimin

 Grackat

Ashtu si ushqimi i prishur, disa këngë mund të jenë helmuese. Ja pse:

  • Shumë tekste këngësh flasin hapur për seksin.

    «Duket sikur të gjitha këngët hit flasin vetëm për seksin. Tani as nuk përpiqen më ta fshehin.»​—Hana.

    Bibla thotë: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.» (Efesianëve 5:3) Pyet veten: «A më pengon muzika që dëgjoj ta zbatoj këtë këshillë?»

  • Disa këngë mund të të zhytin në trishtim.

    «Ndonjëherë rri zgjuar natën duke dëgjuar muzikë që më bën të mendoj për gjëra që më dëshpërojnë dhe më mërzitin. Muzika e trishtë më sjell në mendje mendime të zymta.»​—Tami.

    Bibla thotë: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën.» (Proverbat 4:​23) Pyet veten: «A më zhyt në mendime negative muzika që dëgjoj?»

  • Disa këngë mund të të shtyjnë të zemërohesh.

    «Këngët plot zemërim, plot urrejtje ndaj vetes dhe të tjerëve janë rrezik tinëzar për mua. Vija re që humori më ndryshonte shumë pasi dëgjoja këtë lloj muzike. Edhe familja ime e vinte re.»​—Xhoni.

    Bibla thotë: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë.» (Kolosianëve 3:8) Pyet veten: «A më bën agresiv, e madje të pandjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve muzika që dëgjoj?»

Përfundimi: ji përzgjedhës. Këtë përpiqet të bëjë një adoleshente që quhet Xhuli: «Herë pas here i hedh një sy listës së këngëve dhe fshij çdo gjë që kuptoj se është e papërshtatshme. Nuk është gjithnjë e lehtë, por e di se është gjëja e duhur.»

Një vajzë me emrin Tara, po mëson të jetë përzgjedhëse. Ajo thotë: «Ndonjëherë dëgjoj në radio një këngë me ritëm fantastik, por pastaj dëgjoj tekstin dhe kuptoj se duhet të ndërroj stacion. Është sikur ta largoj veten nga një tortë e shijshme pasi kam ngrënë vetëm një kafshatë. Por, nëse kam forcë të refuzoj një këngë që flet për seksin, sigurisht do të kem forcë të refuzoj edhe seksin para martese. Nuk dua ta nënvlerësoj ndikimin që mund të ketë muzika tek unë.»