Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Si ta mbaj nën kontroll zemërimin?

Si ta mbaj nën kontroll zemërimin?

 Pyetësor

  • Sa shpesh zemërohesh?

    • Thuajse kurrë

    • Ndonjëherë

    • Çdo ditë

  • Si është zemërimi yt?

    • I vakët

    • I nxehtë

    • Përvëlues

  • Me kë ka më shumë gjasa të zemërohesh?

    • Me prindin

    • Me vëllanë ose motrën

    • Me një shok ose shoqe

Nëse mendon se ke nevojë ta mbash nën kontroll zemërimin, ky artikull është për ty. Së pari, shqyrto disa arsye pse është e rëndësishme të ruajmë qetësinë kur na provokojnë.

 Pse ka rëndësi

Për mirëqenien tënde. Te Proverbat 14:30 thuhet: «Zemra e qetë është jetë për trupin.» Nga ana tjetër, Journal of Medicine and Life thotë se «zemërimi mund të ndikojë drejtpërdrejt te sëmundjet kardiovaskulare».

Për shokët e tu. Bibla pohon: «Mos ki shoqëri me njeriun zemërak, dhe mos u përziej me njeriun që ka shpërthime zemërimi.» (Proverbat 22:24) Prandaj, nëse zemërohesh kollaj, mos u habit nëse të tjerët të shmangin. «Nëse nuk mëson të kesh vetëkontroll, do të humbasësh miqësi të vyera»,​—thotë një e re me emrin Jasmina.

Për reputacionin tënd. Etani 17-vjeçar thotë: «Nëse të ikën truri kollaj, të tjerët do ta vërejnë dhe kjo do të ndikojë në opinionin që kanë për ty.» Pyet veten: «Si dua të më njohin​—si paqebërës e gjakftohtë apo si një bombë me sahat?» Bibla thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është plot aftësi dalluese, por kush është i paduruar, lartëson marrëzinë.»​—Proverbat 14:29.

Askush nuk dëshiron të jetë pranë dikujt që ka temperament shpërthyes

 Çfarë mund të bësh

Shqyrto shkrimet vijuese bashkë me komentet dhe bëji vetes pyetjet shoqëruese.

  • Proverbat 29:22: «Njeriu zemërak ndez grindje, dhe kush nxehet kollaj, bën shumë shkelje.»

    «Në fillim të adoleshencës e kisha tepër të vështirë të ruaja vetëkontrollin. Edhe të afërmit nga ana e babit e kanë këtë problem. Themi se e kemi në gen. Marrim flakë kollaj!»​—Keri.

    A kam prirje të zemërohem? Nëse për cilësitë e mira ia jap meritën vetes, a është e arsyeshme t’ua hedh fajin geneve për këtë cilësi të keqe?

  • Proverbat 15:1: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.»

    «Çelësi është të mësosh të kontrollosh ndjenjat. Nëse zhvillon një personalitet të butë dhe përqendrohesh në gjëra pozitive, nuk do ta kesh problem të tregosh vetëkontroll.»​—Darili.

    Pse kur provokohem, reagimi i parë është vendimtar?

  • Proverbat 26:20: «Ku s’ka dru, zjarri shuhet.»

    «Zakonisht, kur reagoj me mirësjellje, personit tjetër i ulen nervat dhe mund të komunikojmë duke i mbajtur ndjenjat nën fre.»​—Jasmina.

    Si mund t’i hedhin benzinë zjarrit fjalët ose veprimet e mia?

  • Proverbat 22:3: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»

    «Nganjëherë thjesht kam nevojë të largohem e t’i lë pak kohë vetes që të mendoj për atë që ndodhi. Pastaj, mund ta përballoj situatën kur të jem i qetë.»​—Geri.

    Kur është momenti më i mirë të largohesh nga një situatë e tensionuar pa lënë përshtypjen se po i kthen shpinën personit tjetër?

  • Jakovi 3:2: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.»

    «Duhet të na vijë keq për gabimet, por edhe duhet të nxjerrim mësim prej tyre. Kur rrëzohemi, duhet të ngrihemi menjëherë dhe të jemi të vendosur të veprojmë më mirë herën tjetër.»​—Keri.

Këshillë: Vër një synim. Ji i vendosur ta ruash gjakftohtësinë për një kohë të caktuar​—mbase një muaj. Mbaj një ditar dhe shih sa ke përparuar.