Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Si të fle më shumë?

Si të fle më shumë?

Nëse rrezikon të ngelesh në matematikë, mbase mendon se duhet të studiosh më shumë. Nëse nuk arrin të japësh maksimumin në ndonjë sport, mbase mendon se duhet të praktikohesh më tepër. Por, në të dyja rastet, mbase ajo që të duhet, është të flesh më shumë. Le të shqyrtojmë pse.

 Pse është i nevojshëm gjumi?

Sipas ekspertëve, shumica e adoleshentëve kanë nevojë për 8-10 orë gjumë. Pse është e nevojshme të ngopesh me gjumë?

  • Gjumi shkathtëson mendjen. Ai është quajtur «ushqim për trurin». Të ndihmon të arrish rezultate më të mira në shkollë, në sporte dhe në aftësinë për të zgjidhur problemet.

  • Gjumi përmirëson sjelljen dhe humorin. Njerëzit që nuk flenë mjaftueshëm ka më shumë të ngjarë të kenë luhatje humori, të ndihen të trishtuar ose të dëshpëruar dhe të kenë probleme në marrëdhëniet me të tjerët.

  • Gjumi ndihmon në shmangien e aksidenteve. Një studim i kryer në Shtetet e Bashkuara zbuloi se numri i shoferëve 16-24 vjeçarë, «që në momentin e përplasjes ishin të përgjumur, dilte gati dyfish» në krahasim me shoferët 40-59 vjeçarë.

  • Gjumi ndikon për mirë te shëndeti. Ai e ndihmon trupin të ruajë dhe të rigjenerojë qelizat, indet dhe enët e gjakut. Gjithashtu, gjumi cilësor ul rrezikun e obezitetit, diabetit dhe të ishemisë.

Sikurse një celular ka nevojë për karikim që të punojë, edhe ti ke nevojë të flesh mjaftueshëm që të japësh maksimumin

 Pse nuk arrin të flesh sa duhet?

Siç u përmend, gjumi është shumë i dobishëm, e megjithatë mjaft adoleshentë nuk flenë sa duhet. Për shembull, Eleina 16-vjeçare shprehet:

«Mësuesja pyeti klasën në ç’orë flinin. Shumica thanë në 2 të natës. Disa në 5 dhe vetëm një tha se flinte në orën 21.30.»

Cilat gjëra të pengojnë të flesh sa duhet?

Qëndrimi me shoqërinë. «Është kollaj të rri deri natën vonë e të humb kohë, sidomos kur dal në darkë me shoqërinë.»—Pamela.

Përgjegjësitë. «Dua të fle, por s’arrij të ngopem me gjumë ngaqë kam program të ngjeshur.»—Ana.

Teknologjia. «Telefoni është ndër arsyet kryesore pse neglizhoj gjumin. S’rri dot pa e kontrolluar kur jam në krevat.»—Anisa.

 Si të flesh më shumë?

  • Pyet veten sa rëndësi ka gjumi për ty. Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Gjumi nuk është luks, është domosdoshmëri. Pa të, cilësia e punës dhe e zbavitjes bie.

  • Dallo cili është shkaku kryesor pse nuk fle mjaftueshëm. Për shembull, mos qëndron deri vonë me shoqërinë? Apo ndoshta je super i ngarkuar me detyrat e shkollës e punët e shtëpisë? Mos të mban zgjuar telefoni ose të zgjon nga gjumi?

Për të menduar: Të kapërcesh pengesën kryesore që ke për gjumin do përpjekje, ama ia vlen. Te Proverbat 21:5 thuhet: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»

S’diskutohet, ajo që funksionon për njërin, nuk i bën punë një tjetri. Për shembull, disa thonë që një dremitje e lehtë gjatë ditës i ndihmon të flenë rehat natën, ndërsa të tjerë jo. Zbulo çfarë funksionon në rastin tënd. Sugjerimet e mëposhtme mund të të ndihmojnë:

  • Lër kohë për t’u relaksuar. Nëse relaksohesh para se të shkosh për të fjetur, ka të ngjarë të të zërë gjumi më shpejt.

    «Është mirë t’i mbarosh punët e shtëpisë dhe përgjegjësitë e tjera përpara, që të mos e vrasësh mendjen për to kur është koha për të fjetur.»—Maria.

  • Ji i organizuar. Në vend që të të kontrollojnë rrethanat, organizoje programin që të flesh mjaftueshëm.

    «Kam nevojë për të paktën 8 orë gjumë. Prandaj, nëse më duhet të zgjohem më herët se zakonisht, bëj llogaritë që të kuptoj orën kur duhet të fle.»—Vinsenti.

  • Përpiqu të flesh në të njëjtin orar. Ora jote biologjike do të funksionojë mirë, nëse e mëson veten me orare. Ekspertët sugjerojnë të shtrihesh e të ngrihesh çdo ditë në të njëjtën orë. Provoje këtë për një muaj dhe shih sa mirë do të ndihesh.

    «Kur fle çdo natë në të njëjtën orë, të nesërmen mendja është e çlodhur. Kjo të ndihmon të jesh më produktiv në çdo aktivitet.»—Xharedi.

  • Mbaji në vendin e duhur aktivitetet shoqërore. Bibla na nxit të jemi ‘të përkorë në zakone’, pra të bëjmë çdo gjë me masë, dhe kjo përfshin aktivitetet e kohës së lirë.—1 Timoteut 3:2, 11.

    «Kam mësuar t’i kufizoj aktivitetet shoqërore që bëj në mbrëmje. Po nuk e limitova kohën e zbavitjes, diçka do ta pësojë, dhe zakonisht e pëson gjumi.»—Rebeka.

  • Vëre edhe telefonin në «gjumë». Të paktën një orë para se të flesh, rezistoji tundimit për të lundruar në Internet ose për t’u dërguar mesazhe shokëve. Në fakt, disa ekspertë vërtetojnë se bëhet më e vështirë të të zërë gjumi për shkak të dritës së telefonit, televizorit ose tabletës.

    «Disa presin që të jesh në dispozicion 24/​7. Por, që të çlodhesh plotësisht, ke nevojë ta vësh telefonin mënjanë.»—Xhulisa.