Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Krijim apo evolucion?—Pjesa 4: Si t’i shpjegoj bindjet e mia për krijimin?

Krijim apo evolucion?—Pjesa 4: Si t’i shpjegoj bindjet e mia për krijimin?

Edhe pse beson te krijimi, ngurron ta thuash hapur në shkollë. Ndoshta librat shkollorë e përkrahin evolucionin dhe ke merak se mos mësuesit dhe shokët e klasës të vënë në lojë. Si të flasësh plot siguri e të shpjegosh bindjet e tua për krijimin?

 Mund t’ia dalësh!

Ti mund të mendosh: «S’jam aq i zgjuar sa të flas për shkencën e të debatoj për evolucionin.» Kështu ndihej më parë Daniela, e cila thotë: «E urreja idenë që të kundërshtoja mësuesin dhe shokët e klasës.» Po kështu shprehet edhe Diana: «E humbja fillin kur përdornin terma shkencorë gjatë diskutimeve.»

Megjithatë, synimi yt nuk është të fitosh debate. Dhe e mira është se s’ke pse të jesh gjeni në shkencë për të shpjeguar pse ti mendon se krijimi është një shpjegim i logjikshëm për ekzistencën e botës.

Këshillë: Përdor logjikën e thjeshtë të Biblës te Hebrenjve 3:4: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.»

Një e re me emrin Kerola arsyeton mbi parimin e Hebrenjve 3:4 në këtë mënyrë: «Imagjino sikur po ecën mes një pylli të dendur. Je kilometra të tërë larg çdo shenje jete njerëzore. Pastaj ul kokën dhe të zënë sytë një kruajtëse dhëmbësh përtokë. Çfarë do të mendoje? Shumica do të thoshin: ‘Dikush ka qenë këtu.’ Nëse një gjë kaq e vogël dhe e parëndësishme si një kruajtëse dhëmbësh shërben si provë e ekzistencës së qenieve inteligjente, ç’mund të thuhet për universin e gjithçka në të?!»

Nëse dikush thotë: «Në qoftë se krijimi është i vërtetë, atëherë kush e bëri Krijuesin?»

Ti mund të përgjigjesh: «Vetëm ngaqë nuk kuptojmë çdo gjë për Krijuesin nuk do të thotë se ai nuk ekziston. Për shembull, edhe pse mund të mos e dish historinë e jetës së personit që projektoi celularin tënd, prapëseprapë beson se dikush e ka projektuar, apo jo? [Prit përgjigje.] Mund të mësojmë shumë për Krijuesin. Nëse ke dëshirë, me kënaqësi do të të tregoja çfarë kam mësuar unë për të.»

 Ji gati

Bibla thotë se duhet të jesh «gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:​15) Prandaj, kushtoju vëmendje dy faktorëve: çfarë thua dhe si e thua.

  1. Çfarë thua. Dashuria jote për Perëndinë është e rëndësishme e të shtyn të flasësh pa frikë. Por nuk mjafton thjesht t’u tregosh të tjerëve sa e do Perëndinë për t’i bindur që ai krijoi çdo gjë. Mund të jetë më mirë të përdorësh shembuj nga natyra për të treguar pse është e logjikshme të besosh te krijimi.

  2. Si e thua. Fol me bindje, por mos u trego i pasjellshëm ose fodull. Ka shumë mundësi që të tjerët ta marrin parasysh pikëpamjen tënde nëse respekton bindjet dhe të drejtën e tyre për të arritur vetë në përfundime.

    «Mendoj se është e rëndësishme që as të mos i ofendosh të tjerët, as të dukesh sikur di çdo gjë. Kur flet me fodullëk arrin të kundërtën e asaj që synon.»​—Ilejna.

 Mjete që të ndihmojnë të shpjegosh bindjet e tua

Të jesh i përgatitur për të mbrojtur bindjet e tua është si të jesh i përgatitur për ndryshimet e motit

«Nëse jemi të papërgatitur,​—thotë një adoleshente me emrin Alisa,—​thjesht do të preferojmë të heshtim që të mos turpërohemi.» Siç tregon Alisa, nëse do që t’ia dalësh, përgatitja është e domosdoshme. Xhena tregon: «Ndihem shumë më e qetë kur flas për krijimin duke pasur një shembull të thjeshtë, por të menduar mirë, për të mbështetur bindjen time.»

Ku mund të gjesh shembuj të tillë? Shumë të rinj kanë pasur rezultate të mira duke përdorur këto materiale:

Gjithashtu, mund të të ndihmojnë edhe artikujt e mëparshëm të kësaj rubrike me titull «Krijim apo evolucion?»

  1. Pjesa 1: Pse të besoj se Perëndia ekziston?

  2. Pjesa 2: Pse nuk duhet t’i besoj verbërisht evolucionit?

  3. Pjesa 3: Pse të besoj te krijimi?

Këshillë: Përdor ato shembuj që të bindin ty. Kështu do ta kesh më të lehtë t’i kujtosh, si dhe do të flasësh më me bindje për ta. Përpiqu të praktikohesh si t’ua shpjegosh bindjet e tua të tjerëve.