Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A jam e fiksuar pas pamjes?

A jam e fiksuar pas pamjes?

 Pyetësor: A jam e fiksuar?

  1. Cili pohim i përshkruan më mirë ndjenjat e tua?

    • Nuk jam asnjëherë e kënaqur me pamjen.

    • Ndonjëherë jam e kënaqur me pamjen.

    • Jam gjithmonë e kënaqur me pamjen.

  2. Çfarë do të doje të ndryshoje më tepër te trupi?

    • Gjatësinë

    • Peshën

    • Format

    • Flokët

    • Llojin e lëkurës

    • Masën e muskujve

    • Tjetër

  3. Plotëso fjalinë e mëposhtme.

    Ndihem më e pasigurt për trupin . . .

    • kur peshohem.

    • kur shihem në pasqyrë.

    • kur krahasohem me të tjerët (shoqet, modelet dhe yjet e filmave).

  4. Plotëso fjalinë e mëposhtme.

    Peshohem . . .

    • përditë.

    • çdo javë.

    • më pak se një herë në javë.

  5. Cili pohim i përshkruan më mirë ndjenjat e tua?

    • Nuk më pëlqen trupi. (Shembull: «Sa herë jam para pasqyrës, shoh veçse një përbindësh të shëndoshë. Kam kohë që nuk ha, si e si të bie në peshë.»​—Serena.)

    • Ndihem mirë me trupin që kam. (Shembull: «Gjithmonë do të ketë gjëra që nuk na pëlqejnë te pamja, por ca gjëra thjesht nuk i ndryshojmë dot. Është budallallëk të shqetësohesh për diçka që s’e ke në dorë.»​—Natalia.)

Bibla na thotë të mos mendojmë për veten më shumë ‘nga sa duhet të mendojmë’. (Romakëve 12:3) Pra është me vend, madje duhet, të mendosh për veten deri në njëfarë mase. Ja pse, për shembull, i lan dhëmbët dhe kujdesesh për higjienën.

Po nëse vazhdimisht nuk ndihesh mirë me trupin​—ndoshta aq sa je bërë e fiksuar? Nëse është kështu, ndoshta pyet veten . . .

 Pse nuk më pëlqen trupi?

Disa nga arsyet mund të jenë:

  • Ndikimi i medias: «Ne të rinjtë na bombardojnë me imazhe që na bëjnë të ndihemi sikur duhet të jemi gjithë kohën super të holla dhe të mahnitshme. Kështu që, nëse nuk jemi të përsosura, na shpifet vetja!»​—Keli.

  • Ndikimi i prindërve. «Kam parë se, nëse mamaja është e fiksuar pas trupit, edhe vajza shpesh është njësoj. E njëjta gjë ndodh edhe me baballarët e djemtë.»​—Rita.

  • Vlerësimi i paktë për veten. «Ata që janë të fiksuar pas trupit kërkojnë vazhdimisht komplimentet e të tjerëve për pamjen. Është sfilitëse të jesh gjithë kohën me këta njerëz!»​—Zhana.

Pavarësisht nga arsyeja, mund të pyesësh . . .

 A duhet ta ndryshoj pamjen?

Ja ç’thonë moshatarët e tu.

«Nuk i ndryshon dot gjithnjë gjërat që nuk të pëlqejnë te vetja, prandaj më mirë t’i pranosh. Nëse bën kështu, të tjerët zor se do i vënë re.»​—Rori.

«Bëj aq sa ke në dorë për të qenë e shëndetshme. Nëse je e shëndetshme do të dukesh mirë. Dhe, nëse dikush të pranon për pamjen që ke (dhe jo për njeriun që je), ai s’është miku yt.»​—Olivia.

Përfundimi: Bëj gjithë sa mundesh që të dukesh sa më mirë. Për të tjerat mos e vrit mendjen. Shqetësimi i tepruar për pamjen mund të jetë i rrezikshëm. (Shih « Përvoja e Xhulias».)

Nga ana tjetër, një qëndrim i ekuilibruar do të të ndihmojë ta shohësh veten me realizëm, siç e mësoi edhe një e re që quhet Erina. Ajo thotë: «S’do mend që kam pasiguri, por, kam parë se, ndihem keq kur përqendrohem te gjërat e gabuara. Tani thjesht bëj fizkulturë rregullisht dhe ha si duhet. Të tjerat rregullohen vetë.»

 Ndryshimi më i mirë që mund të bësh!

Kur ke pikëpamje të ekuilibruar për trupin, do të ndihesh (e madje do të dukesh) në formë. Bibla të ndihmon. Ajo të nxit që:

  • Të jesh i kënaqur. «Më mirë ajo që sheh syri, se ajo që dëshiron shpirti. Edhe kjo është kotësi dhe një rropatje pas erës.»​—Eklisiastiu 6:9.

  • Të kesh pikëpamje të ekuilibruar për fizkulturën. «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë.»​—1 Timoteut 4:8.

  • Të jesh i bukur brenda. «Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.»​—1 Samuelit 16:7.

«Fytyra e tregon si ndihemi me veten. Nëse dikush është i kënaqur, të tjerët e shohin këtë dhe automatikisht tërhiqen drejt tij.»​—Sara.

«Bukuria fizike bie menjëherë në sy. Por, ajo që do t’u ngelet në mendje njerëzve për ty është si je nga brenda dhe cilësitë e mira që ke.»​—Filisia.

Shih edhe Proverbat 11:22; Kolosianëve 3:10, 12; 1 Pjetrit 3:3, 4.