Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A jam gati të lidhem me dikë?

A jam gati të lidhem me dikë?

 Ç’do të thotë të lidhesh?

  • Del rregullisht me të njëjtin individ të seksit tjetër. A do të thotë kjo se jeni lidhur?

  • Të tërheq një individ i seksit tjetër dhe anasjelltas. I telefonon ose i dërgon SMS disa herë në ditë. A do të thotë kjo se jeni lidhur?

  • Sa herë mblidheni me shoqërinë, e gjen veten gjithnjë me të njëjtin individ të seksit tjetër. A do të thotë kjo se jeni lidhur?

Ndoshta nuk e pate problem t’i përgjigjeshe pyetjes së parë, por mbase ngurrove pak te pyetja e dytë dhe e tretë. Çfarë do të thotë tamam të lidhesh me dikë?

Faktikisht do të thotë të shoqërohesh me dikë për të cilin ti ndien dhe ajo ndien për ty.

Pra, përgjigjja për tri pyetjet është po. Në telefon a sy për sy, hapur ose fshehurazi, nëse ti dhe shoqja jote kuptoni se ndieni diçka për njëri-tjetrin dhe komunikoni rregullisht, kjo do të thotë se keni një lidhje.

 Cili është qëllimi i lidhjes?

Kjo duhet bërë me një qëllim të ndershëm, që djali dhe vajza të kuptojnë nëse duan të martohen bashkë.

Vërtet, disa nga moshatarët e tu mund ta shohin shumë përciptas këtë gjë. Ndoshta u pëlqen vetëm të shoqërohen me një djalë a vajzë simpatike, pa pasur ndër mend të martohen. Për ta, i dashuri ose e dashura s’është gjë tjetër veçse një trofe ose një zbukurim për t’u dukur para të tjerëve e për t’i rritur vlerat vetes.

Megjithatë, lidhje të tilla sipërfaqësore shpesh janë jetëshkurtra. «Shumë të rinj që lidhen, s’e zgjasin më shumë se një ose dy javë,—thotë një vajzë me emrin Hedhër.—Për pasojë, ata i shohin lidhjet si kalimtare, dhe kjo, në njëfarë mënyre, i përgatit më shumë për divorcin, sesa për martesën.»

S’do mend që, kur lidhesh me dikë, ke të bësh me ndjenjat e tij. Prandaj, qëllimet e tua duhet të jenë të ndershme.—Luka 6:31.

Nëse lidhesh me dikë pa pasur ndër mend të martohesh, po bën si një fëmijë që loz me një lodër të re dhe pastaj e hedh

Mendo pak: si do të të vinte nëse dikush do të luante me ndjenjat e tua, sikur ti të ishe thjesht një kukull që njëherë e marrin, njëherë e lënë? Atëherë mos bëj njësoj me të tjerët! Bibla thotë se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme».—1 Korintasve 13:4, 5.

Ja si shprehet një vajzë me emrin Çelsi: «Një mendje më thotë se, në fund të fundit, lidhja me dikë duhet të jetë për t’u zbavitur, por s’është edhe aq zbavitëse kur njëri e ka seriozisht, e tjetri jo.»

Këshillë: Nëse ke ndër mend të lidhesh me dikë dhe të martohesh, për t’u përgatitur lexo 2 Pjetrit 1:5-7 dhe zgjidh një cilësi ku duhet të punosh. Gjatë një muaji shih sa ke mësuar për atë cilësi dhe sa ke përmirësuar.

 Në ç’moshë mund të fillojë një lidhje?

  •  Në ç’moshë, sipas teje, është e përshtatshme që një i ri të lidhet me dikë?

  •  Tani, bëja këtë pyetje njërit prind.

Mbase përgjigjja jote ndryshon nga ajo e prindërve. Mbase edhe jo. Ndoshta je nga ata të rinj që me mençuri nuk e kanë hedhur ende këtë hap, derisa të arrijnë moshën kur mendojnë se e njohin veten mjaft mirë.

Këtë vendosi të bënte edhe Daniela, një vajzë 17-vjeçare. Ajo thotë: «Kur kujtoj ç’mendje kisha para dy vjetësh, ato që kërkoja nga një bashkëshort ishin krejt ndryshe nga ato që kërkoj tani. Madje edhe tani nuk i zë besë vetes për të marrë një vendim të tillë. Kur ta ndiej se për disa vjet personaliteti im nuk është luhatur, atëherë do të mendoj të lidhem.»

Ka edhe një arsye tjetër pse bën mirë të mos ngutesh. Bibla flet për «lulen e rinisë». (1 Korintasve 7:36) Në këtë periudhë të jetës impulset seksuale dhe ndjenjat romantike bëhen të forta. Shoqëria e ngushtë me dikë të seksit tjetër, kur s’e ke kaluar ende këtë fazë, mund të t’i ndezë dëshirat flakë dhe të të çojë në rrugë të shtrembër.

Vërtet, për moshatarët e tu kjo s’është ndonjë gjë e madhe, pasi ndoshta shumë prej tyre mezi presin të provojnë ç’është seksi. Por ti s’ke pse—dhe s’duhet—të biesh në këtë kurth. (Romakëve 12:2) Bibla nxit: «Ikni nga kurvëria!» (1 Korintasve 6:18) Nëse pret sa të kalosh lulen e rinisë, mund ‘të mënjanosh të keqen’.—Eklisiastiu 11:10.

 Pse të mos nxitosh që të lidhesh?

Presioni për t’u lidhur me dikë pa qenë ende gati, është sikur të të detyrojnë të japësh provim për një lëndë që sa e ke nisur. S’do mend që kjo s’është e drejtë. Të duhet kohë të studiosh lëndën që të dalësh mirë në provim.

Njësoj është edhe kur lidhesh me dikë.

Ky nuk është një hap i lehtë. Ndaj para se t’ia vësh syrin dikujt, duhet të studiosh një «lëndë» shumë të rëndësishme: si të lidhësh shoqëri.

Më vonë, kur të takosh njeriun e duhur, do të jesh më në gjendje të krijosh një lidhje të qëndrueshme. Në fund të fundit, martesën e bën të suksesshme bashkimi i dy shokëve të mirë.

Të presësh edhe ca, s’do të të kufizojë lirinë. Madje do të të japë më shumë liri që ‘ta gëzosh rininë’. (Eklisiastiu 11:9) Gjithashtu, do të kesh kohë të përgatitesh, duke zhvilluar personalitetin tënd dhe, më e rëndësishmja, duke forcuar miqësinë me Perëndinë.—Vajtimet 3:27.

Ndërkohë, mund të kënaqesh thjesht me shoqërinë e personave të seksit tjetër. Cila është mënyra më e mirë për këtë? Shoqërohu me ta kur je në një grup djemsh e vajzash të mbikëqyrur siç duhet nga më të rriturit. Një vajzë me emrin Tami thotë: «Për mendimin tim kështu kënaqesh më shumë. Është më mirë të kesh shumë shokë.» Edhe Monika është në një mendje. «Shoqëria në grup është ide goxha e mirë,—thotë ajo,—sepse rri me njerëz që kanë personalitete të ndryshme.»

Por, nëse ia vë syrin dikujt kur është ende herët, mund t’ia shtosh dhembjet vetes në të ardhmen. Prandaj mos u nxito. Shfrytëzoje këtë fazë të jetës për të mësuar si të zësh shoqëri dhe t’i mbash. Më vonë, nëse e ndan mendjen të lidhesh me dikë, e di më mirë se kush je dhe çfarë kërkon nga shoku i jetës.