Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A jam gati të jetoj më vete?

A jam gati të jetoj më vete?

Të jetosh më vete, mund të jetë një ide sa emocionuese edhe frikësuese. Por, si ta kuptosh nëse je gati të largohesh nga shtëpia?

 Mendo për arsyet

Mund të ketë plot arsye pse dëshiron të largohesh nga shtëpia, disa jo edhe aq të mençura. Për shembull, një i ri që quhet Mario, pranon: «Doja të jetoja më vete që të shpëtoja nga përgjegjësitë që kisha në shtëpi.»

Por, e vërteta është se, po të largohesh nga shtëpia, ka goxha të ngjarë të kesh më pak liri. Një e re me emrin Anja, thotë: «Po të jetosh më vete, duhet të kujdesesh për shtëpinë tënde, të sigurosh vetë ushqimin dhe t’i paguash faturat nga xhepi yt—dhe nuk do t’i kesh prindërit aty që të të ndihmojnë.»

Përfundimi: duhet të kuptosh pse dëshiron të jetosh më vete, që të dish nëse je gati.

 Llogarit koston

Jezui tha: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» (Luka 14:28) Si mund ‘t’i llogaritësh shpenzimet’ që ka jetesa më vete? Shqyrto veten në aspektet e mëposhtme.

A I PËRDOR ME MENÇURI PARATË?

Bibla thotë: ‘Paraja është mbrojtje.’​—Eklisiastiu 7:12.

  • A e ke të vështirë të kursesh?

  • A shpenzon pa karar?

  • A kërkon shpesh borxh?

Nëse iu përgjigje po njërës nga pyetjet, atëherë ëndrra për të jetuar më vete, mund të të shndërrohet në makth.

«Vëllai im u largua nga shtëpia kur ishte 19 vjeç. Brenda vitit mbeti pa kokërr leku, makinën ia mori banka, nuk i jepnin më kredi dhe po përgjërohej të kthehej në shtëpi.»​—Daniela.

Ç’mund të bësh që tani: pyeti prindërit sa shkojnë shpenzimet normale të një muaji. Çfarë faturash duhet të paguajnë dhe si i llogaritin të ardhurat që t’i paguajnë këto detyrime? Si ia dalin të kursejnë?

Përfundimi: nëse mëson si t’i përdorësh paratë tani që jeton në shtëpi, do të jesh më i përgatitur të përballesh me realitetin e ashpër të jetës për sa u përket parave.

A KE VETËDISIPLINË?

Bibla thotë: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.»​—Galatasve 6:5.

  • A e ke zakon t’i zvarritësh gjërat?

  • A duhet të të kujtojnë prindërit të bësh punët e shtëpisë?

  • A ndodh shpesh që kthehesh në shtëpi më vonë se orari i caktuar?

Nëse iu përgjigje po njërës prej pyetjeve, ka të ngjarë ta kesh edhe më të vështirë të jesh i përgjegjshëm kur të jetosh më vete.

«Kur jeton më vete, ka gjëra që duhet t’i bësh edhe pse s’ta ka qejfi. S’do të të rrijë njeri te koka që të thotë çfarë të bësh, kështu që duhet të jesh vetë i motivuar dhe në gjendje të mbash një rutinë të mirë.»​—Xhesika.

Ç’mund të bësh që tani: për një muaj merr përsipër sa më shumë përgjegjësi të jetë e mundur në shtëpi. Për shembull, pastroje vetë shtëpinë, laj rrobat e tua, bëj pazarin, gatuaj darkën çdo natë, pastaj laj enët. Kështu do të kesh një ide të përgjegjësive të tua kur të jetosh më vete.

Përfundimi: vetëdisiplina është thelbësore nëse do të jetosh i pavarur.

Të largohesh nga shtëpia pa qenë i përgatitur, është sikur të hidhesh nga avioni pa mësuar si përdoret parashuta

A JE I QËNDRUESHËM EMOCIONALISHT?

Bibla thotë: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen.»​—Kolosianëve 3:8.

  • A e ke të vështirë të shkosh mirë me të tjerët?

  • A e ke të vështirë të mbash nën kontroll zemërimin?

  • A kërkon gjithmonë që gjërat të bëhen siç do ti?

Nëse iu përgjigje po njërës prej pyetjeve, ka të ngjarë që jetesa me një shok dhome, ose më vonë me bashkëshortin, të jetë goxha sfiduese.

«Kur nisa të jetoja me shoqet, më dolën në pah pikat e dobëta. Mësova se s’mund të pres nga të tjerët të durojnë nervat e mia kur jam e stresuar. Më duhej të gjeja një mënyrë më të mirë si ta përballoja stresin.»​—Helena.

Ç’mund të bësh që tani: mëso si të shkosh mirë me prindërit dhe me motrat e vëllezërit. Fundja, mënyra si reagon ndaj të metave të atyre me të cilët jeton tani, tregon si do të reagosh ndaj të metave të kujtdo me të cilët do të jetosh më vonë.

Përfundimi: të jetosh më vete, nuk është një mënyrë si të shpëtosh nga përgjegjësitë​—është një aftësi që kërkon përgatitje. Pse të mos flasësh me disa që ia kanë dalë me sukses? Pyeti se, nëse do ta kthenin kokën pas, çfarë do të donin të kishin ditur ose të kishin bërë ndryshe. Ia vlen ta bësh këtë para çdo vendimi të rëndësishëm.