Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A duhet të ndahemi? (Pjesa 1)

A duhet të ndahemi? (Pjesa 1)

Nganjëherë ndarja është gjëja më e mirë. Le të marrim rastin e Xhildës. «Në fillim, më vinte mirë që i dashuri shqetësohej gjithmonë se ku isha, me kë isha e çfarë po bëja,—thotë ajo.—Por puna arriti deri aty sa s’mund të rrija me askënd përveç tij. Ai bëhej xheloz edhe kur rrija me familjen time, sidomos me babin. Kur i vura kapak lidhjes, u ndjeva sikur m’u hoq një barrë e rëndë nga supet.»

Sara pati një problem të ngjashëm me të dashurin, Xhonin. Asaj filloi t’i binte në sy se ai ishte një njeri që s’kënaqej kollaj dhe kishte një të folur të hidhur e të vrazhdë. «Një herë, erdhi tri orë me vonesë,—kujton Sara.—Mamaja i hapi derën, dhe ai as e përshëndeti, por vetëm tha: ‘Hajde, jemi vonë.’ Jo ‘jam vonë’, por ‘jemi vonë’. Së pari duhej të kërkonte ndjesë ose të shpjegonte pse ishte vonuar. Mbi të gjitha, duhej t’i tregonte respekt mamit.»

Sigurisht, një tipar i papëlqyeshëm ose një pakënaqësi e rastit, nuk mjafton për të prishur një lidhje. (Psalmi 130:3) Mirëpo, kur kuptoi se vrazhdësia e Xhonit nuk ishte thjesht një rast, por mënyra si sillej ai me të gjithë, Sara i dha fund lidhjes.

Njësoj si Xhilda dhe Sara, edhe ti mund të vendosësh të mos martohesh me njeriun që je lidhur. Prandaj, mos i shpërfill ndjenjat! Sado e vështirë, mund të jetë më mirë t’i japësh fund lidhjes. Proverbat 22:3 thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.»

Vërtet, ndarja ndoshta s’është e lehtë, por martesa zgjat gjithë jetën. Më mirë një fund me dhembje tani, se një dhembje e pafund!