Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

A është i gabuar homoseksualizmi?

A është i gabuar homoseksualizmi?

«Ndërsa rritesha, një nga gjërat më të vështira me të cilat duhej të luftoja, ishte tërheqja ndaj personave të të njëjtit seks. Mendoja se ishte veçse një fazë kalimtare, por ato ndjenja më torturojnë akoma.»​—Davidi, 23 vjeç.

Davidi është një i krishterë që dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë. Por a mund t’i pëlqejë ndërkohë që e tërheqin ata të të njëjtit seks? Çfarë mendon vërtet Zoti për homoseksualizmin?

 Çfarë thotë Bibla?

Pikëpamjet për homoseksualizmin ndryshojnë sipas kulturës e kohës. Por, të krishterët nuk drejtohen nga opinionet e përhapura dhe nuk lëkunden sa «andej-këtej nga çdo erë mësimi». (Efesianëve 4:​14) Përkundrazi, pikëpamjet e tyre për homoseksualizmin (madje edhe për çdo lloj sjellje tjetër) i bazojnë në parimet që gjenden në Bibël.

Standardi i Biblës për aktet homoseksuale është i qartë. Fjala e Perëndisë thotë:

  • «Mos u shtri me një burrë, njësoj siç shtrihesh me një grua.»​—Levitiku 18:22.

  • «Në përputhje me dëshirat e zemrës së tyre, . . . Perëndia i dorëzoi në uri të turpshme seksuale, sepse edhe femrat e tyre i ndryshuan marrëdhëniet e natyrshme seksuale me marrëdhënie të panatyrshme.»​—Romakëve 1:​24, 26.

  • «Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»​—1 Korintasve 6:​9, 10.

E vërteta është se normat e Perëndisë vlejnë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse kanë dëshira homoseksuale apo heteroseksuale. Në fakt, të gjithë duhet të tregojmë vetëkontroll me dëshirat e forta që na nxitin të përfshihemi në veprime që nuk i pëlqejnë Perëndisë.​—Kolosianëve 3:5.

 A do të thotë kjo se . . . ?

A do të thotë kjo se Bibla nxit urrejtjen ndaj homoseksualëve?

Jo. Bibla nuk nxit urrejtjen ndaj askujt, homoseksualë a heteroseksualë qofshin. Përkundrazi, ajo na nxit ‘të ndjekim paqen me të gjithë’, pavarësisht nga jeta që bëjnë. (Hebrenjve 12:14) Prandaj është e gabuar t’i ngacmojmë homoseksualët, të kryejmë krime të nxitura nga urrejtja ose t’i keqtrajtojmë në ndonjë mënyrë tjetër.

A do të thotë kjo se të krishterët duhet të kundërshtojnë ligjet që lejojnë martesat midis homoseksualëve?

Bibla tregon se standardi i Perëndisë për martesën është ky: bashkimi i një burri dhe i një gruaje. (Mateu 19:​4-6) Megjithatë, diskutimet mbi ligjet njerëzore për martesat midis të njëjtit seks janë çështje politike, jo morale. Bibla u thotë të krishterëve të qëndrojnë asnjanës për sa i përket politikës. (Gjoni 18:36) Ja pse ata as i mbrojnë e as dalin kundër ligjeve të shtetit për martesat brenda të njëjtit seks ose për sjelljen homoseksuale.

 Po nëse . . . ?

Po nëse dikush është i përfshirë në praktika homoseksuale? A mund të ndryshojë?

Po. Në fakt, këtë bënë disa në shekullin e parë. Pasi pohon se ata që përfshihen në praktika homoseksuale nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë, Bibla thotë: «Të tillë ishit disa nga ju.»​—1 Korintasve 6:​11.

A do të thotë kjo se ata që nuk kryen më akte homoseksuale, nuk kishin më asnjë dëshirë t’i ktheheshin jetesës së mëparshme? Jo. Bibla thotë: «Vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet.» (Kolosianëve 3:​10) Ndryshimi është proces i vazhdueshëm.

Po nëse dikush do që të ndjekë standardin e Perëndisë, ama ka akoma dëshira homoseksuale?

Ashtu si me çdo dëshirë, njeriu mund të zgjedhë të mos i ushqejë a të mos veprojë në përputhje me ato dëshira. Si? Bibla thotë: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»​—Galatasve 5:​16.

Siç e sheh, vargu nuk thotë se një njeri nuk do të ketë dëshira mishore. Përkundrazi, kur e bën zakon të studiojë Biblën rregullisht dhe të lutet vazhdimisht, ai ose ajo do të ketë forcën t’u rezistojë këtyre dëshirave.

Davidi, që përmendëm në fillim të artikullit, zbuloi se kjo është më se e vërtetë​—sidomos pasi foli hapur me prindërit e tij të krishterë për luftën që kishte. Ai thotë: «Hoqa një barrë goxha të madhe nga shpatullat dhe ndoshta do t’i kisha shijuar më shumë vitet e adoleshencës po të kisha folur më parë me ta.»

Si përfundim, jemi më të lumtur kur jetojmë në përputhje me standardet e Jehovait. Ata që veprojnë kështu, janë të bindur se këto standarde ‘janë të drejta e ta gëzojnë zemrën’ dhe se, «kur i zbaton, merr shpërblim të madh».​—Psalmi 19:​8, 11.