Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Ç’duhet të di për sportin?

Ç’duhet të di për sportin?

Sporti mund të jetë gjë e mirë për ty, por edhe e keqe. E gjitha varet nga lloji i sportit që luan, si luan dhe sa luan.

 Cilat janë dobitë?

Sporti ndihmon për një shëndet më të mirë. Edhe Bibla thotë se «stërvitja e trupit është e dobishme». (1 Timoteut 4:8) Një djalë i ri me emrin Rajan, thotë: «Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të qenë aktiv. Është shumë më mirë se të rrish brenda e të luash videolojëra.»

Sporti nxit punën në skuadër dhe vetëdisiplinën. Bibla përdor një ilustrim të bazuar në një lloj sporti për të nxjerrë një pikë pozitive. Ajo thotë: «Në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm njëri e merr çmimin.» Pastaj shton: «Çdokush që merr pjesë në një garë, tregon vetëkontroll në çdo gjë.» (1 Korintasve 9:​24, 25) Cila është pika? Duhet vetëkontroll dhe bashkëpunim që t’u përmbahesh rregullave të lojës. Edhe Abigaila është dakord me këtë. Ajo pohon: «Sporti më ka mësuar si të bashkëpunoj dhe të komunikoj me të tjerët.»

Sporti forcon miqësitë. Loja i bashkon njerëzit. Një e re me emrin Xhordana, thotë: «Pothuajse në çdo lojë ka njëfarë konkurrence, por nëse luan thjesht për qejf, sporti është mundësi fantastike për të kaluar kohë me miqtë.»

 Cilat janë grackat?

Lloji i sportit që luan. Bibla thotë: «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.»​—Psalmi 11:5.

Disa sporte duken qartë se janë të dhunshme. Për shembull, një e re me emrin Lorena, vëren: «I gjithë qëllimi i boksit është të rrahësh kundërshtarin. Si të krishterë ne i rrimë larg dhunës, prandaj pse duhet të zbavitemi duke parë të tjerë që rrihen?»

Për të menduar: A ke luajtur ose a ke parë ndonjëherë sporte të dhunshme me justifikimin se ti vetë nuk do të veprosh kurrë ashtu? Nëse po, mos harro se Psalmi 11:5 thotë se Jehovai dënon këdo që «do dhunën», jo vetëm ata që janë të dhunshëm.

Mënyra si luan. Në Bibël shkruhet: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’​—Filipianëve 2:3.

S’ka dyshim se ekziston njëfarë konkurrence në çdo sport ku përfshihen skuadra kundërshtare. Por, nëse synon të fitosh me çdo kusht, vetëm sa do të humbasësh kënaqësinë e lojës. Një adoleshent me emrin Brajan, thotë: «Fryma e konkurrencës të përpin shpejt. Sa më i mirë të jesh në sporte, aq më shumë do të të duhet të punosh me përulësinë.»

Për të menduar: Krisi, një djalë i ri, pranon: «Çdo javë luajmë futboll dhe ka pasur të dëmtuar.» Prandaj pyet veten: «Pse ka më tepër të ngjarë të ndodhin dëmtime? Si t’i zvogëloj rreziqet e dëmtimit?»

Sa kohë i kushton lojës. Bibla nxit: «Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.»​—Filipianëve 1:10.

Është mirë të vendosësh përparësitë; adhurimi i Perëndisë duhet të zërë vendin e parë. Shumica e lojërave zgjatin disa orë, qoftë kur luan, qoftë kur i sheh. Një e re që quhet Daria, thotë: «Grindesha me mamin ngaqë për orë të tëra shihja lojëra në televizor, kur atë kohë mund ta kisha përdorur më mirë.»

T’i kushtosh tepër rëndësi sportit, është si t’i hedhësh shumë kripë ushqimit

Për të menduar: A ua vë veshin prindërve kur të këshillojnë për përparësitë? Trina, një e re, shprehet: «Kur bashkë me vëllezërit shihnim sporte dhe linim pas dore gjërat e rëndësishme, mami na kujtonte se, i shihnim apo nuk i shihnim ne, prapëseprapë lojtarët paguheshin. Pastaj na pyeste: ‘Po ju, kush ju paguan?’ Donte të thoshte se lojtarët tashmë e kishin një punë. Por, nëse ne përtonim të bënim detyrat apo të përmbushnim përgjegjësitë e tjera, nuk do të mbanim dot veten në të ardhmen. Me pak fjalë, mami po na thoshte se sporti nuk duhej të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën tonë.»