Përgjigjja e Biblës

Bibla nuk përshkruan në mënyrë specifike një grup prej ‘shtatë mëkatesh vdekjeprurëse’. Por mëson se mëkatet e rënda i pengojnë njerëzit të fitojnë shpëtimin. Për shembull, Bibla i quan ‘vepra të mishit’ mëkatet serioze, si imoralitetin, idhujtarinë, spiritizmin, shpërthimet e zemërimit dhe dehjen. Pastaj thotë: «Ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»​—Galatasve 5:19-21. *

A nuk rendit Bibla një listë me ‘shtatë gjëra të neveritshme për Zotin’?

Po. Te Diodati i Ri, Proverbat 6:16 thotë: «Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të.» Megjithatë, lista e mëkateve të renditura më pas te Proverbat 6:17-19 nuk përfshin medoemos gjithçka. Ajo përmend kategoritë bazë ku përfshihen të gjitha gjërat e gabuara: mendimet, fjalët e veprimet. *

Ç’do të thotë shprehja ‘mëkate vdekjeprurëse’?

Bibla e thotë qartë se të gjitha mëkatet çojnë në vdekje. Por, në të vërtetë mund të shpëtojmë nga mëkati e vdekja nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. (Romakëve 5:12; 6:23) Pra, ‘mëkati që çon në vdekje’ është ai lloj mëkati që nuk shlyhet nga shpërblesa e Krishtit. (1 Gjonit 5:16) Ai që kryen këtë lloj mëkati është kaq i vendosur të ndjekë udhën mëkatare, sa nuk do të ndryshojë qëndrim ose sjellje. Bibla thotë edhe se një mëkat i tillë «nuk do të falet».​—Mateu 12:31; Luka 12:10.

^ par. 3 Lista e 15 mëkateve të rënda që gjendet te Galatasve 5:19-21 nuk është medoemos lista e plotë, sepse më pas Bibla shton «dhe gjëra si këto». Domethënë, lexuesi duhet të përdorë aftësi dalluese e të mendojë për mëkate të tjera që mund të mos jenë në listë, por që janë «si këto».

^ par. 5 Proverbat 6:16 është një idiomë hebraike që thekson numrin e dytë duke e vënë përballë numrit të parë. Kjo mënyrë të shprehuri del shpesh në Shkrime.​—Jobi 5:19; Proverbat 30:15, 18, 21.