Përgjigjja e Biblës

Bibla nuk flet fare për Hallouinin. Megjithatë, si origjina e tij e hershme, ashtu edhe zakonet e sotme tregojnë se festimi i tij bazohet në bindje të rreme për të vdekurit dhe për frymërat e padukshme, ose ndryshe demonët.—Shih  «Historia dhe zakonet e Hallouinit».

Bibla paralajmëron: «Kurrë të mos gjendet midis jush ndonjë që . . . këshillohet me fantazmat a frymërat, ose pyet të vdekurit.» (Ligji i përtërirë 18:10-12, The Jerusalem Bible) Edhe pse disa e konsiderojnë si argëtim të padëmshëm, Bibla tregon se zakonet që lidhen me të nuk janë të padëmshme. Te 1 Korintasve 10:20, 21, Bibla thotë: «Unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve.»Diodati i Ri.

 Historia dhe zakonet e Hallouinit

  1. Samaini: Sipas një enciklopedie, Hallouini mund ta ketë zanafillën nga «festa e lashtë pagane që festonin keltët mbi 2.000 vjet më parë». Ajo vazhdon: «Keltët besonin se të vdekurit endeshin në mes të të gjallëve të asaj kohe. Gjatë festës së Samainit, të gjallët mund të takonin të vdekurit.» (The World Book Encyclopedia.) Por, Bibla mëson qartë se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Eklisiastiu 9:5) Pra, nuk mund të komunikojnë me të gjallët.

  2. Veshjet e Hallouinit, karamelet dhe «ëmbëlsira apo prapësira»: Sipas librit Halloween—An American Holiday, An American History, disa keltë visheshin si lugatë në mënyrë që frymërat endacake të mendonin se ishin si ata dhe të mos u bënin keq. Disa të tjerë u ofronin ëmbëlsira frymërave për t’i qetësuar. Në Evropën e mesjetës, kleri katolik adoptoi zakonet pagane vendëse dhe u thoshte besimtarëve të shkonin nga shtëpia në shtëpi me veshje të çuditshme dhe të kërkonin dhurata të vogla. Nga ana tjetër, Bibla nuk lejon që praktikat e fesë së rreme të përzihen me adhurimin e Perëndisë.2 Korintasve 6:17.

  3. Fantazmat, vampirët, njerëzit-ujqër, shtrigat dhe kufomat e ngritura nga varri (zombie): Prej kohësh, njerëzit i lidhin këta me botën e frymërave të liga. (Halloween Trivia) Bibla thotë qartë se duhet t’u kundërvihemi forcave të liga frymore e jo të festojmë bashkë me to.Efesianëve 6:12.

  4. Kungujt e Hallouinit: Në Britaninë e mesjetës, «disa shkonin shtëpi më shtëpi duke kërkuar ushqim në këmbim të një lutjeje për të vdekurit» dhe mbanin në dorë «rrepa të gërryera me qiri brenda që nënkuptonte një shpirt të burgosur në purgator». (Halloween—From Pagan Ritual to Party Night) Disa të tjerë thonë se këta rrepa që ndriçonin, përdoreshin për të mbajtur larg frymërat e liga. Gjatë viteve 1800, në Amerikën e Veriut, rrepat u zëvendësuan nga kungujt sepse kishte me shumicë dhe gërryheshin e gdhendeshin kollaj. Bindjet që fshihen pas këtij zakoni, si pavdekësia e shpirtit, purgatori dhe lutjet për të vdekurit, nuk bazohen në Bibël.Ezekieli 18:4.