Përgjigjja e Biblës

Në Bibël shfaqet shpesh urdhërimi: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Dalja 20:12; Ligji i përtërirë 5:16; Mateu 15:4; Efesianëve 6:2, 3) Në të përfshihen katër gjëra kryesore.

  1. Vlerësoji prindërit. I nderon atin dhe nënën tënde kur je mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për ty. Mund të tregosh se i çmon kur ia vë veshin drejtimit të tyre. (Proverbat 7:1, 2; 23:26) Bibla të nxit t’i shohësh prindërit si ‘lavdinë’ tënde, pra të jesh krenar për ta.—Proverbat 17: 6, Diodati i Ri.

  2. Prano autoritetin e tyre. Kur je fëmijë, i nderon atin dhe nënën kur pranon autoritetin që u ka dhënë Perëndia. Kolosianëve 3:20 u thotë fëmijëve: «Jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë.» Edhe Jezui iu bind me gatishmëri prindërve kur ishte i vogël.—Luka 2:51.

  3. Trajtoji me respekt. (Levitiku 19:3; Hebrenjve 12:9) Shpesh kjo përfshin fjalët që thua dhe mënyrën si i thua. Është e vërtetë se, me raste, disa prindër veprojnë në mënyra që ta bëjnë shumë të vështirë t’i respektosh. Gjithsesi, edhe atëherë fëmijët mund t’i nderojnë prindërit, duke shmangur fjalët dhe veprimet që tregojnë mungesë respekti. (Proverbat 30:17) Bibla mëson se kush flet keq për babanë ose nënën, po kryen një keqbërje serioze.—Mateu 15:4.

  4. Kujdesu për ta. Kur prindërit plaken, mund të kenë nevojë për ndihmë praktike. I nderon kur bën çmos t’u sigurosh gjërat që kanë nevojë. (1 Timoteut 5:4, 8) Për shembull, pak para se të vdiste, Jezui mori masa që dikush të kujdesej për të ëmën.—Gjoni 19:25-27.

Ide të gabuara për nderimin e atit dhe të nënës

Ide e gabuar: Që të nderosh atin dhe nënën, duhet t’i lejosh të të kontrollojnë martesën.

Fakt: Bibla mëson se martesa është një lidhje që ka përparësi mbi çdo marrëdhënie tjetër familjare. Te Zanafilla 2:24 thuhet: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet.» (Mateu 19:4, 5) S’ka dyshim se të martuarit mund të nxjerrin dobi nga prindërit apo vjehrrit. (Proverbat 23:22) Megjithatë, një çift mund të vendosë me të drejtë deri në ç’pikë do t’i lejojë të afërmit të përfshihen në martesën e tyre.​—Mateu 19:6.

Ide e gabuar: Babai dhe nëna kanë autoritet absolut.

Fakt: Edhe pse Perëndia u dha prindërve autoritet në familje, çdo autoritet njerëzor ka kufij​—s’mund të dalë kurrë mbi autoritetin e Perëndisë. Për shembull, kur një gjykatë e lartë i urdhëroi dishepujt e Jezuit të mos i bindeshin Perëndisë, ata iu përgjigjën: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Veprat 5:27-29) Po njësoj, fëmijët u binden prindërve «në unitet me Zotërinë», pra për çdo gjë që s’bie në kundërshtim me ligjet e Perëndisë.​—Efesianëve 6:1.

Ide e gabuar: Që të nderosh atin dhe nënën, duhet të ndjekësh fenë e tyre.

Fakt: Bibla na nxit që të shqyrtojmë me kujdes gjërat që na mësojnë, për të parë nëse janë të vërteta. (Veprat 17:11; 1 Gjonit 4:1) Kush vepron kështu, mund të zgjedhë një besim që ndryshon nga ai i prindërve. Në Bibël përmenden disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë që nuk ndoqën fenë e prindërve, si Abrahami, Rutha dhe apostulli Pavël.—Josiu 24:2, 14, 15; Rutha 1:15, 16; Galatasve 1:14-16, 22-24.

Ide e gabuar: Që të nderosh atin dhe nënën, duhet të marrësh pjesë në rite tradicionale që lidhen me adhurimin e të parëve.

Fakt: Bibla thotë: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Kush adhuron të parët, i sjell pakënaqësi Perëndisë. Për më tepër, Bibla mëson se «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë». Ata nuk janë të vetëdijshëm për asnjë nga homazhet që u bëhen; as i ndihmojnë dot të gjallët dhe as i dëmtojnë.​—Eklisiastiu 9:5, 10; Isaia 8:19.