Përgjigjja e Biblës

Bibla nuk tregon një datë specifike për lindjen e Jezu Krishtit, siç tregohet edhe në veprat e referimit më poshtë:

  • «Data e vërtetë e lindjes së Krishtit nuk dihet.»New Catholic Encyclopedia.

  • «Data e saktë e lindjes së Krishtit nuk dihet.»Encyclopedia of Early Christianity.

Ndonëse Bibla nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes «Kur lindi Jezui?», ajo përshkruan dy ngjarje që ndodhën afër kohës së lindjes së tij, në bazë të të cilave shumë veta kanë nxjerrë përfundimin se ai nuk lindi më 25 dhjetor.

Jo në dimër

  1. Regjistrimi. Pak para se të lindte Jezui, Cezar Augusti nxori një dekret «që të regjistrohej popullsia në gjithë tokën e banuar». Çdo njeri duhej të regjistrohej në «qytetin e vet» dhe kjo mund të kërkonte të udhëtoje një javë ose më tepër. (Luka 2:1-3) Ky urdhër, ndoshta për të mbështetur taksat dhe rekrutimin ushtarak, do të kishte qenë i papëlqyer në çdo periudhë të vitit, por vështirë që Augusti të provokonte nënshtetasit më tej duke detyruar shumë prej tyre të bënin udhëtime të gjata në acarin e dimrit.

  2. Delet. Barinjtë «jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre». (Luka 2:8) Një libër (Daily Life in the Time of Jesus) tregon se kopetë i mbanin jashtë që nga «java para Pashkëve [fundi i marsit]», deri nga mesi i nëntorit. Më pas shton: «Ato e kalonin dimrin në strehime; mjafton vetëm kjo për të kuptuar se data që kanë vendosur për Krishtlindjet, pra në dimër, nuk mund të jetë e saktë, pasi Ungjilli thotë se barinjtë ishin në fusha.»

Në fillim të vjeshtës

Mund ta llogaritim kur lindi Jezui duke numëruar mbrapsht që nga vdekja e tij për Pashkë, më 14 nisan të pranverës së vitit 33 të e.s. (Gjoni 19:14-16) Jezui ishte rreth 30 vjeç kur nisi shërbimin e tij prej tre vjetësh e gjysmë, prandaj lindi në fillim të vjeshtës së vitit 2 p.e.s.Luka 3:23.

Pse Krishtlindjet janë më 25 dhjetor?

Nëse nuk ka asnjë provë që Jezu Krishti të ketë lindur më 25 dhjetor, pse i festojnë Krishtlindjet në këtë datë? Një enciklopedi (Encyclopædia Britannica) thotë se udhëheqësit e kishës me sa duket e zgjodhën këtë datë që «të përkonte me festën romake pagane që shënonte ‘datëlindjen e diellit të pamposhtur’» në solsticin e dimrit. Sipas një enciklopedie tjetër (The Encyclopedia Americana), mjaft studiues mendojnë se kjo u bë që «Krishterimi të kishte më shumë kuptim për paganët e kthyer në besim».