Përgjigjja e Biblës

Numrat në Bibël shpesh kanë kuptim të mirëfilltë, por ndonjëherë kanë kuptim simbolik. Zakonisht është vetë konteksti që tregon nëse një numër është përdorur me kuptim simbolik apo jo. Shqyrto disa shembuj të numrave simbolikë në Bibël:

  • Numri 1: Tregon unitet. Për shembull, Jezui iu lut Perëndisë që dishepujt e tij «të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty».Gjoni 17:21; Mateu 19:6.

  • Numri 2: Nëse në një çështje ligjore ka dy dëshmitarë, atëherë çështja konsiderohet e vërtetë. (Ligji i përtërirë 17:6) Po kështu, përsëritja e një vegimi ose e një pohimi përforcon sigurinë dhe vërtetësinë e diçkaje. Për shembull, kur Jozefi interpretoi një ëndërr që kishte parë faraoni i Egjiptit, ai tha: «Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia.» (Zanafilla 41:32, Diodati i Ri) Në profeci, ‘dy brirët’ mund të përfaqësojnë sundim dypalësh, siç iu tha profetit Daniel për perandorinë medo-perse.Danieli 8:20, 21; Zbulesa 13:11.

  • Numri 3: Ashtu si tre dëshmitarë provojnë patundshmërisht vërtetësinë e një çështjeje, përsëritja tri herë, me sa duket, e vendos ose e thekson patundshmërisht diçka.Ezekieli 21:27; Veprat 10:9-16; Zbulesa 4:8; 8:13.

  • Numri 4: Mund të nënkuptojë plotësi për sa i përket formës ose funksionit. Për shembull, shprehja «katër erërat e tokës» nënkupton forcat shkatërrimtare që vijnë nga të gjitha drejtimet.Zbulesa 7:1; 21:16; Isaia 11:12.

  • Numri 6: Duke qenë se është një më pak se shtata, që shpesh përfaqëson plotësi, numri gjashtë nënkupton diçka të paplotë a të papërsosur ose diçka që lidhet me armiqtë e Perëndisë.1 Kronikave 20:6; Danieli 3:1; Zbulesa 13:18.

  • Numri 7: Përdoret shpesh për të dhënë idenë e plotësisë. Për shembull, Perëndia i urdhëroi izraelitët të marshonin shtatë ditë rresht përreth Jerikosë dhe ditën e shtatë duhej të marshonin shtatë herë. (Josiu 6:15) Bibla përmban mjaft raste të ngjashme ku shtata përdoret me këtë kuptim. (Levitiku 4:6; 25:8; 26:18; Psalmi 119:164; Zbulesa 1:20; 13:1; 17:10) Kur Jezui i tha Pjetrit që duhej ta falte vëllanë e vet «jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë», përsëritja e numrit «shtatë» përçonte idenë «pa kufi».Mateu 18:21, 22.

  • Numri 10: Përfaqëson tërësi ose shumën totale të diçkaje.Dalja 34:28; Luka 19:13; Zbulesa 2:10.

  • Numri 12: Me sa duket, ky numër përfaqëson një organizim të plotë dhe hyjnor. Për shembull, në vegimin e qiellit që iu dha apostullit Gjon përfshihej një qytet me «dymbëdhjetë gurë themeli, dhe mbi ta ishin dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve». (Zbulesa 21:14; Zanafilla 49:28) Shumëfishi i 12-s mund të ketë të njëjtin kuptim.Zbulesa 4:4; 7:4-8.

  • Numri 40: Disa periudha gjykimi ose dënimi lidheshin me numrin 40.Zanafilla 7:4; Ezekieli 29:11, 12.

Numerologjia dhe gematria

Këto kuptime simbolike të numrave në Bibël ndryshojnë nga numerologjia që merret me kuptimin okultik të numrave, të kombinimit të tyre dhe të totalit numerik. Për shembull, kabalistët judenj kanë analizuar Shkrimet Hebraike duke përdorur një teknikë që quhet gematria, e cila kërkon një kod të fshehur në ekuivalentët numerikë të shkronjave. Numerologjia është një formë falli, që Perëndia e dënon.Ligji i përtërirë 18:10-12.