Përgjigjja e Biblës

Mikael, të cilit disa fe i referohen si «Shën Mikaeli», me sa duket është një emër që iu dha Jezuit para dhe pas jetës në tokë. * Mikaeli bëri fjalë me Satanain pas vdekjes së Moisiut dhe ndihmoi një engjëll që t’i çonte mesazhin e Zotit profetit Daniel. (Danieli 10:13, 21; Juda 9) Mikaeli jeton në lartësinë e emrit të vet që do të thotë «kush është si Perëndia», sepse mbron sundimin e Zotit dhe lufton kundër armiqve të Tij.Danieli 12:1; Zbulesa 12:7.

Shqyrto pse është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Jezui është kryeengjëlli Mikael.

  • Mikaeli është «kryeengjëlli». (Juda 9) Titulli ‘kryeengjëll’, që do të thotë «prijës i engjëjve», del vetëm në dy vargje biblike. Në të dy rastet, fjala është në njëjës, duke nënkuptuar se vetëm një engjëll e mban këtë titull. Një nga këto vargje thotë se Zotëria Jezu i ringjallur «do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli». (1 Selanikasve 4:16) Jezui ka «zë kryeengjëlli» sepse ai është kryeengjëlli, Mikaeli.

  • Mikaeli drejton një ushtri engjëjsh. «Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit», Satanait. (Zbulesa 12:7) Mikaeli ka shumë autoritet në qiell, sepse quhet «një nga princat e parë» dhe «princi i madh». (Danieli 10:13, 21; 12:1) Sipas David Ounit, studiues i Dhiatës së Re, nga këta tituj kuptojmë se Mikaeli është «kryekomandant i forcave engjëllore».

    Bibla përmend vetëm një emër tjetër të dikujt që ka autoritet mbi një ushtri engjëjsh. Ajo thotë se ‘kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu, ai do të shfaqet tok me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues dhe do të sjellë hakmarrjen’. (2 Selanikasve 1:7, 8; Mateu 16:27) Jezui «shkoi në qiell . . . dhe engjëjt, autoritetet dhe fuqitë iu nënshtruan atij». (1 Pjetrit 3:21, 22) S’do të kishte kuptim që Zoti të caktonte Jezuin dhe Mikaelin si udhëheqës rivalë të engjëjve të shenjtë. Prandaj është më se e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se të dy emrat, Jezu dhe Mikael, i referohen të njëjtit person.

  • Mikaeli «do të ngrihet» gjatë ‘një kohe me ankthe’ të paprecedent. (Danieli 12:1) Në librin e Danielit, fjala «ngrihet» shpesh i referohet një mbreti që del për të ndërmarrë një sulm të veçantë. (Danieli 11:2-4, 21) Jezu Krishti, që identifikohet si «Fjala e Perëndisë», do të ndërmarrë një sulm të veçantë si «Mbret i mbretërve» që të godasë të gjithë armiqtë e Perëndisë dhe të mbrojë popullin e Tij. (Zbulesa 19:11-16) Këtë do ta bëjë gjatë një periudhe ‘shtrëngimi aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës’.Mateu 24:21, 42.

^ par. 3 Në Bibël përmenden edhe persona të tjerë që kanë më tepër se një emër, si për shembull, Jakobi quhet edhe Izrael, Pjetri quhet edhe Simon dhe Tadeu quhet edhe Judë.Zanafilla 49:1, 2; Mateu 10:2, 3; Marku 3:18; Veprat 1:13.