Përgjigjja e Biblës

Zoti ka vetëm një emër. Në hebraisht shkruhet יהוה dhe në shqip zakonisht përkthehet «Jehova». * Nëpërmjet profetit Isaia, Perëndia deklaroi: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» (Isaia 42:8) Ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në dorëshkrimet e lashta të Biblës​—shumë më shpesh se çdo term tjetër përshkrues për Zotin, e madje më tepër se çdo emër tjetër. *

A ka emra të tjerë Zoti?

Ndonëse Bibla tregon se Perëndia ka vetëm një emër, ajo përdor shumë tituj e përshkrime për Të. Secili prej titujve dhe përshkrimeve në listën e mëposhtme zbulon një aspekt të natyrës ose të personalitetit të Jehovait.

Titulli

Vargu biblik

Kuptimi

Allah

(S’ka)

Fjala «Allah» vjen nga arabishtja dhe nuk është emër i përveçëm, por titull që ka kuptimin «Zot». Përkthime të Biblës në arabisht dhe në gjuhë të tjera përdorin fjalën «Allah» si ekuivalent për «Zot».

I Plotfuqishëm

Zanafilla 17:1

Ai ka fuqi të pakufishme. Shprehja hebraike ʼEl Shaddái, «Perëndi i Plotfuqishëm», gjendet shtatë herë në Bibël.

Alfa dhe Omega

Zbulesa 1:8; 21:6; 22:13

«I pari dhe i fundit» ose «fillimi dhe mbarimi» që do të thotë se përpara tij s’ka pasur asnjë Perëndi të Plotfuqishëm, dhe s’ka për të pasur ndonjë pas tij. (Isaia 43:10) Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse omega e fundit.

I Lashti i Ditëve

Danieli 7:​9, 13, 22

Nuk ka pasur fillim; ka ekzistuar përjetësisht para se të vinte në jetë çdokush a çdo gjë tjetër.​—Psalmi 90:2.

Krijues

Isaia 40:28

Krijoi gjithçka.

Atë

Mateu 6:9

Jetëdhënës.

Perëndi

Zanafilla 1:1

Që adhurohet; i fuqishëm. Fjala hebraike ʼElohím është në shumës dhe përdoret për të treguar madhështinë, dinjitetin ose shkëlqimin e Jehovait.

Perëndi i perëndive

Ligji i përtërirë 10:17

Ai është Perëndia suprem krahasuar me ‘perënditë e kota’ që adhurojnë disa njerëz.​—Isaia 2:8.

Mësues i Madh

Isaia 30:20, 21

Jep mësim e drejtim dobiprurës.​—Isaia 48:17, 18.

Bërës i Madh

Psalmi 149:2

Solli në jetë gjithçka.​—Zbulesa 4:​11.

Perëndi i lumtur

1 Timoteut 1:​11

Karakterizohet nga gëzimi dhe lumturia.​—Psalmi 104:31.

Dëgjues i lutjes

Psalmi 65:2

Ai dëgjon personalisht këdo që i lutet me besim.

Unë jam Ai që jam

Dalja (Eksodi) 3:​14, Diodati i Ri

Bëhet çfarë të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e tij. Kjo shprehje është përkthyer edhe «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Përkthimi Bota e Re) Ky përshkrim na ndihmon të kuptojmë domethënien e emrit Jehova në vargun pasues.​—Dalja 3:​15.

Xheloz

Dalja 34:14, Diodati i Ri

Nuk toleron rivalitet në adhurim. Ky term është përkthyer edhe «Ai që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij».​—Përkthimi Bota e Re.

Mbret i përjetësisë

Zbulesa 15:3

Ai ka pasur dhe do të ketë gjithmonë autoritet suprem.

Zotëri

Psalmi 135:5

Pronar ose zotëri; në hebraisht ʼAdhóhn dhe ʼAdhoním.

Zot i ushtrive

Isaia 1:9, Diodati i Ri; Romakëve 9:​29

Komandant i forcave të panumërta engjëllore.

Më i Larti

Psalmi 47:2

Ka pozitën supreme.

Më i Shenjti

Proverbat 9:​10

Më i shenjtë (i pastër moralisht dhe i dëlirë) se çdo qenie tjetër.

Poçar

Isaia 64:8

Ka autoritet mbi individë e kombe, ashtu si një poçar ka autoritet mbi argjilën.​—Romakëve 9:​20, 21.

Riblerës, shpengues

Isaia 41:14

Shpengon ose riblen njerëzimin nga mëkati e vdekja me anë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit.​—Gjoni 3:​16.

Shkëmb

Psalmi 18:​2, 46

Strehë e sigurt dhe burim shpëtimi.

Shpëtimtar

Isaia 45:21

Shpëton nga rreziku ose shkatërrimi.

Bari

Psalmi 23:1

Kujdeset për adhuruesit e tij.

Zotëri Sovran

Zanafilla 15:2

Ka autoritetin më të lartë; hebraisht ʼAdhonái.

Tejet i Larti

Danieli 7:​18, 27

Sovrani më i lartë.

Emra vendesh në Shkrimet Hebraike

Disa emra vendesh në Bibël përmbajnë emrin personal të Zotit, ama nuk janë emra të tjerë të Tij.

Emri i vendit

Vargu biblik

Kuptimi

Jehova-Jireh

Zanafilla 22:13, 14

«Jehovai do të sigurojë.»

Jehova-Nisi

Dalja 17:15

Jehovai është sinjali im ose «flamuri im». (Diodati i Ri) Jehovai është një Perëndi të cilit njerëzit mund t’i drejtohen për ndihmë dhe mbrojtje.​—Dalja 17:13-​16.

Jehova-Shalom

Gjykatësit 6:​23, 24

Jehovai është paqe.

Jave-Shama

Ezekieli 48:35, Bibla ECM

Jehovai është atje.

Arsye për ta njohur e për ta përdorur emrin e Zotit

  • Perëndia e konsideron të rëndësishëm emrin e tij, Jehova, përderisa e përfshiu me mijëra herë në Bibël.​—Malakia 1:​11.

  • Biri i Perëndisë, Jezui, e theksoi vazhdimisht rëndësinë e emrit të Zotit. Për shembull, ai iu lut Jehovait me fjalët: «U shenjtëroftë emri yt.»​—Mateu 6:9; Gjoni 17:6.

  • Njohja dhe përdorimi i emrit të Perëndisë janë hapat e parë për të lidhur miqësi me Jehovain. (Psalmi 9:​10; Malakia 3:​16) Një miqësi e tillë u jep mundësi njerëzve të përjetojnë përmbushjen e këtij premtimi të Perëndisë: «Meqenëse ai më ka për zemër, unë do ta shpëtoj. Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.»​Psalmi 91:14.

  • Bibla pranon: «Ekzistojnë ata që quhen ‘perëndi’, qoftë në qiell, qoftë në tokë, ashtu sikurse ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’.» (1 Korintasve 8:​5, 6) E megjithatë të vetmin Perëndi të vërtetë e identifikon qartësisht me emrin Jehova.​—Psalmi 83:18.

^ par. 3 Disa studiues hebrenj parapëlqejnë që emrin e Perëndisë ta përkthejnë «Jahve».

^ par. 3 Në Bibël forma e shkurtuar e emrit hyjnor, «Jah», shfaqet rreth 50 herë, përfshirë përdorimin në fjalët «Haleluja» ose «Aleluja», që do të thotë «Lëvdoni Jah!».​—Zbulesa 19:1; Bibla ECM; Diodati i Ri; Simon Filipaj.