Përgjigjja e Biblës

Djalli dhe demonët ndikojnë kaq shumë te njerëzit, sa Bibla thotë: «Mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.» (1 Gjonit 5:19, Bibla Simon Filipaj) Bibla tregon në ç’mënyra ndikon Djalli te njerëzit.

  • Mashtrimi. Bibla i nxit të krishterët «të luftojnë kundër intrigave të liga të djallit». (Efesianëve 6:11, New Century Version) Një intrigë e tij është që të mashtrojë njerëzit të besojnë se shërbëtorët e tij janë shërbëtorë të Perëndisë.2 Korintasve 11:13-15.

  • Spiritizmi. Djalli i mashtron njerëzit nëpërmjet mediumeve, parashikuesve të fatit dhe atyre që praktikojnë fallin ose astrologjinë. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Edhe përdorimi i drogës, hipnotizimi dhe metodat e meditimit që zbrazin mendjen, e bëjnë dikë pre më të lehtë për demonët.Luka 11:24-26.

  • Feja e rreme. Fetë i mashtrojnë njerëzit duke u mësuar doktrina të rreme e si rrjedhojë njerëzit nuk i binden Perëndisë. (1 Korintasve 10:20) Bibla i quan këto besime të rreme ‘mësime të demonëve’.1 Timoteut 4:1.

  • Pushtimi nga demonët. Bibla dokumenton raste të individëve që ranë nën kontrollin e frymërave të liga. Ndonjëherë të demonizuarit verboheshin, bëheshin memecë e madje vetëdëmtoheshin.Mateu 12:22; Marku 5:2-5.

Si ta shmangim ndikimin e Djallit

S’ke pse të jetosh me frikën e demonëve, pasi Bibla tregon si mund t’i kundërvihesh me sukses Djallit:

  • Mëso të dallosh metodat e Djallit që ‘të mos jesh në padije të intrigave të tij’.2 Korintasve 2:11.

  • Merr njohuri nga Bibla dhe pastaj zbatoje atë që mëson. Zbatimi i parimeve biblike do të të mbrojë nga ndikimi i Djallit.Efesianëve 6:11-18.

  • Zhduk çdo gjë që ka lidhje me veprimtaritë e demonëve. (Veprat 19:19) Këtu futet muzika, librat, revistat, posterat dhe videot që nxitin spiritizmin.