Përgjigjja e Biblës

Duke ilustruar ndryshimin mes atyre që praktikojnë fenë e vërtetë dhe atyre që nuk e bëjnë, Bibla thotë: «Do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët?» (Mateu 7:16) Ashtu siç mund ta dallosh një hardhi nga një ferrë nga ajo çfarë prodhon, edhe fenë e vërtetë mund ta dallosh nga ajo e rreme nga frytet e saj, ose nga këto tipare dalluese:

  1. Feja e vërtetë mëson të vërtetën që bazohet në Bibël, jo në filozofitë njerëzore. (Gjoni 4:24; 17:17) Kjo përfshin të vërtetat fetare për shpirtin dhe për shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29; Isaia 35:5, 6; Ezekieli 18:4) Gjithashtu, ajo nuk ngurron t’i demaskojë praktikat e rreme dhe gënjeshtrat fetare.—Mateu 15:9; 23:27, 28.

  2. Feja e vërtetë i ndihmon njerëzit të njohin Perëndinë. Këtu përfshihet edhe t’u mësojë emrin e tij, Jehova. (Psalmi 83:18; Isaia 42:8; Gjoni 17:3, 6) Ajo nuk mëson se Perëndia është i pakonceptueshëm ose i ftohtë; përkundrazi, mëson se ai dëshiron që të jemi miq të tij.—Jakovi 4:8.

  3. Feja e vërtetë thekson se Perëndia e sjell shpëtimin nëpërmjet Jezu Krishtit. (Veprat 4:10, 12) Pjesëtarët e saj u binden urdhërimeve të Jezuit dhe përpiqen fort të ndjekin shembullin e tij.—Gjoni 13:15; 15:14.

  4. Feja e vërtetë përqendrohet te Mbretëria e Perëndisë si e vetmja shpresë e njerëzimit. Pjesëtarët e saj angazhohen për t’u folur të tjerëve për këtë Mbretëri.—Mateu 10:7; 24:14.

  5. Feja e vërtetë nxit dashurinë altruiste. (Gjoni 13:35) Ajo mëson t’i respektojmë të gjitha grupet etnike dhe i mirëpret njerëzit e të gjitha racave, kulturave, gjuhëve dhe prejardhjeve. (Veprat 10:34, 35) Të nxitur nga dashuria, pjesëtarët e saj nuk shkojnë në luftë.—Mikea 4:3; 1 Gjonit 3:11, 12.

  6. Feja e vërtetë nuk ka një kler që paguhet dhe nuk i jep tituj fetarë pompozë asnjë pjesëtari të saj.—Mateu 23:8-12; 1 Pjetrit 5:2, 3.

  7. Feja e vërtetë është plotësisht asnjanëse në çështjet politike. (Gjoni 17:16; 18:36) Gjithsesi, pjesëtarët e saj i respektojnë dhe u binden qeverive të vendit ku jetojnë, në përputhje me urdhërimin e Biblës: «Paguajini Cezarit [i cili përfaqëson autoritetet civile] gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»​—Marku 12:17; Romakëve 13:1, 2.

  8. Feja e vërtetë është një mënyrë jetese, jo thjesht një ritual ose formalitet. Pjesëtarët e saj u përmbahen normave të larta morale të Biblës në çdo aspekt të jetës. (Efesianëve 5:3-5; 1 Gjonit 3:18) Megjithatë, në vend që të jenë të zymtë, ata e adhurojnë me gëzim ‘Perëndinë e lumtur’.—1 Timoteut 1:11.

  9. Ata që praktikojnë fenë e vërtetë do të jenë një pakicë. (Mateu 7:13, 14) Shpesh, pjesëtarët e fesë së vërtetë i përçmojnë, i tallin dhe i përndjekin ngaqë bëjnë vullnetin e Perëndisë.—Mateu 5:10-12.

Feja e vërtetë nuk është thjesht «feja që është e duhur për mua»

Është e rrezikshme ta zgjedhim një fe duke u bazuar vetëm te mënyra si na bën të ndihemi. Bibla ka parathënë një kohë kur njerëzit ‘do të grumbullonin për vete mësues [fetarë] që t’u gudulisnin veshët’. (2 Timoteut 4:3) Ndryshe nga kjo, ajo na nxit të ndjekim ‘adhurimin [ose fenë] e pastër dhe të pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë’, edhe nëse kjo fe është e papëlqyeshme nga një masë e madhe njerëzish.—Jakovi 1:27; Gjoni 15:18, 19.