Përgjigjja e Biblës

Në kohët biblike Perëndia e pranonte agjërimin kur bëhej me motivin e duhur. Ama, kur arsyet ishin të gabuara, Ai nuk e miratonte. Megjithatë, Bibla as i urdhëron e as i ndalon sot njerëzit të agjërojnë.

Në cilat rrethana agjëruan disa që përmend Bibla?

  • Kur kërkonin ndihmë dhe drejtim nga Perëndia. Njerëzit që po udhëtonin për në Jerusalem agjëruan për të treguar se kërkesa e tyre për ndihmë drejtuar Perëndisë, ishte e sinqertë. (Ezdra 8:21-23) Me raste, Pavli dhe Barnaba vendosën të agjëronin kur emëruan pleq kongregacioni.​—Veprat 14:23.

  • Kur përqendroheshin te qëllimi i Perëndisë. Jezui agjëroi për 40 ditë pas pagëzimit që të përgatitej për të kryer vullnetin e Perëndisë gjatë shërbimit që do të niste.​—Luka 4:1, 2.

  • Kur shfaqnin pendim për mëkatet e së kaluarës. Me anë të profetit Joel, Perëndia u tha izraelitëve jobesnikë: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me të qara e me vaje.»​—Joeli 2:12-15.

  • Kur kremtonin Ditën e Shlyerjes. Në Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit përfshiu urdhërimin për të agjëruar në Ditën e Shlyerjes * që mbahej çdo vit. (Levitiku 16:29-31) Në këtë rast, agjërimi ishte i përshtatshëm pasi u kujtonte izraelitëve se ishin të papërsosur dhe se kishin nevojë për faljen e Perëndisë.

Cilat janë disa arsye të papërshtatshme për të agjëruar?

  • Që t’u bësh përshtypje të tjerëve. Jezui mësoi se agjërimi fetar duhej të ishte diçka personale mes një individi dhe Perëndisë.​—Mateu 6:16-18.

  • Që të tregosh se je i drejtë. Agjërimi nuk e bën dikë më të moralshëm a me besim më të fortë se të tjerët.​—Luka 18:9-14.

  • Që të përpiqesh të kompensosh praktikimin e qëllimshëm të mëkatit. (Isaia 58:3, 4) Perëndia e pranonte agjërimin vetëm kur shoqërohej me bindje dhe pendim nga zemra për mëkatet e kryera.

  • Që të kryesh një formalitet fetar. (Isaia 58:5-7) Në këtë aspekt, Perëndia i ngjan një prindi i cili nuk kënaqet fare kur fëmijët i shprehin dashuri të nxitur vetëm nga ndjenja e detyrës, jo nga zemra.

A u kërkohet të krishterëve të agjërojnë?

Jo. Perëndia u kërkoi izraelitëve të agjëronin në Ditën e Shlyerjes, ama ky kremtim u hoq pasi Jezui shleu njëherë e përgjithmonë mëkatet e njerëzve të penduar. (Hebrenjve 9:24-26; 1 Pjetrit 3:18) Të krishterët nuk janë më nën detyrimin e Ligjit të Moisiut ku përfshihej Dita e Shlyerjes. (Romakëve 10:4; Kolosianëve 2:13, 14) Ja pse çdo i krishterë mund të vendosë vetë nëse do të agjërojë.​—Romakëve 14:1-4.

Të krishterët e kuptojnë se agjërimi nuk është qendra e adhurimit të tyre. Gjithashtu, Bibla nuk e lidh kurrë agjërimin me lumturinë. Në kontrast me këtë, adhurimi i vërtetë i krishterë karakterizohet nga gëzimi, duke pasqyruar kështu personalitetin e Jehovait, «Perëndisë së lumtur».​—1 Timoteut 1:11; Eklisiastiu 3:12, 13; Galatasve 5:22.

Ide të gabuara rreth pikëpamjes së Biblës për agjërimin

Ide e gabuar: Apostulli Pavël u rekomandoi çifteve të martuara të agjëronin.​—1 Korintasve 7:5, Diodati i Ri.

Fakt: Dorëshkrimet më të vjetra të Biblës nuk e përmendin agjërimin te 1 Korintasve 7:5. * Me sa duket, kopistët e Biblës e shtuan më vonë fjalën agjërim jo vetëm te ky varg, por edhe te Mateu 17:21, te Marku 9:29 dhe te Veprat 10:30. Shumica e përkthimeve të sotme të Biblës i kanë hequr këto referime të pavërteta për agjërimin.

Ide e gabuar: Të krishterët duhet të agjërojnë në kujtim të agjërimit 40-ditor të Jezuit në shkretëtirë pas pagëzimit.

Fakt: Jezui nuk urdhëroi kurrë një agjërim të tillë dhe në Shkrime nuk thuhet askund që të krishterët e hershëm ta kenë mbajtur këtë rast. *

Ide e gabuar: Të krishterët duhet të agjërojnë kur përkujtojnë vdekjen e Jezuit.

Fakt: Jezui nuk i urdhëroi dishepujt të agjëronin kur të përkujtonin vdekjen e tij. (Luka 22:14-18) Edhe pse Jezui tha se dishepujt do të agjëronin kur të vdiste, ai nuk po nxirrte një urdhër; thjesht po tregonte atë që do të ndodhte. (Mateu 9:15) Bibla i udhëzoi të krishterët që ishin të uritur, të hanin në shtëpitë e tyre para se të kremtonin Përkujtimin e vdekjes së Jezuit.​—1 Korintasve 11:33, 34.

^ par. 8 Perëndia u tha izraelitëve se ‘duhej të mundonin shpirtin e tyre’ në Ditën e Shlyerjes. (Levitiku 16:29, 31) Kjo shprehje mendohet se ka të bëjë me agjërimin. (Isaia 58:3) Ja pse Bibla Contemporary English Version e përkthen kështu vargun: «Duhet të shkoni pa ngrënë në shenjë keqardhjeje për mëkatet tuaja.»

^ par. 19 Shih A Textual Commentary on the Greek New Testament, botimi i tretë, faqja 554, nga Brus Metsgëri.

^ par. 21 Në lidhje me historinë e agjërimit 40-ditor gjatë kreshmëve, New Catholic Encyclopedia pohon: «Gjatë tre shekujve të parë, periudha e agjërimit para festës së pashkës nuk zgjaste më shumë se një javë; zakonisht zgjaste një ose dy ditë. . . . Për herë të parë periudha 40-ditore përmendet te kanoni i pestë i Këshillit të Nicesë (325), ndonëse disa studiues dyshojnë nëse kjo u referohet vërtet Kreshmëve.»​—Botimi i dytë, vëllimi 8, faqja 468.