Përgjigjja e Biblës

Po, Bibla jep prova bindëse se Zoti ekziston. Ajo na nxit ta forcojmë besimin tek Ai, jo duke i besuar verbërisht pohimet fetare, por duke përdorur ‘fuqinë për të arsyetuar’ dhe ‘aftësinë intelektuale’. (Romakëve 12:1; 1 Gjonit 5:20) Shqyrto linjat e mëposhtme të arsyetimit, bazuar në Bibël.

  • Ekzistenca e një universi të rregullt dhe plot qenie të gjalla dëshmon se ka një Krijues. Bibla thotë: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Megjithëse kjo logjikë është e thjeshtë, për shumë njerëz të arsimuar është logjikë e fuqishme. *

  • Si njerëz, ne kemi një dëshirë të lindur për të ditur kuptimin dhe qëllimin e jetës, një lloj urie që mund të mos shuhet edhe pasi t’i kemi plotësuar nevojat fizike. Kjo është pjesë e asaj që Bibla e quan ‘nevojë për të mësuar për Perëndinë’, e cila përfshin dëshirën për ta njohur dhe për ta adhuruar atë. (Mateu 5:3; Zbulesa 4:11) Kjo nevojë për të mësuar për Zotin jo vetëm që jep prova se ai ekziston, por edhe tregon se është një Krijues i dashur i cili do që ta plotësojmë këtë nevojë.Mateu 4:4.

  • Në Bibël ka profeci të hollësishme që u shkruan shekuj para se të ndodhnin dhe u përmbushën pikërisht siç ishin parashikuar. Saktësia dhe hollësitë e këtyre parashikimeve tregojnë qartë se ato kanë ardhur nga një burim mbinjerëzor.2 Pjetrit 1:21.

  • Shkrimtarët e Biblës kishin njohuri shkencore që shkonte përtej kuptueshmërisë së asaj kohe. Për shembull, shumë njerëz në lashtësi besonin se toka mbahej nga një kafshë, si: një elefant, një derr i egër ose një buall. Krejt ndryshe, Bibla thotë se Perëndia ‘e mban varur tokën në asgjë’. (Jobi 26:7) Gjithashtu, Bibla e përshkruan saktë formën e tokës, duke e quajtur ‘rruzull’ ose ndryshe «glob». (Isaia 40:22, Diodati i Ri) Shumë veta mendojnë se shpjegimi më i arsyeshëm për këtë kuptueshmëri të përparuar është se shkrimtarët e Biblës i morën informacionet nga Zoti.

  • Bibla u përgjigjet shumë pyetjeve të vështira, atyre pyetjeve që, kur nuk u jepet një përgjigje e kënaqshme, mund ta shtyjnë një person të bëhet ateist. Për shembull, nëse Zoti është i dashur dhe i plotfuqishëm, pse ka vuajtje dhe ligësi në botë? Pse shpeshherë feja ndikon për keq dhe jo për mirë?Titit 1:16.

^ par. 4 Për shembull, i ndjeri Allan Sandage, një astronom, tha njëherë për universin: «Më duket krejt e pamundur që një rregullsi e tillë të ketë ardhur nga kaosi. Duhet të jetë dikush që e ka organizuar. Për mua Perëndia është një mister, por gjithsesi është e vetmja mënyrë për të shpjeguar këtë mrekulli: që ekzistojnë gjëra, në vend të asgjëje.»