Përgjigjja e Biblës

Po, Djalli ekziston. Ai është «sundimtari i kësaj bote», një krijesë e padukshme që u bë e ligë dhe u rebelua ndaj Perëndisë. (Gjoni 14:30; Efesianëve 6:11, 12) Bibla e përshkruan personalitetin e Djallit me këta emra:

Nuk është thjesht koncepti i ligësisë

Disa mendojnë se Satana Djalli është thjesht koncepti i ligësisë që ekziston brenda nesh. Gjithsesi, Bibla dokumenton një bisedë mes Perëndisë dhe Satanait. Perëndia është i përsosur, prandaj ai s’ka sesi të ketë folur me një pjesë të ligë të vetvetes. (Ligji i përtërirë 32:4; Jobi 2:1-6) Në mënyrë të ngjashme, Satanai tundoi Jezuin, i cili është pa mëkat. (Mateu 4:8-10; 1 Gjonit 3:5) Kështu, Bibla tregon se Djalli ekziston vërtet dhe nuk është thjesht personifikim i ligësisë.

A duhet të habitemi që shumë njerëz nuk besojnë se Djalli ekziston? Aspak, pasi Bibla thotë se Satanai mashtron për t’i arritur qëllimet e tij. (2 Selanikasve 2:9, 10) Ai ka verbuar shumë njerëz, duke i bërë të besojnë se ai nuk ekziston, dhe ky është një nga mashtrimet e tij më të mëdha.—2 Korintasve 4:4.

Koncepte të tjera të gabuara për Djallin

E rreme: Lucifer është një emër tjetër për Djallin.

E vërtetë: Fjala hebraike që në disa versione të Biblës është përkthyer «Lucifer», ka kuptimin «[ai] që shkëlqen». (Isaia 14:12) Konteksti tregon se ky term i referohet dinastisë ose linjës mbretërore babilonase, të cilën Perëndia do ta poshtëronte për shkak të arrogancës së saj. (Isaia 14:4, 13-20) Shprehja «[ai] që shkëlqen» është përdorur për të tallur dinastinë babilonase pasi ra.

E rreme: Perëndia e përdor Satanain për të akuzuar njerëzit.

E vërtetë: Djalli është armiku i Perëndisë, jo shërbëtori i tij. Satana Djalli u kundërvihet dhe i akuzon padrejtësisht shërbëtorët e Perëndisë.—1 Pjetrit 5:8; Zbulesa 12:10.