Përgjigjja e Biblës

Asnjeri nuk e di ç’pamje kishte tamam Jezui, pasi paraqitja e tij fizike nuk përshkruhet në Bibël. Kjo tregon se tiparet fizike të Jezuit nuk janë të rëndësishme. E megjithatë Bibla na jep një ide të përgjithshme për paraqitjen e tij.

  • Tiparet fizike: Meqë nëna e Jezuit ishte judeje, ka të ngjarë që ai trashëgoi prej saj tiparet fizike që kishin në përgjithësi judenjtë. (Hebrenjve 7:​14) Ndaj tiparet e tij zor se ishin tepër të veçanta. Në një rast ai udhëtoi fshehtas nga Galilea në Jerusalem, pa e njohur askush. (Gjoni 7:​10, 11) Dhe me sa duket nuk binte në sy as mes dishepujve më të afërt. Sill ndër mend se Judë Iskarioti duhej t’ia identifikonte Jezuin turmës së armatosur që e arrestoi.​—Mateu 26:47-​49.

  • Gjatësia e flokëve: S’ka gjasa që Jezui të ketë pasur flokë të gjatë, sepse Bibla thotë se «nëse një burrë ka flokë të gjatë, kjo është çnderim për të».​—1 Korintasve 11:14.

  • Mjekra: Jezui mbante mjekër. Ai zbatonte ligjin judaik, i cili i urdhëronte meshkujt ‘të mos i shkurtonin cepat e mjekrës’. (Levitiku 19:27; Galatasve 4:4) Gjithashtu, Bibla e përmend mjekrën e Jezuit në një profeci që flet për vuajtjet e tij.​—Isaia 50:6.

  • Trupi: Të gjitha të dhënat tregojnë se Jezui ishte truplidhur. Ai udhëtoi shumë kilometra gjatë shërbimit të tij. (Mateu 9:​35) E pastroi dy herë tempullin judaik duke ua përmbysur tryezat këmbyesve të parave, dhe në një rast largoi bagëtitë duke përdorur një kamxhik. (Luka 19:45, 46; Gjoni 2:​14, 15) Në enciklopedinë e Meklintokut dhe të Strongut thuhet: «E gjithë historia e ungjijve tregon se [Jezui] kishte trup të shëndetshëm dhe ishte plot energji.»​—Vëllimi IV, faqja 884.

  • Shprehjet e fytyrës: Jezui ishte i përzemërt dhe i dhembshur e s’ka dyshim që fytyra e tij i pasqyronte këto cilësi. (Mateu 11:28, 29) Njerëz të çdo lloji e kërkonin për ndihmë e ngushëllim. (Luka 5:​12, 13; 7:​37, 38) Madje edhe fëmijët ndiheshin rehat me të.​—Mateu 19:13-​15; Marku 9:​35-​37.

Ide të gabuara për pamjen e Jezuit

Ide e gabuar: Disa pretendojnë se Jezui duhej të kishte origjinë afrikane, pasi libri i Zbulesës i krahason flokët e tij me leshin, dhe këmbët me ‘bronzin e kulluar’.​—Zbulesa 1:​14, 15, Diodati i Ri.

E vërtetë: Libri i Zbulesës paraqitet ‘me anë të shenjave’. (Zbulesa 1:1) Gjuha e figurshme me të cilën përshkruhen flokët dhe këmbët e Jezuit ilustron cilësitë e tij pas ringjalljes dhe jo pamjen fizike kur ishte në tokë. Te Zbulesa 1:​14 krahasimi lidhet me ngjyrën e jo me përbërjen kur thuhet se ‘koka dhe flokët e Jezuit zbardhonin si lesh i bardhë, si borë’. Kjo përfaqëson mençurinë e tij falë moshës. (Zbulesa 3:​14) Ky varg nuk po krahason përbërjen e flokëve të Jezuit me leshin, ashtu siç nuk po krahason përbërjen e flokëve të tij me borën.

Këmbët e Jezuit ngjanin «porsi bakri i kulluar kur flakëron në furrë». (Zbulesa 1:​15) Kurse fytyra e tij ishte «si dielli kur shkëlqen me gjithë fuqinë e tij». (Zbulesa 1:​16) Meqë nuk ekziston një racë njerëzore me ngjyrën e lëkurës që paraqitet në këtë përshkrim, ky vegim duhet të jetë simbolik dhe tregon Jezuin e ringjallur «që banon në dritë të paafrueshme».​—1 Timoteut 6:​16.

Ide e gabuar: Jezui ishte i pafuqishëm dhe i brishtë.

E vërtetë: Jezui kishte sjellje burrërore. Për shembull, u identifikua plot guxim para turmës së armatosur që kishte ardhur për ta arrestuar. (Gjoni 18:​4-8) Gjithashtu duhet të ketë qenë i fortë fizikisht, meqenëse punonte si zdrukthëtar që përdorte vegla dore.​—Marku 6:3.

Atëherë, pse Jezuit iu desh ndihmë që të mbante shtyllën e torturës? Dhe, pse vdiq më përpara se të tjerët që u ekzekutuan me të? (Luka 23:26; Gjoni 19:31-​33) Pak para se të ekzekutohej, Jezui ishte bërë goxha i pafuqishëm. Gjithë natën s’kishte vënë pikë gjumi në sy, pjesërisht për shkak të ankthit që e kishte pushtuar. (Luka 22:42-​44) Gjatë natës judenjtë e kishin keqtrajtuar dhe mëngjesin pasues romakët e kishin torturuar. (Mateu 26:67, 68; Gjoni 19:​1-3) Ka mundësi që këta faktorë t’ia kenë përshpejtuar vdekjen.

Ide e gabuar: Jezui ishte gjithmonë i zymtë dhe melankolik.

E vërtetë: Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij qiellor, Jehovait, të cilin Bibla e përshkruan si ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:​11; Gjoni 14:9) Vetë Jezui u mësoi të tjerëve si të ishin të lumtur. (Mateu 5:​3-9; Luka 11:28) Këto fakte tregojnë se Jezui e pasqyronte shpesh lumturinë me anë të shprehjeve të fytyrës.