Përgjigjja e Biblës

Fjalët «shpëtoj» e «shpëtim» ndonjëherë janë përdorur nga shkrimtarët biblikë për të dhënë idenë e çlirimit nga rreziku ose nga shkatërrimi. (Dalja 14:13, 14; Veprat 27:20) Por, shpesh ato janë përdorur edhe për të nënkuptuar çlirimin nga mëkati. (Mateu 1:​21) Ngaqë vdekja është pasojë e mëkatit, kush shpëton nga mëkati, ka shpresën të jetojë përgjithmonë.​—Gjoni 3:​16, 17. *

Cila është rruga drejt shpëtimit?

Për të shpëtuar, duhet të kesh besim te Jezui dhe ta tregosh besimin duke iu bindur urdhërimeve të tij.​—Veprat 4:​10, 12; Romakëve 10:​9, 10; Hebrenjve 5:9.

Bibla tregon se, për të provuar që besimi yt është i gjallë, duhet ta tregosh bindjen me vepra. (Jakovi 2:​24, 26) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se mund ta arrish vetë shpëtimin. Ai është «dhuratë e Perëndisë» që bazohet në ‘dashamirësinë e tij të pamerituar’ ose në ‘mëshirën’ e tij.​—Efesianëve 2:​8, 9; Bibla ECM.

A mund të ndodhë që ta humbësh shpëtimin?

Po. Ashtu si një njeri i shpëtuar nga mbytja mund të bjerë ose të hidhet përsëri në ujë, ai që është shpëtuar nga mëkati, por që nuk arrin të tregojë besim, mund ta humbasë shpëtimin. Për këtë arsye, të krishterët që kanë marrë shpëtimin, Bibla i nxit ‘të luftojnë me të gjitha forcat për besimin’. (Juda 3) Gjithashtu i paralajmëron ata që janë shpëtuar: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»​—Filipianëve 2:​12.

Kush është Shpëtimtari​—Zoti apo Jezui?

Bibla tregon se burimi kryesor i shpëtimit është Zoti dhe shpesh i referohet atij si «Shpëtimtar». (1 Samuelit 10:19; Isaia 43:11; Titit 2:​10; Juda 25) Madje, Zoti përdori njerëz të ndryshëm për të çliruar kombin e lashtë të Izraelit, dhe Bibla i quan ata «shpëtimtarë». (Nehemia 9:​27; Gjykatësit 3:​9, 15; 2 Mbretërve 13:5) * Po kështu, meqë Perëndia sjell shpëtimin nga mëkati me anë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit, Bibla i referohet Jezuit si «Shpëtimtar».​—Veprat 5:​31; Titit 1:4. *

A do të shpëtojnë të gjithë?

Jo, disa njerëz nuk do të shpëtojnë. (2 Selanikasve 1:9) Kur Jezuin e pyetën «A është e vërtetë se pak veta do të shpëtojnë?», ai iu përgjigj: «Përpiquni fuqimisht të hyni nga dera e ngushtë. Unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.»​—Luka 13:23, 24.

Koncepte të gabuara mbi shpëtimin e të gjithë njerëzve

Koncept i gabuar: Shprehja «në Krishtin të gjithë do të ngjallen», te 1 Korintasve 15:22, nënkupton se do të shpëtojnë të gjithë njerëzit.

Fakt: Konteksti i këtij vargu flet për ringjalljen. (1 Korintasve 15:12, 13, 20, 21, 35) Prandaj, shprehja «në Krishtin të gjithë do të ngjallen» do të thotë thjesht se të gjithë ata që ringjallen, e marrin këtë bekim nëpërmjet Jezu Krishtit.​—Gjoni 11:25.

Koncept i gabuar: Titit 2:​11 mëson se do të shpëtojnë të gjithë njerëzit kur thotë se «hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve».​—Diodati i Ri.

Fakt: Fjala greke që në këtë varg përkthehet «gjithë», do të thotë edhe «çdo lloj». * Pra, domethënia e saktë e Titit 2:​11 është se Zoti po ia ofron shpëtimin çdo lloj njeriu, përfshirë njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët».​—Zbulesa 7:​9, 10.

Koncept i gabuar: Te 2 Pjetrit 3:9 mësohet se do të shpëtojnë të gjithë njerëzit kur thotë se Perëndia «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë».

Fakt: Zoti dëshiron që njerëzit të shpëtojnë, por nuk i detyron ta pranojnë masën e tij për shpëtim. Në ‘ditën e tij të gjykimit do të shkatërrohen njerëzit e paperëndishëm’.​—2 Pjetrit 3:7.

^ par. 3 Bibla e konsideron ‘të shpëtuar’ dikë edhe pse shpëtimi i mirëfilltë nga mëkati e vdekja nuk ka ndodhur akoma.​—Efesianëve 2:5; Romakëve 13:11.

^ par. 10 Në këto vargje, në vend të «shpëtimtar» disa përkthime përdorin fjalët «kampion», «çlirimtar», «hero», «udhëheqës» e madje «dikush». Megjithatë, në tekstin origjinal hebraik të Biblës, përdoret e njëjta fjalë si kur flet për shpëtimtarët njerëzorë, ashtu edhe kur i referohet Perëndisë Jehova si Shpëtimtar.​—Psalmi 7:​10.

^ par. 10 Emri Jezu vjen nga emri hebraik Jehohshuʹaʽ, që do të thotë «Jehovai është shpëtim».

^ par. 17 Shih Vine’s Complete Expository Dictionary of Old and New Testament Words. E njëjta fjalë në greqisht del te Mateu 5:​11, ku Jezui pohon se njerëzit do të thoshin «çdo lloj gjëje» të ligë kundër dishepujve të tij.