Përgjigjja e Biblës

Fryma e shenjtë është fuqia e Perëndisë në veprim, forca e tij vepruese. (Mikea 3:8; Luka 1:35) Kur dërgon frymën e shenjtë, Perëndia çon energjinë e tij në çdo vend, për të kryer vullnetin e tij.​—Psalmi 104:30; 139:7.

Në Bibël, fjala «frymë» është përkthyer nga fjala hebraike rúah dhe nga fjala greke pneúma. Në shumicën e rasteve, këto fjalë i referohen forcës vepruese të Perëndisë, ose frymës së shenjtë. (Zanafilla 1:2) Megjithatë, Bibla i përdor këto fjalë edhe në kuptime të tjera:

Të gjitha këto kuptime japin idenë e diçkaje të padukshme për njerëzit, por që jep efekte të dukshme. Në mënyrë të ngjashme, fryma e Perëndisë, «ashtu si era, është e padukshme, jomateriale dhe e fuqishme».​—An Expository Dictionary of New Testament Words, nga W. E. Vine.

Bibla përmend edhe ‘duart’ ose ‘gishtërinjtë’ e Perëndisë për t’iu referuar frymës së tij të shenjtë. (Psalmi 8:3; 19:1; Luka 11:20; krahaso Mateun 12:28) Ashtu si një zanatçi përdor duart dhe gishtat për të kryer punën, Perëndia e ka përdorur frymën e tij për të bërë:

Fryma e shenjtë nuk është një person

Kur i referohet frymës së Perëndisë me fjalët ‘duart’, ‘gishtërinjtë’ ose ‘fryma’, Bibla tregon se fryma e shenjtë nuk është një person. (Dalja 15:8, 10) Duart e një zanatçiu nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga mendja ose trupi i tij. Po ashtu, edhe fryma e shenjë e Perëndisë vepron vetëm siç e drejton ai. (Luka 11:13) Gjithashtu, Bibla e krahason frymën e Perëndisë me ujin, dhe e lidh me gjëra të tilla, si besimi dhe njohuria. Të gjitha këto krahasime tregojnë se fryma e shenjtë nuk është një person.​—Isaia 44:3; Veprat 6:5; 2 Korintasve 6:6.

Bibla e përmend emrin e Perëndisë Jehova dhe të Birit të tij, Jezu Krishtit, por frymës së shenjtë nuk i vë asnjë emër. (Isaia 42:8; Luka 1:31) Kur Stefani, një martir i krishterë, pa me anë të një mrekullie një vegim qiellor, ai pa vetëm dy persona, jo tre. Bibla thotë: «Ai, plot me frymë të shenjtë, ia nguli sytë qiellit, pa lavdinë e Perëndisë e të Jezuit që qëndronte në të djathtën e Perëndisë.» (Veprat 7:55) Fryma e shenjtë ishte fuqia e Perëndisë në veprim dhe falë saj, Stefani mund të shihte vegimin.

Koncepte të gabuara për frymën e shenjtë

Koncept i gabuar: Fryma e shenjtë është person dhe është pjesë e Trinitetit, siç thuhet te 1 Gjonit 5:7, 8 në përkthimin e Biblës Diodati i Ri.

Fakt: Përkthimi Diodati i Ri përfshin te 1 Gjonit 5:7, 8 fjalët «në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një. Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe». Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar se këto fjalë nuk i ka shkruar apostulli Gjon, prandaj nuk i përkasin Biblës. Profesori Bruce M. Metzger shkroi: «Që këto fjalë janë të sajuara dhe s’kanë asnjë të drejtë të jenë pjesë e Dhiatës së Re, kjo është e sigurt.»​—A Textual Commentary on the Greek New Testament.

Koncept i gabuar: Bibla e personifikon frymën e shenjtë, dhe kjo vërteton se ajo është një person.

Fakt: Ndonjëherë, Shkrimet e personifikojnë frymën e shenjtë, por kjo nuk vërteton se ajo është një person. Bibla personifikon edhe mençurinë, vdekjen e mëkatin. (Proverbat 1:20; Romakëve 5:17, 21) Për shembull, për mençurinë thuhet se ka ‘vepra’ dhe ‘fëmijë’. Kurse për mëkatin thuhet se josh, vret dhe prodhon lakmi.​—Mateu 11:19; Luka 7:35; Romakëve 7:8, 11.

Në mënyrë të ngjashme, kur apostulli Gjon citoi fjalët e Jezuit, ai e personifikoi frymën e shenjtë duke e quajtur ‘ndihmës’, i cili jep dëshmi, drejton, flet, dëgjon, shpall, jep lavdi dhe merr. Gjoni përdori përemrin vetor të gjinisë mashkullore «ai» kur iu referua këtij «ndihmësi». (Gjoni 16:7-15) Por, ai e bëri këtë sepse fjala ‘ndihmës’ në greqisht (parákletos) është emër i gjinisë mashkullore që, sipas rregullave gramatikore të greqishtes, kërkon një përemër të gjinisë mashkullore. Kur Gjoni iu referua frymës së shenjtë me fjalën pneúma në gjininë asnjanëse, ai përdori një përemër në gjininë asnjanëse.​—Gjoni 14:16, 17.

Koncept i gabuar: Pagëzimi bëhet në emër të frymës së shenjtë, dhe kjo vërteton se ajo është një person.

Fakt: Ndonjëherë, Bibla e përdor fjalën «emër» për t’iu referuar fuqisë ose autoritetit. (Ligji i përtërirë 18:5, 19-22; Estera 8:10) Kjo është njësoj si përdorimi i shprehjes «në emër të ligjit», që nuk do të thotë se ligji është një person. Ai që pagëzohet «në emër të» frymës së shenjtë, pranon fuqinë dhe rolin e saj në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë.​—Mateu 28:19.

Koncept i gabuar: Apostujt e Jezuit dhe dishepujt e tjerë të hershëm besonin se fryma e shenjtë ishte një person.

Fakt: As Bibla, as historia nuk e thonë këtë. Një enciklopedi (Encyclopædia Britannica) thotë: «Përkufizimi se Fryma e Shenjtë ishte një Person hyjnor më vete . . . u vendos në Këshillin e Kostandinopojës në vitin 381 të e.s.» Kjo ndodhi mbi 250 vjet pasi kishte vdekur apostulli i fundit.