Pse të bën të ndihesh keq?

Disa fjalë janë dashakeqe, për shembull mund të jenë gënjeshtra të qëllimshme për të të prishur reputacionin. Por, edhe nëse fjalët që thonë për ty nuk janë aq të rënda, prapëseprapë mund të të lëndojnë, sidomos kur i përhap dikush që ti e mendoje të afërt.​—Psalmi 55:12-14.

«Mora vesh se një shoqe fliste për mua pas shpine dhe thoshte se mua s’më bëhej vonë për të tjerët. Kjo më lëndoi vërtet! S’arrija ta kuptoja pse duhej ta thoshte diçka të tillë.»​Ashli.

Fakt: Qoftë shok i ngushtë ose jo ai që përhap fjalë, nuk të vjen aspak mirë kur merr vesh që flasin keq për ty.

 Lajmi i keq: nuk mund ta shmangësh gjithmonë

Njerëzit mund të flasin për të tjerët për një sërë arsyesh, disa prej të cilave janë:

Interesi i sinqertë. Njerëzit janë krijuar për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin. Prandaj është më se e natyrshme që të flasim me (dhe për) njëri-tjetrin. Në fakt, Bibla na nxit të tregojmë deri në njëfarë mase «interes» për të tjerët.​Filipianëve 2:4.

«Njerëzit janë gjithmonë tema më interesante.»​—Bianka.

«Duhet ta pranoj, më pëlqen të di se çfarë ndodh me njerëzit dhe ta bëj temë bisede me të tjerët. Nuk e di pse, por më pëlqen.»​—Kejti.

Mërzia. Në kohët biblike, kishte nga ata që «e kalonin kohën e lirë veç duke treguar a duke dëgjuar ndonjë gjë të re». (Veprat 17:21) E njëjta gjë vlen edhe sot.

«Ndonjëherë, kur nuk ka ndodhur asgjë interesante, njerëzit e krijojnë vetë që të kenë për çfarë të flasin.»​—Joana.

Pasiguria. Jo më kot, Bibla na paralajmëron të mos kemi prirjen për t’u krahasuar me të tjerët. (Galatasve 6:4) Mjerisht, për të përballuar pasigurinë, disa përhapin thashetheme.

«Thashethemet zakonisht tregojnë diçka për thashethemexhinjtë. Shpesh tregojnë se thellë-thellë e kanë zili atë që po marrin nëpër gojë. Flasin lart e poshtë për t’u ndier mirë me veten, për të bindur veten se janë më të mirë se ai.»​—Fili.

Fakt: Të pëlqen apo jo, njerëzit do të flasin për të tjerët, madje edhe për ty.

 Lajmi i mirë: s’ka pse të të paralizojë

Ka të ngjarë që nuk mund t’i parandalosh të gjitha fjalët që thuhen për ty, por ama mund të zgjedhësh si të reagosh ndaj tyre. Nëse merr vesh se për ty po qarkullojnë fjalë, ke të paktën dy mundësi.

MUNDËSIA 1: Shpërfilli. Shpesh, zgjidhja më e mirë është thjesht t’i shpërfillësh, veçanërisht kur janë fjalë pa shumë peshë. Zbato këshillën biblike: «Mos u fyej shpejt.»​—Eklisiastiu 7:9.

«Njëherë dolën fjalë se po dilja me një djalë që as nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ishte një gjë kaq koti, sa thjesht e kalova me një të qeshur.»​—Elisa.

«Reputacioni i mirë është arma më e fortë kundër fjalëve që thuhen për ty. Edhe nëse dalin thashetheme, kur ke reputacion të mirë, pak veta do t’i besojnë. Ka më tepër gjasa që e vërteta të triumfojë.»​—Alisona.

Këshillë: Shkruaj (1) çfarë është thënë për ty dhe (2) si të bëri të ndihesh. Pasi t’i kesh ‘folur zemrës’, do ta kesh më të lehtë të mos ia vësh veshin.​—Psalmi 4:4.

MUNDËSIA 2: Sqarohu me atë që i përhapi fjalët i pari. Në disa raste mund të mendosh se fjalët që janë thënë për ty, janë kaq të rënda, sa e ke vërtet të nevojshme të flasësh me personin që nisi gjithçka.

«Nëse shkon të flasësh me ata që të marrin nëpër gojë, ata mund të mësojnë se, herët a vonë, ato fjalë do të shkojnë në vesh të atij që përflitet. Përveç kësaj, mund të sqaroheni dhe ndoshta ta zgjidhni problemin.»​Elisa.

Para se të shkosh të flasësh me dikë që ka thënë diçka për ty, shqyrto këto parime biblike dhe bëji vetes pyetjet përkatëse.

  • «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është . . . marrëzi.» (Proverbat 18:13) «A i di vërtet të gjitha faktet? Mos vallë personi që më tha, i ka keqkuptuar fjalët që ka dëgjuar?»

  • ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt.’ (Jakovi 1:19) «A është tani koha më e mirë për t’u sqaruar me atë që ka përhapur fjalët? A jam i sigurt se po e shoh këtë çështje me objektivitet? Apo është më mirë të kalojë ca kohë dhe të qetësohem?»

  • «Trajtojini njerëzit ashtu siç doni që t’ju trajtojnë edhe ju.» (Mateu 7:12, Bibla ECM) «Nëse do të isha në vend të tjetrit, si do të doja të ma thoshin? Në çfarë rrethanash do të preferoja ta diskutoja problemin? Cilat fjalë dhe cili qëndrim do të kishin më tepër efekt?»

Këshillë: Para se të shkosh të sqarohesh me atë që ka përhapur fjalët, shkruaj se çfarë ke në plan t’i thuash. Pastaj, prit një ose dy javë, lexoje përsëri atë që ke shkruar dhe shih nëse do të bësh ndonjë ndryshim. Gjithashtu, diskutoje planin me një prind ose një mik të pjekur dhe kërkoji këshilla.

Fakt: Si shumë gjëra në jetë, edhe fjalët që thuhen për ty nuk mund t’i kesh gjithmonë nën kontroll. Por kjo nuk do të thotë se ato duhet të të mbajnë ty nën kontroll.