Pse duhet të të interesojë veshja? Sepse veshja flet. Çfarë thotë për ty?

 Tri gabime të mëdha që bëhen me modën dhe si t’i shmangësh

Gabimi 1: Ta lejosh median të diktojë lukun tënd.

«Ndonjëherë më tërheq një modë e caktuar sepse e kam parë shumë në reklama,—thotë një adoleshente me emrin Tereza.—Kur e ke kokën të bombarduar me imazhe të asaj veshjeje, është e vështirë të mos e veshësh.»

Nuk ndikohen vetëm vajzat nga reklamat. Një libër thotë: «Edhe djemtë ndikohen po njësoj nga prirjet e modës. Që të vegjël, ata bëhen shënjestër e marketuesve.»The Everything Guide to Raising Adolescent Boys

Një udhë më e mirë: Bibla thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Në përputhje me këtë parim, mëso të analizosh mirë çfarë sheh në reklama. Për shembull, kur sheh reklama për veshje që etiketohen si «joshëse», «provokuese» ose «seksi», pyet veten:

  • «Kush përfiton në të vërtetë nëse ndjek këtë modë?»

  • «Me ç’stil jetese do ta lidhin veshjen time?»

  • «Ky stil jetese, a tregon kush jam unë dhe çfarë është e rëndësishme për mua?»

Sugjerim: Për një javë shihi me vëmendje reklamat e veshjeve dhe mjetet e tjera të medias që lidhen me modën. Çfarë stili jetese reklamojnë? A ka ndonjë kleçkë pas gjithë kësaj që të të bëjë të besosh se duhet ta ndjekësh patjetër atë modë? Një adoleshente me emri Kerën thotë: «Presioni për t’u dukur përsosur, për t’u veshur përsosur dhe për t’u mburrur me trupin ‘e përsosur’, është shumë i madh. Reklamuesit që e kanë kuptuar këtë, i shtien kollaj në dorë të rinjtë.»

Gabimi 2: Të ndjekësh modën vetëm që të pranohesh nga shoqëria.

«Nëse një lloj veshjeje futet në modë,—thotë një adoleshent me emrin Manuel,—të gjithë do të fillojnë ta veshin. Nëse nuk e vesh, të gjykojnë.» Ana, një adoleshente, thotë të njëjtën gjë: «Puna është më shumë te pranimi nga shoqëria sesa te moda.»

Një udhë më e mirë: Bibla thotë: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» (Romakëve 12:2) Në përputhje me këtë këshillë, hidhi një sy garderobës sate dhe pyet veten:

  • «Çfarë mbaj parasysh kur zgjedh rrobat?»

  • «Sa rëndësi ka për mua të kem rroba firmato?»

  • «A përpiqem t’u bëj përshtypje njerëzve me veshjen time?»

Sugjerim: Mos u kufizo vetëm te dy alternativa: trendi (i pranuar) ose demode (i refuzuar). Merr parasysh një alternativë të tretë: i sigurt në vetvete. Sa më rehat të ndihesh me veten, aq më pak do të merakosesh për t’u pranuar nga të tjerët.

Gabimi 3: Të mendosh «sa më seksi, aq më mirë».

«Sinqerisht, ndonjëherë tundohesh të veshësh diçka disi provokuese, si për shembull tepër të shkurtër, tepër të ngushtë ose tepër ekspozuese»,—pranon një vajzë me emrin Xhenifer.

Një udhë më e mirë: Bibla thotë: «Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, . . . por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës.» (1 Pjetrit 3:3, 4) Në përputhje me këtë këshillë, mendo se çfarë është më tërheqëse: rrobat që tërheqin syrin apo cilësitë që prekin zemrën?

Këshillë: «Aksesori» më i mirë është modestia. Është e vërtetë, fjala modesti nuk është edhe aq në modë sot. Por mendo pak.

A ke biseduar ndonjëherë me dikë që flet shumë dhe vetëm për veten? Mjerisht, ndoshta as që i shkon ndër mend se po të largon.

Veshja është si bisedat; sa më shumë të tërheqësh vëmendjen te vetja, aq më shumë i largon të tjerët

Kur vishesh pa modesti, bëhesh si ai. Me veshjen tënde u thua të tjerëve «më shihni mua» dhe kështu mund të dukesh i pasigurt a i dashuruar me veten, ose të dyja bashkë. Gjithashtu, mund të dukesh sikur po vdes për pak vëmendje, qoftë edhe për llojin e gabuar.

Në vend që të reklamosh diçka që nuk e shet, provo të jesh modest. Një adoleshente me emrin Monika pohon: «Modesti nuk do të thotë të vishesh si gjyshe. Do të thotë të kesh respekt për veten dhe për ata që ke afër.»