Ti do që të jesh i gatshëm kur një shok ka nevojë të flasë. Dhe, kohët e fundit ke folur goxha me një prej tyre. Problemi është se i përket seksit tjetër. Mendon me vete «jemi vetëm shokë», duke hamendësuar se edhe tjetri ndihet po njësoj. A ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar?

 Ç’mund të ndodhë

Nuk është gabim të kesh shokë të seksit tjetër. Po sikur të zhvillosh një miqësi të veçantë vetëm me një prej tyre? Në këtë rast ai ose ajo me të drejtë mund të arrijë në përfundimin se ti do që të jeni më shumë se shokë.

A është vërtet ky mesazhi që dëshiron të përcjellësh? Shqyrto disa mënyra si mund të ndodhë kjo, qoftë edhe pa dashje.

  • I kushton tepër vëmendje dikujt.

    «Edhe pse s’mund t’i kontrollosh ndjenjat e dikujt, nuk duhet t’i hedhësh benzinë zjarrit duke i telefonuar e duke folur me dikë që thua se jeni vetëm shokë.»—Sierra.

  • E bën të dukshme se të pëlqen.

    «Edhe pse nuk i shkrova unë i pari, u përgjigjesha gjithmonë mesazheve të panumërta të një goce. Pas kësaj e pata shumë të vështirë t’i shpjegoja se e konsideroja thjesht shoqe.»—Riçardi.

  • Po nxit vëmendjen e dikujt.

    «Disa e shohin flirtimin si lojë. Ata luajnë me ndjenjat e të tjerëve, pa qenë vërtet të interesuar për një lidhje. Kushedi sa herë e kam parë të përsëritet këtë gjë dhe gjithmonë një nga të dy lëndohet.»—Tamara.

Përfundimi: Komunikimi dhe vëmendja e vazhdueshme tregojnë se ke interes romantik.

 Pse ka rëndësi

  • Lëndon tjetrin.

    Bibla thotë: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» (Proverbat 13:12) Çfarë do të prisje ti nga dikush që vazhdon të të dërgojë sinjale romantike ose që shfaq interes për ty?

    «Një shprehje e njohur thotë: ‘As mish, as peshk.’ Kur nuk je i interesuar të lidhesh me dikë, ama e mban të varur, është pak a shumë si të zësh një peshk e ta mbash varur në grep. Kjo do t’i shkaktonte shumë dhembje personit tjetër.»—Xhesika.

  • Të prish reputacionin.

    Bibla thotë: «Duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.» (Filipianëve 2:4) Si do ta cilësoje dikë që mendon vetëm për vete? Si do të ndikonte kjo sjellje te reputacioni i personit?

    «S’më tërheq fare një çun që flirton. Flirtimi mund të jetë shenjë paraprake e jobesnikërisë në martesë. Do të thotë të përdorësh dikë që të të rritë vlerësimin për veten, dhe kjo është egoiste.»—Julia.

Përfundimi: Njerëzit që dërgojnë sinjale romantike pa qenë vërtet të interesuar për një lidhje, lëndojnë të tjerët dhe veten.

 Ç’mund të bësh

  • Bibla thotë t’i trajtojmë «më të rinjtë si vëllezër» dhe «më të rejat si motra, me plot dëlirësi». (1 Timoteut 5:1, 2) Po t’u përmbahesh standardeve të Biblës, do të ruash shoqërinë me ata të seksit tjetër.

    «Po të isha e martuar, nuk do të flirtoja me bashkëshortin e dikujt tjetër. Tani që jam beqare, është një stërvitje e mirë për mua që të jem e ekuilibruar në marrëdhëniet me seksin tjetër.»—Lea.

  • Bibla thotë: «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja.» (Proverbat 10:19) Ky parim nuk zbatohet vetëm për bisedat, por edhe për mesazhet—përfshirë numrin e mesazheve dhe përmbajtjen e tyre.

    «S’ka nevojë t’i shkruash përditë një vajze, përveçse nëse po mendon të lidhesh me të.»—Brajani.

  • Bibla thotë: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë.» (Jakovi 3:17) Një përqafim mund të jetë shenjë e një shoqërie të pastër ose shenjë interesi romantik.

    «Përpiqem të bëj biseda miqësore, ama duke mbajtur njëfarë distance qoftë fizikisht, qoftë emocionalisht.»—Maria.

Përfundimi: Analizo me kujdes si sillesh me seksin tjetër. Një adoleshente me emrin Xhenifer, thotë: «Është e vështirë të gjesh shoqëri të mira, prandaj pse t’i prishësh kot.»

 Sugjerime

  •  Kushtoji vëmendje komenteve të të tjerëve. Nëse dikush të pyet «je lidhur gjë me filanin», kjo mund të tregojë se jeni afruar shumë me njëri-tjetrin.

  •  Sillu njësoj me të gjithë shokët e seksit tjetër. Mos veço vetëm një, duke i dhënë atij ose asaj më shumë vëmendje se të tjerëve.

  • Trego kujdes me mesazhet—përfshirë numrin e mesazheve që dërgon, përmbajtjen dhe orarin kur i dërgon. «S’ka pse t’i shkruash dikujt të seksit tjetër në mes të natës»,—thotë Alisa.