Të pëlqen vërtet një person i seksit tjetër dhe je i sigurt se ai ose ajo ndien të njëjtën gjë. Në fund të fundit, shkëmbeni mesazhe gjithë ditën, rrini gjithmonë bashkë kur dilni me shoqërinë . . .  dhe disa prej mesazheve që ky person të dërgon, janë komplet flirtuese.

Prandaj, që të sigurohesh se të dy ndieni të njëjtën gjë, ti vendos ta pyesësh. Përgjigjja? «Të shoh vetëm si shoqe (shok), asgjë më shumë.»

 Si të bën të ndihesh?

«Më vinte inat, me të dhe me veten! Shkëmbenim mesazhe çdo ditë dhe ai tregonte vërtet interes për mua. Kuptohet, më lindën ndjenja për të.»—Xhasmina.

«Bashkë me këtë vajzën shoqëronim një çift që po njiheshin. Ndonjëherë dukej sikur ishim dy çifte. Ne të dy flisnim goxha me njëri-tjetrin dhe filluam të shkëmbenim mesazhe gjithë kohës. E pata të vështirë ta kapërdija kur më tha se më shihte vetëm si shok dhe që ndërkohë po dilte me dikë tjetër.»—Riçardi.

«Një çun më dërgonte mesazhe çdo ditë dhe ndonjëherë të dy flirtonim. Por, kur i tregova se çfarë ndieja për të, qeshi dhe më tha ‘Nuk dua të lidhem me asnjë për momentin!’ Qava për shumë kohë.»—Tamara.

Përfundimi: Kur mendon se ke një lidhje të veçantë me dikë dhe pastaj zbulon se tjetri nuk ndien të njëjtën gjë, është më se e natyrshme të ndihesh i nevrikosur, i turpëruar e madje i tradhtuar. Një çun me emrin Stivën thotë: «M’u shemb toka nën këmbë kur më ndodhi mua, u lëndova jashtë mase. Mu desh shumë kohë para se t’i besoja sërish dikujt.»

 Pse ndodh?

Mesazhet dhe media sociale ta bëjnë shumë të lehtë të lidhesh emocionalisht me dikë që në të vërtetë nuk ka asnjë interes romantik për ty. Shiko se çfarë thonë disa të rinj.

«Disa mund të të dërgojnë mesazhe vetëm sa për të shtyrë kohën, ama ti mund t’i marrësh si shenjë interesi. Dhe nëse ai të dërgon mesazhe çdo ditë, gabimisht mund të mendosh se je vërtet e veçantë për të.»—Xheniferi.

«Një person ndoshta dëshiron të ketë një lidhje, ndërsa personi tjetër do thjesht të flasë me dikë, me dikë që t’i rritë vetëvlerësimin.»—Xhejmsi.

«Një mesazh që thjesht të uron ‘natën e mirë’ mund të marrë ngjyra romantike, ama mund të jetë dërguar me po aq ‘përzemërsi’ sa ajo e një shitësi telefonik.»—Hejli.

«Dërgimi i një fytyre të qeshur mund të jetë shenjë mirësjellje ose flirtimi. Ndonjëherë personi që merr mesazhin mund ta marrë si flirtim.»—Alisia.

Përfundimi: Mos e ngatërro vëmendjen me përzemërsinë!

Kollaj ta thuash, por jo ta bësh, apo jo? Bibla thotë: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jeremia 17:9) Ajo mund të të shtyjë të ngresh një kështjellë rëre që zhduket sapo kupton se kjo romancë ekzistonte vetëm në mendjen tënde.

 Çfarë mund të bësh?

  • Qëndro me këmbë në tokë. Bëj një hap mbrapa dhe analizoje këtë marrëdhënie. Pyet veten: «A kam arsye të forta për të menduar se ky person po më trajton ndryshe nga të tjerët?» Mos i lejo ndjenjat të dominojnë mbi «fuqinë për të arsyetuar».Romakëve 12:1.

  • Trego aftësi dalluese. Nga të gjitha shenjat që të bëjnë të mendosh se jeni më shumë se miq, kushtoji vëmendje të veçantë atyre që i ke me pikëpyetje. Mos supozo se vetëm ngaqë ti ndien diçka për të, ai ose ajo ndihet po njësoj.

  • Ki durim. Deri në momentin që personi të ta thotë hapur se do që të lidhet me ty, mos investo në këtë marrëdhënie më shumë nga ç’je i gatshëm të humbësh.

  • Tregohu i sinqertë. Bibla thotë se ka «një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Po deshe të marrësh vesh nëse dikush të sheh më shumë se shok a shoqe, fol me të. «Nëse nuk ndieni të njëjtën gjë,—thotë një vajzë me emrin Valeria,—është më mirë të lëndohesh pak tani se të vazhdosh me muaj para se të kuptosh se, që në fillim, personi nuk ishte i interesuar për ty.»

Përfundimi: Proverbat 4:23 thotë: «Ruaj zemrën.» Nëse të tërheq dikush, përpiqu të zbulosh nëse edhe ti i pëlqen. Të lejosh ndjenjat romantike të zënë rrënjë pa u siguruar për këtë, është si të përpiqesh të rritësh një bimë në gur.

Nëse zbulon se personi ka vërtet ndjenja për ty—dhe nëse je gati e aq i rritur sa të lidhesh me dikë—atëherë të takon ty të vendosësh nëse do ta vazhdosh si marrëdhënie. Mos harro se një martesë e fortë përbëhet nga një burrë e një grua që duan t’i shërbejnë Perëndisë njësoj, e gjithashtu janë të hapur e të sinqertë me njëri-tjetrin. (1 Korintasve 7:39) Historia e tyre pa dyshim ka filluar si shokë të mirë dhe vazhdon si e tillë.Proverbat 5:18.