A e ke të vështirë t’i bindesh një rregulli në familje? Ky artikull dhe fleta e punës që lidhet me të, do të të ndihmojnë të flasësh me prindërit.

 Pikëpamja e duhur

Mit: Kur të largohesh nga shtëpia, rregullat do të marrin fund një herë e mirë.

Fakt: Rregullat nuk zhduken kur largohesh nga shtëpia. Prapëseprapë do të të duhet t’i japësh llogari dikujt, mbase një punëdhënësi, një qiraxhiu ose edhe qeverisë. Danieli 19-vjeçar thotë: «Mendoj se të rinjtë që nuk u binden rregullave në familje, i pret një ‘surprizë’ e madhe kur të jetojnë vetëm.»

Bibla thotë: ‘Jini të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve.’ (Titit 3:1) Kur mëson t’u bindesh rregullave të prindërve, stërvitesh për çfarë do të kalosh në fusha të tjera të jetës si i rritur.

Ç’mund të bësh: Mëso të shohësh anën pozitive të rregullave. Një djalë me emrin Xheremi, shprehet: «Rregullat e prindërve më ndihmuan shumë si të zgjidhja shokët dhe si të organizoja kohën. Gjithashtu më ndihmuan të mos e ekzagjeroja me shikimin e televizorit e me lojërat elektronike, si dhe të merresha me aktivitete më të vlefshme, me disa prej të cilave kënaqem sot e kësaj dite.»

 Strategjia e duhur

Po nëse një rregull nuk të duket logjik? Për shembull, një vajzë me emrin Tamara, thotë: «Prindërit më lanë të ikja jashtë shtetit, por tani që u ktheva, nuk më lënë t’i jap makinës as deri në një qytet vetëm 20 minuta larg!»

Nëse je në një situatë të ngjashme, a do të ishte gabim të flisje me prindërit? Sigurisht që jo! Çelësi është të dish kur dhe si t’u flasësh.

Kur? Një adoleshente me emrin Amanda, shprehet: «Vetëm nëse ke dhënë prova prej kohësh se je i përgjegjshëm dhe nëse ke fituar besimin e prindërve, mund të flasësh me ta për të ndryshuar një rregull.»

Një vajzë me emrin Daria, provoi sa e vërtetë është kjo. Ajo thotë: «Vetëm kur pa që i bindesha vazhdimisht, mami filloi të mendonte për ndonjë ndryshim.» Mos harro, besimi fitohet, nuk kërkohet.

Të jetosh në një familje ku nuk respektohen rregullat, është si të përpiqesh të ulesh në një aeroport ku nuk respektohen rregullat e trafikut ajror

Bibla thotë: «Ruaje . . . urdhërimin e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Proverbat 6:20) Po t’ia vësh veshin kësaj këshille, do të fitosh besimin e prindërve dhe do ta kesh më të lehtë të flasësh me ta.

Si? Një djalë që quhet Stivën, pohon: «Mënyra më e mirë për të komunikuar me prindërit është të flasësh me respekt e me qetësi, jo duke u qaravitur e duke bërtitur.»

Daria, e përmendur më lart, është dakord me këtë. Ajo thotë: «Kur grindesha me mamin, asgjë nuk ndryshonte. Në fakt, disa herë ajo e bënte edhe më të rreptë rregullin.»

Bibla thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» (Proverbat 29:11) Nëse mëson të tregosh vetëkontroll, do të nxjerrësh shumë dobi jo vetëm në shtëpi, por edhe në shkollë, në punë e në vende të tjera.

Ç’mund të bësh: Mendohu para se të flasësh. Besimi që ke fituar, mund të shkatërrohet plotësisht nga një shpërthim zemërimi. Jo më kot Bibla thotë se «kush nuk zemërohet shpejt, është plot aftësi dalluese».Proverbat 14:29.

Këshillë: Fletën e punës që lidhet me artikullin, përdore për të arsyetuar mbi rregullat dhe, po qe e nevojshme, fol me prindërit për këtë temë.