Pse disa nuk janë të ndershëm?

Në botën e sotme, ndershmëria mund të shihet si disavantazh. Në fund të fundit, disa mund të mendojnë:

  • «Nëse nuk i gënjej prindërit, do të më dënojnë.»

  • «Nëse nuk kopjoj në provim, do të ngel.»

  • «Po të mos e vjedh, do të më duhet të kursej për ta blerë.»

«Pastaj, çfarë problemi ka?!—thonë disa.—Të gjithë mashtrojnë!»

Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Shumë njerëz, madje edhe shumë të rinj, besojnë se ia vlen të jesh i ndershëm, dhe me të drejtë. Bibla thotë: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Me fjalë të tjera, çdo gjë që bëjmë, ka pasojat e veta, të mira a të këqija qofshin.

Shih pasojat e këqija që kanë korrur disa për shkak të gënjeshtrave.

«E gënjeva mamin dhe i thashë se nuk po flisja me një çun. Por ajo kishte prova të qarta që tregonin se s’po i thosha të vërtetën. Pasi e gënjeva për së treti, asaj i erdhi në majë të hundës. Si dënim, nuk duhej të dilja për dy javë dhe nuk mund të përdorja celularin e të shihja televizor për një muaj. Që atëherë, nuk i gënjeva më prindërit.»—Anita.

Për të menduar: Pse mund t’i duhet ca kohë Anitës të rifitojë besimin e së ëmës?

Bibla thotë: «Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.»Efesianëve 4:25.

«I gënjeva prindërit dhe mendova se shpëtova derisa më kërkuan t’ua tregoja edhe një herë atë që u kisha treguar. Versioni im ishte kaq larg së vërtetës, sa nuk më kujtoheshin më hollësitë që kisha thënë herën e parë. Kur thua të vërtetën që në fillim, nuk i ke këto probleme.»—Entoni.

Për të menduar: Si mund ta kishte shmangur Entoni atë situatë të sikletshme?

Bibla thotë: «Buzët gënjeshtare janë të pështira për Jehovain, por ata që veprojnë me besueshmëri, janë kënaqësi për të.»Proverbat 12:22.

«Kam një shoqe që i zbukuron historitë e saj. Ca gjëra i ekzagjeron e ca i interpreton si i do qejfi. E dua fort dhe përpiqem të mos ia vë re, por e kam mjaft të vështirë t’u besoj gjërave që thotë ose bën.»—Ivona.

Për të menduar: Si ndikojnë ekzagjerimet dhe gënjeshtrat «e vogla» te reputacioni i shoqes së Ivonës?

Bibla thotë: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»Hebrenjve 13:18.

Nëse themeli ka plasaritje, e gjithë ndërtesa rrezikohet; po kështu, pandershmëria prish reputacionin tënd të mirë

 Pse ia vlen të jesh i ndershëm?

Tani shqyrto disa nga të mirat që korr kur tregohesh i ndershëm.

«Një gruaje që ecte para meje i ranë paratë. I thirra dhe ia dhashë. Më falënderoi dhe tha: «Ua, sa gocë e mirë! Jo të gjithë janë kaq të ndershëm.» U ndjeva shumë mirë që vuri re ndershmërinë time.»—Vivian.

Për të menduar: Pse mund të jetë habitur ajo grua kur pa një ndershmëri të tillë? Si u ndie Viviani pasi veproi me ndershmëri?

Bibla thotë: «Lum ata . . . që në çdo kohë bëjnë atë që është e drejtë!»Psalmi 106:3.

«Punojmë si familje në një firmë pastrimi dhe ndonjëherë, kur pastrojmë nëpër zyra, gjejmë përtokë monedha, që i lëmë mbi tavolinën më të afërt. Një punonjëse gati e bezdisur nga ndershmëria jonë, tha: ‘Është vetëm një qindarkë!’ Por në të vërtetë ajo kishte shumë besim te ne.»—Xhulia.

Për të menduar: A do ta ndihmojë Xhulian reputacioni i saj i ndershëm kur t’i duhet një referencë pune në të ardhmen?

Bibla thotë: «Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë.»2 Timoteut 2:15.

«Njëherë më paguan për 80 orë punë, ndërkohë që kisha punuar 64 orë. Por nuk mund t’i mbaja, megjithëse s’do të ishte keq. I thashë llogaritares sonë dhe ajo ishte shumë mirënjohëse. Firma jonë fiton goxha, por gjithsesi nuk doja t’i mbaja, sepse ishte si t’i kisha vjedhur.»—Betania.

Për të menduar: A është më pak e pandershme të vjedhësh nga një firmë sesa nga një individ?

Bibla thotë: «Njeriu hileqar është i pështirë për Jehovain, ndërsa të drejtët gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.»Proverbat 3:32.