Ja ç’mund të bësh

Mendo pozitivisht! Mos kujto se je kot fare vetëm ngaqë s’je i aftë të përmirësohesh. Kur të rrethojnë mendime negative për aftësitë e tua, zëvendësoji ato me mendime pozitive. Për shembull, kur apostullin Pavël e kritikuan (mbase pa shkak) për aftësitë e tij në të folur, ai u përgjigj: «Edhe nëse nuk jam i zoti në të folur, sigurisht që nuk jam i tillë në njohuri.» (2 Korintasve 10:10; 11:6) Pavli ishte i vetëdijshëm për dobësitë e tij. Por dinte edhe pikat e tij të forta. Po ti? Cilat janë pikat e tua të forta? Nëse nuk të vjen ndër mend ndonjë, pse të mos pyesësh një të rritur që të do të mirën? Një mik i tillë mund të të ndihmojë të dallosh pikat e tua të forta dhe t’i shfrytëzosh mirë.

Zhvillo zakone të mira studimi. Pa derdhur mund, nuk ka rezultate të mira në mësime. Herët a vonë, duhet t’i hysh studimit. Është e vërtetë se, në vetvete, fjala studim ndoshta s’tingëllon këndshëm. Megjithatë studimi është i dobishëm. Në fakt, me pak përpjekje, mund të bëhet i këndshëm. Për të fituar zakone të mira studimi, duhet të organizosh kohën. Mos harro se studimi duhet të jetë parësor. Është e vërtetë se Bibla thotë që ka «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu 3:1, 4; 11:9) Ndaj, si gjithë të rinjtë, mbase ke qejf të lësh kohë edhe për t’u zbavitur. Por Eklisiastiu 11:4 paralajmëron: «Kush vëzhgon erën, nuk do të mbjellë farë dhe kush shikon retë, nuk do të korrë.» Çfarë na mësojnë këto fjalë? Mos i zvarrit gjërat, përndryshe s’do ta mbarosh punën e rëndësishme. Në fillim vijnë mësimet, pastaj loja. Mos u bëj merak, mund të gjesh kohë për të dyja.

Ashtu si ngritja e peshave të forcon muskujt, edhe zakonet e mira të studimit të ndihmojnë në mësime.