Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.» (1 Timoteut 4:8) Mirëpo, shumë të rinj që thonë «duhet të bëj fizkulturë», duket se nuk e kanë edhe aq me qejf këtë.

«S’e ke idenë sa shumë nxënës ngelnin në fizkulturë kur isha në shkollë të mesme, megjithëse fizkultura ishte lënda më e lehtë, ishte bukë e djathë.»​—Riçardi, 21 vjeç.

«Disa mendojnë: ‘E pse të vrapoj jashtë në pikë të vapës derisa të djersit e të lodhem kur mund të bëj një lojë me video ku të më duket sikur jam unë ajo që po vrapon?’ »​—Rutha, 22-vjeçe.

Nëse mendon edhe ti kështu, mendo për tri «trofe» që do të marrësh po të ndjekësh një program të mirë fizkulture.

Trofeu nr. 1. Fizkultura të forcon imunitetin. «Babai im thoshte gjithmonë: ‘Nëse s’gjen kohë për fizkulturë, atëherë gjej kohë për t’u sëmurur’ »,—shprehet Rakela 19-vjeçe.

Trofeu nr. 2. Fizkultura çliron në tru substanca kimike që të qetësojnë. «Vrapi më lehtëson goxha kur kam shumë gjëra në kokë,—thotë Emilia 16 vjeçe.—Fizikisht ndihem e përtërirë dhe emocionalisht mjaft e lehtësuar.»

Trofeu nr. 3. Fizkultura mund të jetë argëtim. «Më pëlqejnë shumë veprimtaritë në natyrë,—thotë Rutha 22 vjeçe,—prandaj bëj ecje të shpejtë, not, xhiro me biçikletë dhe rrëshqas në dëborë.»

Sekreti i suksesit: Bëj të paktën tri herë në javë nga 20 minuta ushtrime energjike që të pëlqejnë.

Mos harro: Edhe pse faktorët gjenetikë kanë pjesën e tyre, gjendja jote fizike shpesh varet nga mënyra e jetesës që ti zgjedh. Prandaj, kur thua «duhet të bëj fizkulturë», e ke vetë në dorë; mund të bësh diçka.