«Njerëzit nuk ma hapin derën, pse t’ua hap unë atyre?»

«A s’ka gjëra më të rëndësishme sesa të vrasësh mendjen që të thuash të lutem, faleminderit dhe më fal?»

«S’është nevoja t’i tregoj mirësjellje motrës ose vëllait. Jemi tanët.»

A e gjen veten në ndonjë nga këto pohime? Nëse po, je duke i privuar vetes dobitë e mirësjelljes!

 Ç’duhet të dish për normat e mirësjelljes?

Normat e mirësjelljes mund të të përmirësojnë tri fushat e mëposhtme të jetës:

  1. Reputacionin. Mënyra si i trajton, u bën përshtypje njerëzve, për mirë ose për keq. Nëse je i sjellshëm, ka të ngjarë që të të marrin për të pjekur e të përgjegjshëm dhe të të trajtojnë po njësoj. Megjithatë, nëse je i pasjellshëm, njerëzit do të mendojnë se je i përqendruar vetëm te vetja dhe mund të mos gjesh punë ose mund t’i privosh vetes mundësi të tjera. Edhe Bibla thotë se «njeriu mizor e fut veten në telashe».Proverbat 11:17; shih shënimin.

  2. Jetën sociale. Bibla thotë: «Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:14) Kjo është më se e vërtetë kur bëhet fjalë për shoqërinë. Njerëzve u pëlqejnë ata që janë të sjellshëm e që i trajtojnë mirë. Në fund të fundit, kush ka qejf të rrijë me dikë që është i pasjellshëm a i pagdhendur?

  3. Mënyrën si të trajtojnë. Një vajzë me emrin Xhenifer thotë: «Nëse je gjithnjë e sjellshme, me kalimin e kohës do të vëresh se edhe njerëzit më të pasjellshëm do të të përgjigjen ndryshe.» S’do mend, nëse je i pasjellshëm mund të ta kthejnë me të njëjtën monedhë. Bibla thotë: «Do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.»Mateu 7:2.

Përfundimi: Në jetën e përditshme gjithmonë ke të bësh me njerëz. Mënyra si e menaxhon këtë, ndikon te mënyra si të shohin e të trajtojnë njerëzit. Me pak fjalë: normat e mirësjelljes kanë rëndësi!

 Si t’i përmirësosh?

  1. Bëj një «inventar». Pyet veten: «A u drejtohem me respekt të rriturve? Sa shpesh them të lutem, faleminderit ose më fal? A shpërqendrohem kur flas me të tjerët—ndoshta duke lexuar e duke iu përgjigjur mesazheve? A sillem me respekt me familjarët apo i bie shkurt sepse janë ‘të shtëpisë’?»

    Bibla thotë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»Romakëve 12:10.

  2. Vër synime. Shkruaj tri fusha ku mund të përmirësohesh. Për shembull, Alisona 15-vjeçare thotë se duhet «të jetë dëgjuese e mirë dhe jo folëse e mirë». Dejvid 19-vjeçar thotë se duhet të mësojë të mos shkruajë mesazhe ndërkohë që është me familjen ose shokët. «Është mungesë respekti,—pohon ai.—Me fjalë të tjera po u them se më mirë të flas me një tjetër, sesa me ta.» Eduardi 17-vjeçar tregon se nuk duhet t’i ndërpresë të tjerët tek flasin. Dhe Xheniferi, e përmendur më sipër, ka vendosur të përmirësojë sjelljen me të moshuarit. Ajo thotë: «Zakonisht u thosha ç’kemi sa për të larë gojën dhe pastaj gjeja një justifikim që të rrija me shokët. Por tani jam përpjekur t’i njoh më mirë. Kjo më ka ndihmuar ta përmirësoj shumë sjelljen.»

    Bibla thotë: «Duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.»Filipianëve 2:4.

  3. Ndiq përparimin. Për një muaj shih mënyrën si flet ose sillesh në ato fusha ku dëshiron të përmirësohesh. Në fund të muajit, pyet veten: «Si jam bërë njeri më i mirë falë mirësjelljes? Ku kam akoma nevojë të përmirësohem?» Vër synime të reja sipas nevojës.

    Bibla thotë: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.»Luka 6:31.