Ja për çfarë duhet të mendosh

Cili është niveli minimal i shkollimit që kërkon ligji në vendin tënd? A ke arritur tashmë në këtë nivel? Nëse e shpërfill këshillën e Biblës ‘për t’u nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’ dhe e ndërpret shkollën para se të arrish në atë nivel, atëherë mund të themi se po e lë shkollën.—Romakëve 13:1.

A i ke arritur synimet e tua për arsimimin? Cilat janë ato synime që dëshiron të arrish me anë të arsimimit? Ndoshta nuk je i sigurt? Është mirë të dish çfarë do. Përndryshe do të ishe si një pasagjer në një tren që nuk e ka idenë se ku dëshiron të shkojë. Prandaj ulu bashkë me prindërit e tu dhe bisedoni rreth kutisë « Synimet e mia për arsimimin». Nëse e ndërpret shkollën para se të arrish synimet për arsimimin që vendos bashkë me prindërit, atëherë mund të themi se po e lë shkollën.

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje

Pse do që ta lësh? Dy arsye mund të jenë: për të mbështetur familjen nga ana ekonomike ose për të bërë punë vullnetare. Kurse arsye egoiste mund të jenë: për të shmangur provimet ose për të shpëtuar nga detyrat e shtëpisë. Gjëja më e vështirë është të dallosh nëse arsyeja kryesore është fisnike apo egoiste. Nëse e lë shkollën thjesht për të shpëtuar nga problemet, ka shumë mundësi të gjendesh para problemeve më të mëdha.

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje. Treni mund të jetë i parehatshëm dhe pasagjerët jomiqësorë. Por, nëse hidhesh nga treni, nuk do të arrish atje ku do dhe mund të vritesh keq. Në mënyrë të ngjashme, nëse e lë shkollën, do ta kesh më të vështirë të gjesh punë. Edhe nëse gjen, ndoshta do të marrësh një pagë më të vogël se ajo që do të merrje po ta kishe mbaruar shkollën.

Në vend që ta lësh shkollën, përballoji me durim problemet e saj. Nëse vepron kështu, do të bëhesh më i qëndrueshëm dhe më i përgatitur për sfida të ngjashme në botën e punës.

 Synimet e mia për arsimimin

Qëllimi kryesor i arsimimit është të të përgatitë të gjesh një punë për të mbajtur veten dhe familjen që mund të kesh në të ardhmen. (2 Selanikasve 3:10, 12) A ke vendosur se çfarë pune do të doje të bëje dhe si mund të të ndihmojë koha që po kalon në shkollë që të përgatitesh për të? Që të kuptosh nëse arsimimi që po merr po të çon në drejtimin e duhur, përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

  • Cilat janë pikat e mia të forta? (Për shembull, a je i zoti në komunikim me të tjerët? A të pëlqen të bësh punë të ndryshme fizike, të krijosh ose të ndreqësh gjëra? A je i zoti për të analizuar dhe për të zgjidhur probleme?)

  • Në ç’lloj pune do të mund t’i përdorja pikat e mia të forta?

  • Çfarë mundësish për punë ka në vendin tim?

  • Çfarë lëndësh mësimore po bëj tani që do të më përgatitin për tregun e punës?

  • Ç’mundësi të tjera arsimimi kam që do të më ndihmojnë t’i arrij më mirë synimet e mia?

Mos harro, synimi yt është të diplomohesh në një fushë që do të të hyjë në punë. Prandaj, mos kalo në ekstremin tjetër dhe të mbetesh student i përjetshëm, domethënë si ai që nuk zbret nga «treni» vetëm e vetëm që të shpëtojë nga përgjegjësitë e moshës së rritur.