Ngacmimi nga «të fortët» ose fenomeni bullying nuk është gjë e vogël. Sipas një studimi britanik, më tepër se 40 për qind e vetëvrasjeve te të rinjtë të njoftuara nga media kombëtare, duket se vijnë nga këto ngacmime.

 Çfarë është fenomeni bullying?

Këtu nuk futen vetëm sulmet fizike. Mund të përfshihen edhe rastet e mëposhtme.

  • Sulmet me fjalë. «Vajzat mund të tregohen brutale në të folur,—thotë Selina 20-vjeçare.—S’do t’i harroj kurrë sharjet e tyre dhe gjërat që më thoshin. Më bënin të ndihesha e pavlerë, e padëshiruar dhe kot fare. Më mirë të më kishin rënë me grusht.»

  • Veçimi nga shoqëria. «Shokët e klasës filluan të më shmangnin,—thotë Hejli 18-vjeçare.—Bënin të dukej sikur nuk kishte vend për mua në tavolinë, që të mos haja drekë me ta. Për një vit të tërë qaja dhe haja vetëm.»

  • Ngacmimi kibernetik. «Vetëm duke shtypur disa taste në tastierën e kompjuterit,—thotë Danieli 14-vjeçar,—mund t’ia nxish reputacionin dikujt, madje edhe jetën. Mund të duket e ekzagjeruar, por ndodh.» Ngacmim kibernetik do të thotë të dërgosh fotografi ose mesazhe të sikletshme nëpërmjet celularit.

 Pse disa hiqen si «të fortë» me të tjerët?

Ja disa arsye.

  • Ata vetë kanë qenë viktimë. «Ma kishin sjellë në majë të hundës bashkëmoshatarët që më keqtrajtonin, kështu që fillova të bëja si ata që të më pranonin në shoqëri,—pranon një djalë me emrin Antonio.—Më vonë kuptova çfarë po bëja dhe sa e gabuar ishte.»

  • Rrethohen nga shembuj jo shumë të mirë. «Shpesh të rinjtë i keqtrajtojnë të tjerët... njësoj siç bëjnë prindërit, vëllai a motra e madhe ose të afërmit»,—thotë Jay McGraw në librin e tij Life Strategies for Dealing With Bullies.

  • Hiqen si më të lartë se të tjerët, por në të vërtetë janë të pasigurt. «Fëmijët që bëjnë si të fortë sillen si më superiorë se të tjerët, por shpesh kjo është një maskë për të mbuluar vraga emocionale të thella dhe ndjenja pavlefshmërie»,—shkruan Barbara Coloroso në librin e saj The Bully, the Bullied, and the Bystander.

 Kush bëhet më tepër shënjestër?

  • Vetmitarët. Disa të rinj që kanë vështirësi me marrëdhëniet shoqërore, veçohen nga të tjerët dhe bëhen më kollaj shënjestër e «të fortëve».

  • Ata që duken ndryshe. Disa të rinj sulmohen nga «të fortët» për shkak të pamjes së jashtme, racës, fesë e madje për shkak të kufizimeve fizike​—çdo gjë ku mund të kapet ngacmuesi.

  • Të pasigurtit në vetvete. Ngacmuesit e dallojnë kush mendon keq për veten. Këta bëhen më kollaj pre e tyre, ngaqë zakonisht nuk ta kthejnë.

 Ç’mund të bësh nëse të bien në qafë?

  • Mos reago. «Ngacmuesit duan të dinë se ia kanë dalë të mendoni keq për veten,—pohon një vajzë me emrin Kajli.—Nëse ti nuk reagon, humbasin interesin.» Bibla thotë: «Kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.»​—Proverbat 29:11.

  • Mos ia kthe me të njëjtën monedhë. Hakmarrja nuk e zgjidh, por e përkeqëson problemin. Bibla thotë: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.»​—Romakëve 12:17; Proverbat 24:19.

  • Shmangi telashet. Evito sa të mundesh njerëzit dhe situatat ku mund të të ngacmojnë.​—Proverbat 22:3.

  • Befasoji. Në Bibël thuhet: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin.»​—Proverbat 15:1.

  • Ktheja me sportivitet. Për shembull, nëse dikush të thotë që je i shëndoshë, mund të ngresh supet e të thuash: «S’do ishte keq t’i humbja ca kile!»

  • Ik! «Heshtja do të thotë se je i pjekur dhe më i fortë se ai që po të ngacmon,—thotë Nora 19-vjeçare.—Është shenjë vetëkontrolli, diçka që ngacmuesi nuk e ka.»

  • Ki besim në vetvete. «Ngacmuesit e vënë re kur je në siklet,—thotë Rita,—dhe mund ta përdorin për të të hequr edhe atë pak vetëbesim që të ka mbetur.»

  • Fol me dikë. Sipas një sondazhi, më shumë se gjysma e viktimave që ngacmohen nëpërmjet Internetit nuk tregojnë çfarë po ndodh, ndoshta nga turpi (sidomos djemtë) ose frika e hakmarrjes. Por, mos harro, ngacmuesit atë duan, të mos tregosh. Kur i tregon dikujt, hedh hapin e parë për t’i dhënë fund makthit.