Krijim apo evolucion?

A beson se Perëndia krijoi gjithçka? Nëse po, nuk je i vetmi; shumë të rinj (dhe të rritur) mendojnë kështu. Por, të tjerë thonë se jeta dhe universi kanë evoluar, pa ndihmën e një «Qenieje Supreme».

A e dije? Njerëzit e të dyja fronteve të debatit nxitohen e thonë çfarë besojnë pa u menduar mirë pse e besojnë.

  • Disa besojnë në krijim thjesht ngaqë kështu i kanë mësuar në kishë.

  • Shumë veta besojnë tek evolucioni thjesht ngaqë kështu e kanë mësuar në shkollë.

Kjo seri artikujsh do të të ndihmojë t’i përforcosh dhe t’i shpjegosh bindjet e tua për krijimin. Megjithatë, së pari, duhet t’i bësh vetes një pyetje edhe më themelore:

 Pse besoj se Perëndia ekziston?

Pse është e rëndësishme kjo pyetje? Sepse Bibla të nxit të përdorësh mendjen, «fuqinë [tënde] për të arsyetuar». (Romakëve 12:1) Kjo do të thotë se besimi te Perëndia nuk duhet të bazohet thjesht në

  • atë që ndien (Thjesht e ndiej se duhet të ekzistojë një fuqi më e lartë)

  • ndikimin e të tjerëve (Unë banoj në një komunitet ku besojnë te Perëndia)

  • presionin e të tjerëve (Që i vogël, prindërit më ngulitën besimin te Perëndia—ose diçka tjetër)

Përkundrazi, ti duhet të jesh i bindur vetë se Perëndia ekziston dhe të kesh arsye të shëndosha për bindjet e tua.

Prandaj, çfarë të bind ty se Perëndia ekziston? Fleta e punës «Pse besoj se Perëndia ekziston?» do të ta përforcojë bindjen. Gjithashtu, mund të të ndihmojë edhe përgjigjja që i kanë dhënë kësaj pyetjeje të rinj të tjerë.

«Kur dëgjoj shpjegimin e mësuesit në klasë se si funksionon trupi ynë, më mbushet mendja top se Perëndia ekziston. Çdo pjesë e trupit ka funksionin e vet, deri në hollësinë më të vogël, dhe shpesh këto funksione kryhen pa dijeninë tonë. Trupi i njeriut të lë pa mend!»Tereza.

«Kur shoh një grataçelë, një anije të madhe turistike ose një makinë, pyes veten: ‘Kush e ka ndërtuar?’ Për shembull, duhen njerëz inteligjentë për të ndërtuar një makinë, sepse ka kaq shumë pjesë të vogla që duhet të funksionojnë siç duhet që makina të punojë. Kështu, nëse makinat duhet t’i projektojë dikush, atëherë kjo vlen edhe për njerëzit.»—Riçardi.

«Kur kupton se mendjeve më inteligjente u janë dashur qindra vjet të kuptojnë edhe pjesëzën më të vogël të universit, atëherë duket komplet e paarsyeshme të mendosh se universi erdhi në ekzistencë pa një inteligjencë.»Kerëni.

«Sa më shumë e studioja shkencën, aq më pak i besueshëm dukej evolucioni. Për shembull, mendoja për saktësinë matematikore në natyrë dhe sa unik është njeriu, ku përfshihet nevoja për të ditur kush jemi, nga kemi ardhur dhe ku po shkojmë. Evolucioni orvatet t’i shpjegojë të gjitha këto gjëra me terma që lidhen me kafshët, por kurrë nuk ka arritur të shpjegojë pse njerëzit janë unikë. Mua më duhet më tepër «besim» të mbështes evolucionin, sesa të besoj te një Krijues.»—Antoni.

 Si t’i shpjegoj bindjet e mia?

Po nëse shokët e klasës të tallin ngaqë ti beson te diçka që nuk mund ta shohësh? Po nëse thonë se shkenca e «ka vërtetuar» evolucionin?

Së pari, ji i bindur për atë që beson. Mos ki frikë ose turp. (Romakëve 1:16) Në fund të fundit, mos harro:

  1. Nuk je i vetmi; shumë veta besojnë ende te Perëndia. Këtu përfshihen njerëz tejet inteligjentë dhe ekspertë. Për shembull, ka shkencëtarë që besojnë se ka një Zot.

  2. Kur njerëzit thonë se nuk besojnë te Perëndia, ndonjëherë ajo që duan të thonë është se nuk e kuptojnë Perëndinë. Në vend që të japin prova për të mbështetur pikëpamjen e tyre, ata ngrenë pyetje, si «Nëse Perëndia ekziston, pse i lejon vuajtjet?» Ata e kthejnë nga një çështje intelektuale në çështje emocionale.

  3. Njerëzit «kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mateu 5:3) Kjo përfshin nevojën për të besuar te Perëndia. Kështu, nëse dikush thotë se nuk ka Zot, ai, dhe jo ti, ka përgjegjësinë të shpjegojë si ka arritur në një përfundim të tillë.Romakëve 1:18-20.

  4. Besimi se Perëndia ekziston, është plotësisht i arsyeshëm. Përputhet me faktet e vërtetuara se jeta nuk mund të vijë vetë në ekzistencë. Nuk ka asnjë provë për të mbështetur idenë se jeta mund të vijë rastësisht nga materia e pajetë.

Por, çfarë mund të thuash nëse dikush vë në pikëpyetje besimin që ke te Perëndia? Shqyrto disa sugjerime.

Nëse dikush thotë: «Vetëm të pashkolluarit besojnë te Perëndia.»

Ti mund të përgjigjesh: «Vërtet e beson këtë?! Unë jo. Në fakt, në një sondazh ku morën pjesë më tepër se 1.600 profesorë shkence nga universitete të ndryshme me emër, një e treta e tyre nuk thanë se ishin ateistë ose agnosticistë. * A do t’i konsideroje këta profesorë jointeligjentë vetëm sepse besojnë te Perëndia?»

Nëse dikush thotë: «Nëse Perëndia ekziston, pse ka kaq shumë vuajtje në botë?»

Ti mund të përgjigjesh: «Ndoshta do të thuash se nuk e kupton si vepron Perëndia, ose në këtë rast, nuk duket se vepron. Apo e kam gabim? [Presim përgjigjen.] Kam gjetur një përgjigje bindëse se përse ka kaq shumë vuajtje. Por, për ta kuptuar, duhet të shqyrtosh disa mësime biblike. A do të doje të mësoje më shumë?»

Artikulli vijues i kësaj serie do të tregojë pse teoria e evolucionit nuk jep një shpjegim bindës për ekzistencën tonë.

^ par. 32 Burimi: Social Science Research Council, «Religion and Spirituality Among University Scientists», nga Elaine Howard Ecklund, 5 shkurt 2007.