Bibla nxit të jemi ‘të përkorë në zakone’. (1 Timoteut 3:2) Kjo përfshin zakonet në të ngrënë. Atëherë, pse të mos provosh sugjerimet e mëposhtme?

Vërja veshin stomakut. «Më përpara numëroja kaloritë,—thotë Xhulia 19-vjeçare,—por tani çohem nga tavolina kur ndihem e ngopur.»

Mos ha ushqime jo të shëndetshme. «Vetëm duke lënë pijet me gaz,—thotë Piteri 21 vjeç,—humba 5 kilogramë brenda një muaji.»

Hiq zakonet e këqija në të ngrënë. «Përpiqem të mos e mbush pjatën për së dyti»,—thotë Erina 19-vjeçare.

Sekreti i suksesit: Mos lër asnjë vakt pa ngrënë. Nëse lë ndonjë, do të të grijë uria dhe mund ta teprosh vaktin pasues.

Natyrisht, disa nga ata që thonë se duhet ta mbajnë nën kontroll peshën, kanë një pikëpamje të shtrembëruar për trupin. Në fakt, janë për bukuri ashtu siç janë. Por, si i bëhet nëse vërtet duhet të biesh në peshë? Ja çfarë e ndihmoi një vajzë që quhet Katerina.

«Në vitet e para të adoleshencës, isha mbipeshë, dhe këtë s’e kisha dashur kurrë. E vuaja shumë që dukesha dhe ndihesha ashtu.

Herë pas here përpiqesha të dobësohesha me ndonjë dietë të veçantë, por prapë i vija kilet që humbja. Kështu, kur isha 15 vjeçe, thashë: ‘Mjaft!’ Doja të bija në peshë me mënyrën e duhur, një mënyrë që mund ta ndiqja gjithë jetën.

Bleva një libër që tregonte se si të zgjidhja ushqime të shëndetshme e si të bëja ushtrimet e duhura, dhe atë që lexoja aty e zbatoja. Isha e vendosur të mos dorëzohesha, edhe nëse shkurajohesha ose e lija dietën e fizkulturën për pak.

A pati rezultat? Brenda vitit humba 25 kilogramë. Kam dy vjet që e mbaj peshën që dëshiroja. S’ma merrte mendja kurrë se do t’ia dilja!

Mendoj se ia arrita sepse nuk mbajta thjesht dietë, por ndryshova mënyrën e jetesës.»​—Katerina, 18 vjeçe.