Ja ç’mund të bësh

1. Përqendrohu te pikat e forta. (2 Korintasve 11:6) Ndonëse është mirë të jesh i vetëdijshëm për të metat e tua, ke edhe shumë cilësi të mira. Kur i di vlerat e tua, e lufton më me siguri mendimin negativ për veten dhe e kapërcen vetminë. Pyet veten: «Cilat janë pikat e mia të forta?» Mendo për dhuntitë ose cilësitë e mira që ke.

2. Interesohu sinqerisht për të tjerët. Fillo duke treguar interes fillimisht për pak veta. «Mjafton t’i pyesësh të tjerët si po ia kalojnë ose si po shkon puna, dhe e ke më të lehtë të njihesh me ta»,—thotë një djalë me emrin Jori.

Mund ta kapërcesh hendekun që të ndan nga moshatarët

Këshillë: Mos u shoqëro vetëm me moshatarët e tu. Disa nga shoqëritë më të ngushta për të cilat flet Bibla ishin mes njerëzve me diferencë të madhe në moshë, si për shembull, Rutha dhe Naomi, Davidi dhe Jonatani, Timoteu dhe Pavli. (Rutha 1:16, 17; 1 Samuelit 18:1; 1 Korintasve 4:17) Gjithashtu, mos harro se të bisedosh do të thotë ta lësh edhe tjetrin të flasë, e jo të bësh monolog. Ata që dinë të dëgjojnë, vlerësohen shumë. Prandaj, nëse ke prirjen të jesh i ndrojtur, mos mendo se vetëm ti do ta mbash gjallë bisedën!

3. Trego «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjetrit 3:8) Edhe nëse s’je dakord për mendimin e tjetrit, tregohu i duruar e lëre të flasë. Përqendrohu te gjëra për të cilat jeni në një mendje. Nëse të duhet t’i tregosh se nuk je dakord me të, thuaja me takt dhe butësi.

Këshillë: Kur të flasësh me të tjerët, vëre veten në vendin e tyre. Nëse hahesh me fjalë, tallesh për gjëra të kota, i rëndon ose i bën të ndihen sikur ia fusin gjithmonë kot, do t’i largosh ata. Por nëse ‘fjala jote është gjithnjë me hir’, do të të duan afër.—Kolosianëve 4:6.