Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Pa fjetur mjaftueshëm, nuk do të arrish të bësh asgjë siç duhet.

«Nëse nuk fle sa duhet, nuk më punon truri. Nuk arrij të përqendrohem në asgjë!»​—Rakela, 19 vjeçe.

«Aty nga ora 2 e pasdites jam kaq e lodhur sa gati më zë gjumi në mes të bisedës.»​—Kristina, 19 vjeçe.

A ke nevojë të flesh më shumë? Ja çfarë kanë bërë disa nga moshatarët e tu.

Mos rri zgjuar deri vonë. «Përpiqem të shkoj në shtrat në një orar të arsyeshëm»,—thotë Katerina 18-vjeçare.

Mos komuniko me shokët deri vonë. Riçardi 21 vjeç thotë: «Ndonjëherë shokët më merrnin në telefon ose më dërgonin mesazhe shumë vonë, por kohët e fundit kam mësuar ta ndërpres bisedën dhe të shkoj në shtrat.»

Syno rregullsinë. «Kohët e fundit,—thotë Xheniferi 20-vjeçare,—po përpiqem të fle dhe të zgjohem në të njëjtat orare çdo ditë.»

Sekreti i suksesit: Bëj çmos të flesh të paktën tetë orë çdo natë.

Vetëm dobi do të kesh po të bësh sikur edhe disa hapa të vegjël që të flesh më shumë. Mos harro, nëse ke shëndet të mirë, do të dukesh më mirë, do të ndihesh për mrekulli dhe do të japësh maksimumin.

Ndryshe nga disa gjëra në jetë, gjendjen tënde fizike deri në njëfarë mase e ke në dorë. «Në fund të fundit,—thotë Erina 19-vjeçare,—shëndeti yt varet vetëm nga një njeri, nga ti.»