«Jam mësuar të dëgjoj fjalë të pista, prandaj nuk më bëjnë më përshtypje. Më duket normale.»​Kristoferi, 17 vjeç.

«Kur isha më e vogël, thosha shumë fjalë të pista. Ishte një zakon që e fitova fare kollaj, por mezi e shqita.»​Rebeka, 19 vjeçe.

 Pyetësor

  • Sa ndikohesh kur dëgjon fjalë të pista nga të tjerët?

    • As që e vë re​—më duket normale.

    • Më bezdis paksa, por e pranoj.

    • Më duket fyese, s’arrij të mësohem.

  • Sa shpesh thua ti fjalë të pista?

    • Kurrë

    • Me raste

    • Shpesh

  • Sipas teje, sa problem është fjalori i ndyrë?

    • Pak

    • Shumë

 Pse ka rëndësi

A të duken një gjë serioze fjalët e pista? Ndoshta thua: «Jo dhe aq. Në fund të fundit, ka probleme më të mëdha në botë për ta vrarë mendjen. Pastaj, të gjithë thonë fjalë të pista.» Por, a është vërtet kështu?

E beson apo jo, ka shumë njerëz që e mbajnë gojën të mos nxjerrin fjalë të ndyra. Dhe e bëjnë këtë për arsye që të tjerët nuk i kanë menduar. Për shembull:

  • Fjalët e pista tregojnë shumë për ty. Ajo që thua zbulon se si je nga brenda. Prandaj, të folurit e ndyrë mund të tregojë se nuk do t’ia dish për ndjenjat e të tjerëve. A je vërtet i tillë?

    Bibla thotë: «Gjërat që dalin nga goja, vijnë nga zemra.»​—Mateu 15:18.

    Fjalët e pista ndotin fjalorin. Pse të ndotësh me to të tjerët ose veten?

  • Nga fjalët e pista, të tjerët mund të mendojnë keq për ty. Libri Cuss Control thotë: «Mënyra si flasim mund të përcaktojë se cilët do të jenë miqtë tanë, sa do të na respektojnë familjarët dhe kolegët, ç’marrëdhënie do të kemi me të tjerët, sa influencë do të kemi, do të gjejmë një punë ose do të ngrihemi në detyrë dhe si do të sillen të panjohurit me ne.» Libri vazhdon: «Pyet veten nëse marrëdhëniet me të tjerët mbase mund të ishin më të mira po të mos thoshe fjalë të pista.»

    Bibla thotë: «Hiqni çdo . . . sharje.»​—Efesianëve 4:⁠31.

  • Fjalët e pista nuk të bëjnë aq trendi sa mendon. Në librin e tij How Rude!, dr. Alex Packer thotë: «Njerëzit që thonë fjalë të pista gjithë kohës, të lodhin veshët.» Ai shton se një të folur plot fjalë të fëlliqura nuk lë vend të shprehësh shumë gjykim të thellë, mendjemprehtësi, inteligjencë ose empati. Nëse ke një të folur të varfër, të vagët dhe pa imagjinatë, edhe mendja jote do të ndikohet.»

    Bibla thotë: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur.»​—Efesianëve 4:​29.

 Çfarë mund të bësh

  • Vër një synim. A mund të provosh të eliminosh fjalët e pista për një muaj a më pak? Mund ta shënosh përparimin tënd në një tabelë ose kalendar. Por, që të jesh i vendosur, ndoshta duhet të bësh hapa të tjerë. Për shembull:

  • Shmang zbavitjet që ta mbushin trurin me fjalë të ndyra. Bibla thotë se shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme ose moralin e mirë. (1 Korintasve 15:33) Këtu fjala «shoqëritë» nuk përfshin vetëm njerëzit, por edhe zbavitjen​—filmat që sheh, videolojërat që luan dhe muzikën që dëgjon. Kenethi, 17 vjeç, shprehet: «Është kollaj të këndosh një këngë që të pëlqen dhe të mos e vrasësh fare mendjen se ka fjalë të pista, vetëm ngaqë ritmi është i bukur.»

  • Tregohu i pjekur. Disa përdorin fjalë të pista ngaqë mendojnë se kështu duken të rritur. Por kjo është krejt e kundërta. Sipas Biblës, njerëzit e pjekur «i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:​14) Ata nuk i ulin standardet e tyre vetëm që «t’u bëjnë përshtypje» të tjerëve.

Faktikisht, gjuha e ndyrë vetëm sa ndot mendjen tënde (dhe të të tjerëve) me mendime të pahijshme. Tashmë bota është e mbushur me to. «Mos i shto plehrat,​—këshillon libri Cuss Control.—​Bëj pjesën tënde për të pastruar mjedisin e të folurit. Do të ndihesh më mirë me veten, por edhe të tjerët do të kenë mendim më të mirë për ty.»