Nëse

  • pret të marrësh se s’bën 10 në çdo provim

  • i shmang sfidat e reja nga frika se mos dështon

  • çdo kritikë e sheh si sulm ndaj karakterit tënd

. . . , atëherë përgjigjja e pyetjes më sipër mund të jetë po. Por, a ka vërtet rëndësi?

 Ç’të keqe ka të kërkosh përsosmëri?

Nuk ka asgjë të keqe të përpiqesh të bësh më të mirën. Megjithatë, «ka një ndryshim të madh midis synimit të arsyeshëm për të qenë shumë i zoti dhe përpjekjeve të paarsyeshme për të arritur synime të pamundura», thotë libri Mania për përsosmëri​—Ç’të keqe ka të jesh tepër i mirë? (anglisht). Ai shton: «Mania për përsosmëri mund të jetë një barrë e rëndë pasi duhet ta pranojmë se askush nuk është perfekt.»

Edhe Bibla mbështet këtë mendim. Ajo pohon: «Sepse nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë [gjithmonë] të mirën.» (Eklisiastiu 7:​20) Meqë je i papërsosur, do të ketë raste kur gjërat që bën, nuk do të jenë aq të jashtëzakonshme.

A e ke të vështirë ta pranosh këtë? Nëse po, shqyrto katër mënyra si mund të ndikojë te ti mania për përsosmëri​—dhe me siguri jo për mirë.

  1. Pikëpamja për veten. Të fiksuarit pas përsosmërisë i vënë vetes standarde tepër të larta e të paarsyeshme, të cilat çojnë drejt zhgënjimit. «Duhet të jemi realistë se s’do të shkëlqejmë në gjithçka. Ndaj, nëse vazhdojmë ta nënvlerësojmë veten ngaqë s’jemi perfektë, do të humbim besimin te vetja dhe kjo sjell dëshpërim.»​—Alisia.

  2. Pikëpamja për këshillat e dobishme. Perfeksionistët priren t’i shohin kritikat e vlefshme si përpjekje për t’ua shkatërruar reputacionin. Një i ri me emrin Xheremi, thotë: «Ndihem tmerrësisht keq kur më korrigjojnë.» Ai shton se «të qenët perfeksionist, të pengon të pranosh kufizimet dhe ndihmën e nevojshme».

  3. Pikëpamja jote për të tjerët. Kush ka maninë për përsosmëri, shpesh i kritikon të tjerët dhe s’është e vështirë ta kuptosh pse. «Kur pret përsosmëri nga vetja, e pret edhe nga të tjerët», thotë Ana 18-vjeçare. «Nëse të tjerët s’ia dalin të përmbushin këtë standard, zhgënjehesh vazhdimisht.»

  4. Pikëpamja e të tjerëve për ty. Nëse ke pritshmëri të larta e të paarsyeshme për të tjerët, mos u çudit nëse fillojnë të të shmangin. Një e re me emrin Beti thotë: «Është sfilitëse të jetosh në lartësinë e standardeve të pamundura të një perfeksionisti. Askush s’ka qejf të rrijë me një njeri të tillë.»

 A ka ndonjë rrugë më të mirë?

Bibla thotë: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.» (Filipianëve 4:5) Njerëzit e arsyeshëm janë të ekuilibruar dhe nuk presin tepër nga vetja dhe nga të tjerët.

«Tashmë ke goxha presion nga faktorë të jashtëm. Pse t’i shtosh vetes presion të panevojshëm duke rendur pas përsosmërisë? Është shumë e papërballueshme.»​—Nila.

Bibla thotë: ‘Ji modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd.’ (Mikea 6:8) Njerëzit modestë i pranojnë kufizimet e tyre. Nuk marrin përsipër më shumë nga ç’mund të mbajnë dhe as nuk harxhojnë më tepër kohë nga sa kanë në dispozicion.

«Nëse dua t’i përmbush sa më mirë përgjegjësitë, marr përsipër vetëm aq sa mund të mbaj. Fundja, kaq mund të bëj.»​—Hejli.

Bibla thotë: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde.» (Eklisiastiu 9:​10) Ndaj, kura për perfeksionizmin nuk është dembelizmi, por papërtueshmëria e gërshetuar me cilësitë e mësipërme​—arsyetueshmërinë dhe modestinë.

«Përpiqem ta bëj punën sa më mirë dhe të jap maksimumin. E kuptoj se s’do të jetë kurrë e përsosur, ama jam i kënaqur kur e di se kam dhënë më të mirën.»​—Xhoshua.