«Ndihem rehat në rrethin tim shoqëror dhe e kam shumë të vështirë të zë shokë të rinj.»​—Alani.

«Kam pak miq dhe më mjaftojnë. S’jam tip i futur dhe e kam të vështirë t’u flas atyre që s’i njoh.»​—Sara.

A ndihesh edhe ti si Alani e Sara? A ke një rreth të ngushtë miqsh nga i cili e ke të vështirë të dalësh?

Nëse po, ky artikull është për ty.

 Problemet me grupet shoqërore

S’ka asgjë të keqe të kesh një rreth të ngushtë shokësh. Kur je pjesë e një grupi, ndihesh rehat dhe i pranuar për atë që je, me të mirat e të këqijat.

«Ndihesh mirë kur pëlqehesh nga të tjerët dhe je pjesë e një grupi. Kur je i ri, thjesht do që të të pranojnë.»​—Kerëni, 19 vjeçe.

A e dini? Jezui kishte shumë miq, përfshirë 12 apostujt, por të ngushtë kishte vetëm tre prej tyre: Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin.​—Marku 9:2; Luka 8:​51.

Megjithatë, kur shoqërohesh vetëm me një grup të veçantë miqsh dhe mënjanon të tjerët, mund të kesh pasoja. Për shembull:

  • Mund t’u presësh rrugën miqësive të tjera fantastike.

    «Kur ke vetëm miq që janë si ti, i mohon vetes eksperienca dhe njohje të reja e fantastike.»​—Evani, 21 vjeç.

  • Mund të ngjash si snob.

    «Kur rri vetëm me një grup miqsh, mund të lësh përshtypjen se nuk dëshiron të flasësh me asnjë tjetër.»​—Sara, 17 vjeçe.

  • Mund të përfshihesh në bullizëm.

    «Ti vetë mbase nuk do të keqtrajtoje asnjë, por nëse grupi yt i miqve e bën këtë, papritur të duket OK​—madje edhe gallatë.»—Xhejmsi, 17 vjeç.

  • Mund të futesh në telashe, sidomos nëse do që të jesh me çdo kusht pjesë e atij grupi.

    «Në një rreth të ngushtë shoqëror mjafton që njëri të jetë problematik dhe i gjithë grupi do të futet në telashe.»​—Martina, 17 vjeçe.

 Ja ç’mund të bësh

  • Analizo standardet e tua

    Pyet veten: «Çfarë standardesh mundohem të kem? Miqtë ma bëjnë më të lehtë apo më të vështirë të jetoj sipas tyre? A do të paguaja çfarëdolloj çmimi për të mos e humbur këtë miqësi?»

    Parimi biblik: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»​—1 Korintasve 15:33.

    «Nëse je në një rreth shoqëror që s’ka standardet e tua, mund të bësh gjëra që përndryshe s’do t’i kishe bërë kurrë.»​—Elena, 14 vjeçe.

  • Shqyrto përparësitë

    Pyet veten: «A jam i lidhur kaq shumë me miqtë, sa do të bëja kompromis me standardet e mia si e si të mos i humbja? Si do të veproja nëse një shok do të bënte diçka të gabuar?»

    Parimi biblik: «Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj.»​—Zbulesa 3:​19.

    «Nëse dikush nga grupi futet në telashe dhe s’e ke të qartë se kujt t’i qëndrosh besnik, mund të të duket tradhti të tregosh.»​—Melania, 22 vjeçe.

  • Bëj miq të rinj

    Pyet veten: «A mund të nxjerr dobi nëse e zgjeroj rrethin tim shoqëror me disa që nuk i njoh edhe aq?»

    Parimi biblik: ‘Shih me interes jo vetëm çështjet e tua, por edhe ato të të tjerëve.’​—Filipianëve 2:4.

    «Fëmijët që nuk kanë popullaritet, thjesht mund të kenë rrethana të vështira familjare. Ama kur i njeh, e kupton se janë fantastikë në mënyrën e tyre.»​—Brajani, 19 vjeç.

Përfundimi: S’ka asgjë të keqe të kesh një grup miqsh të ngushtë. Por në të njëjtën kohë mund të nxjerrësh dobi nëse e zgjeron këtë grup. Bibla thotë: «Kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.»​—Proverbat 11:25.